E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhandarmëria serbe bllokon kalimin ilegal për në Jarinjë

Pjesëtarët e xhandarmërisë serbe kanë mbyllur mëngjesin e të enjtes, rrugën alternative për në Jarinjë. Këtë e bëri publik Kryetari i Këshillit Nacional Serb, Milan Ivanoviç.

Këtë kalim ilegal serbët kanë vazhduar ta përdorin në mënyrë që të anashkalojnë vendkalimin kufitar të ligjshëm, në të cilin janë policia kufitare dhe doganierët e Kosovës, raporton Kosovapress.

Ivanoviç u tha mediave serbe se rruga, e cila të çon nga Jarinja në Rudnicë, është mbyllur gjatë mëngjesit të sotëm.

Lajmin për agjencinë Beta, e kanë konfirmuar edhe qytetarë të tjerë, të cilët kanë thënë të ishin në radhë dhe se pjesëtarët e xhandarmërisë u kishin sugjeruar që për të hyrë në Serbi duhet të orientoheshin nga kalimi zyrtar në Jarinjë.

Ivanoviç bëri me dije se ai u ndalua në afërsi të Jarinjës nga forcat e KFOR-it.

“U tërhoqa vërejtjen që ne jemi qytetarë të Serbisë, që kemi letërnjoftime dhe se kemi të drejtë të lëvizim dhe se sjellja e tyre është kundërkushtetuese dhe e kundërligjshme”, ka thënë Ivanoviç.

Ai tha se urdhri për bllokimin e kalimit ilegal ishte dhënë nga Beogradi duke nënvizuar se bllokada do të vazhdojë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›