E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhani: Nuk jam larguar nga Partizani

Ka pohuar publikisht se nuk ka më para. Kërkoi mirëkuptimin e futbollistëve dhe të stafit teknik, në mënyrë që ata të vazhdojnë t‘i shërbejnë klubit të kuq edhe pa u paguar. Pas tetë muaj deklaratash bombastike dhe premtimesh të pambajtura, se problemet financiare në skuadër do të zgjidheshin, Albert Xhani u tregua për të parën herë i sinqertë. Madje, i shtriu dorën të gjithë atyre që mund ta ndihmojnë financiarisht dhe të kontribuojnë në kapërcimin e situatës. Megjithatë, presidenti i klubit historik në futbollin shqiptar as që nuk ka ndërmend të dorëhiqet. Nga Athina, ai deklaroi se nuk është larguar, ashtu siç deklarojnë disa dashakeqës. "Natyrisht që kemi vështirësi financiare, por kjo nuk do të thotë as dorëzim, as largim dhe as dorëheqje", deklaroi Xhani. "Problemet tona do të zgjidhen: gjetja e zgjidhjes mund të kërkojë ditë, ashtu si mund të kërkojë edhe muaj. Unë do të vazhdoj të paguaj për Partizanin, ashtu si kam paguar gjatë këtyre dhjetë viteve të fundit". Megjithatë, "arritja" më e madhe e drejtuesit të të kuqve është besimi që i kanë dhënë futbollistët. Në këtë situatë kritike, ata kanë vendosur të mos e braktisin skuadrën. Xhani ua ka bërë të qartë se nuk ka fonde me çfarë të paguajë rrogat (e prapambetura dhe ato të muajve në vazhdim), por pesha e fanellës bëri që sportistët të qëndrojnë. Ndoshta duke shpresuar se një ditë do të marrin edhe rrogat e vitit 2008, gjithsesi ky është një thjesht një detaj. Presidenti deklaroi: "Kam pasur kontakte me të gjithë lojtarët e mi, të cilëve i kam kërkuar që të bëhen pjesë e zgjidhjes së kësaj situate dhe ata më dhanë besimin. Të gjithë më mirëkuptuan. Ne do të bëjmë të pamundurën që së shpejti situata të ndryshojë dhe që futbollistët të likuidohen". Më tej, ai përsëriti ftesën për të gjithë ata biznesmenë që dëshirojnë të bashkëpunojnë për nxjerrjen e Partizanit nga kriza: "Në qoftë se ka biznesmenë të mëdhenj në Shqipëri dhe mendoj se këtu ka me shumicë, ata derën e kanë të hapur. Mund të vijnë të flasin me presidentin e Partizanit, të përcaktojmë kushtet e bashkëpunimit dhe jo të njoftojnë se unë kam dhënë dorëheqjen".

Miqësorja

Fjalët e Albert Xhanit se lojtarët e mirëkuptuan dhe se te Partizani nuk do të ketë "eksod" u konfirmuan dje. Kontingjenti i drejtuar nga trajneri Shpëtim Duro u paraqit i plotë në stërvitje. Të udhëhequr nga kapiteni Orges Shehi, ata zhvilluan miqësoren e radhës. Të kuqtë luajtën kundër Skraparit, që lufton për mbijetesë në Kategorinë e Parë dhe rezultati final në fund të 90-minutëshit ishte 1-1. Marius Ngjela ishte autori i vetëm i Partizanit, që në pesë miqësoret e luajtura deri më tani ka regjistruar dy fitore, dy barazime dhe një humbje përballë skuadrave inferiore.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›