E Shtunë, 31 Tetor 2026

Wenger premton përforcime

Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, thotë se do të intervenojë në afatin kalimtar të janarit, nëse ofrohet ndonjë mundësi e mirë. ‘Topçinjtë’ i regjistruan shtatë fitore nga tetë ndeshjet e fundit në Premierligë, duke u ngritur në top 4. Pjesa më e madhe e këtij suksesi është ndërtuar nga 19 golat e kapitenit Robin van Persie.

Sulmuesi i Bregut të Fildishtë, Gervinho dhe ai i Marokut, Marouane Chamakh, muajin e ardhshëm do të jenë jashtë ekipit për shkak të angazhimeve në Kupën e Afrikës. Për këtë trajneri francez po mendon për ndonjë zëvendësues eventual të tyre, pasi që Van Persie nuk mund ta bartë i vetëm barrën në sulm.

“Ne do të mbetemi pa lojtarët si Chamakh e Gervinho, që do të shkojnë në Kupën e Afrikës. Shpresojmë që mos të na lëndohen sulmuesit. Por, nëse na ofrohet ndonjë mundësi e mirë, ne do të intervenojmë. Kemi mundësi të bëjmë përforcime, sepse ekonomikisht jemi në gjendje të mirë”, deklaroi Wenger pas një takimi me tifozët në Emirates Stadium.

Kapiteni i Koresë së Jugut, Park Ju-Young dhe rusi Andrey Arshavin janë opsione të francezit, por duket se Wenger ia ka mësyrë sulmuesit të Kolnit, Lukas Podolski.

Edhe mesfushori i Sochaux, Kevin Anin thuhet se ka rënë në radarin e Wengerit bashkë me futbollistin e Anderlechtit, Luca Biglia.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›