E Shtunë, 31 Tetor 2026

Domosdoshmeria e rajonalizimit te territorit

Pas viteve ‘90 (shekulli i kaluar) në Shqipëri ndodhën ndryshime të mëdha. Ndryshimet politike (vendosja e pluralizmit politik) ndikuan edhe në zhvillimin ekonomik, pasi zhvillimi i centralizuar ekonomik ia la vendin zhvillimit ekonomik në përputhje me kushtet e ekonomisë së lirë të tregut (të liberalizuar të tregut), ku u vendos raporti kërkesë-ofertë. Riorganizimi i sistemit politik dhe i atij ekonomik diktuan edhe riorganizimin territorial, si bazë për të gjitha zhvillimet e tjera, përfshirë këtu edhe zhvillimin ekonomik e atë politik.

Rezultatet e arritura gjatë riorganizimit territorial, ku fuqishëm ndikoi decentralizimi politik, ndikuan edhe në decentralizimin ekonomik e në veçanti, të treguesve fiskalë, ku mbi bazën e një pakete ligjore të përmirësuar disa herë (thuajse të plotësuar) është arritur të realizohet edhe një testim i masave të ndërmarra për realizimin e reformës në përgjithësi gjatë periudhës tranzicionale që po kalojmë.

E veçantë gjatë kësaj periudhe kohore është se në mjaft raste ka mbivendosje të praktikave të ndjekura gjatë reformave e në veçanti gjatë reformës së decentralizimit në përgjithësi. Mangësitë e vërejtura gjatë reformës, të trajtuara shkurtimisht si më sipër, përveç të tjerash kanë ardhur si rezultat edhe i mosorganizimit si duhet i territorit në vendin tonë, ose thënë ndryshe, ka munguar ndjekja për zhvillimin në tërësi, duke u mbështetur në një reformim të organizimit të territorit në formë rajonale, ose realizimin e rajonalizimit të zhvillimit të vendit.

Rajonalizimi i zhvillimit të vendit, nisur dhe nga përvoja e viteve që po kalojmë, duhet të realizohet mbi bazën e një konsensusi të gjerë politik midis mazhorancës (shumicës) dhe minorancës (pakicës) politike, kjo për faktin që rajonalizimi i realizuar të mos ndryshojë në varësi të ndryshimit të raporteve politike ndër vite midis mazhorancës (shumicës) dhe minorancës (pakicës) politike.

Rajonalizimi duhet të realizohet fillimisht duke përmirësuar organizimin e territorit në nivelin e parë të tij, pra sipas OQV, duke krijuar komuna ku numri i anëtarëve të komunitetit në këto organe të mos jetë më i vogël se 20 mijë, ndërsa bashkitë të krijohen në qytete me popullsi jo më pak se 100 mijë banorë.

Madhësia territoriale të realizohet mbi bazën e disa kritereve fikse, ku si të tillë mund të veçojmë shtrirjen krahinore, përfshirë këtu edhe traditat kulturore zonale e rajonale; konfiguracionin e territorit që do të përshijë Organi i Qeverisjes Vendore; infrastrukturën në përgjithësi e atë rrugore në veçanti; mundësinë e ndërtimit të objekteve të reja e rikonstruktimin e atyre ekzistuese që shërbejnë për komunitetin e një Organi të Qeverisjes Vendore apo për më shumë se një. Vështirësitë që mendohet se mund të krijohen fillimisht në plotësimin e nevojave të komunitetit për shërbime nga më të ndryshmet do të zgjidhen gradualisht, duke aplikuar edhe mënyrat, si përdorimi i kartave bankare për përfitimet që bëhen në KASH (përfshirë këtu edhe përfitimet që vijnë nga ndihma ekonomike, etj.); plotësimi i një pjese të nevojave për shërbime drejtpërsëdrejti në familje, si rezultat i përdorimit të mjeteve të informimit elektronik, informim i cili do të vijë duke u rritur e përmirësuar në të gjithë vendin; përmirësimi dhe zgjerimi i rrjetit rrugor automobilistik për të realizuar uljen ndjeshme të shpenzimeve për udhëtimin e banorëve, me qëllim plotësimin e nevojave për shërbime nga më të ndryshmet.

Organizimi i territorit sipas qarqeve duhet të ndryshojë dhe konsiston në krijimin e Rajoneve. Për plotësimin e nevojave të komunitetit për disa shërbime, sipas organizimit me rrethe të mbeten:

- Sistemi gjyqësor (Gjykatat e Shkallës së Parë të rretheve gjyqësore dhe prokuroritë) të jenë në numër të barabarta me numrin e rretheve (numër që duhet të vijë në pakësim).

- Për sistemin arsimor shtetëror të mbeten të organizuara Zyrat e Arsimit të rretheve, zyra të cilat të organizohen me varësi Rajonale.

- Për sistemin shëndetësor të mbetet i organizuar shërbimi spitalor shtetëror sipas rretheve (të ketë shtrirje të këtij shërbimi edhe në formën private), ndërsa Shërbimi i Shëndetit Publik, të organizohet sipas OQV me varësi teknike te Shëndeti Publik në rreth. Shërbimi i Shëndetit Publik në Rrethe të organizohet me varësi Rajonale.

- Në rrethe të funksionojë edhe Sistemi i Sigurimeve Shoqërore dhe ai Tatimor me varësi Rajonale.

- Në bazë rrethesh me varësi Rajonale të mbetet edhe organizimi i shërbimit të rendit (me të gjitha strukturat, përfshirë këtu edhe ato kufitare) etj.

Midis rretheve, krahas uljes së numrit ekzistues (aktual) të tyre, sipas nevojës së organizimit, mund të bëhen edhe ndryshime kufijsh, pakësim edhe shtim territoresh të caktuara.

Organizimi i territorit në nivelin e dytë, ose sipas qarqeve, duhet të përmirësohet si vijon:

- Nga 12 që është numri i qarqeve aktualisht në të gjithë vendin, të mbeten 6 (Dibër, Shkodër, Tiranë, Elbasan, Korçë dhe Vlorë) që do të organizohen mbi bazën e shtrirjes territoriale të qarqeve aktuale.

- Në qarqe duhet të pushojnë së vepruari strukturat: Këshillat e qarqeve, pasi aktualisht janë OQV të Nivelit të Dytë, që ushtrojnë kompetenca e funksione në territoret e Organeve të Qeverisjes Vendore të Nivelit të Parë (bashkitë dhe komunat), ose thënë ndryshe janë organe vendore pa territor.

Të gjitha shërbimet e organizuara në bazë qarku (Drejtoritë Rajonale të: Sigurimeve Shoqërore, Tatim-Taksave, Bujqësisë e Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Arsimit, Shërbimit Social Shtetëror etj.) me idenë që këto shërbime të organizohen në formën rajonale, nga ku do të varen të gjitha strukturat e këtyre shërbimeve sipas rretheve. Në qarqe, të ruhet një administratë e reduktuar e Prefektit (kjo për shkak të territorit tejet të hapur e të thyer që mbizotëron në vendin tonë), ku të realizojë funksione të reduktuara, krahasimisht me ato që kryejnë sot Prefektët e Qarqeve, funksione që do të konsistojnë në: ndjekjen e problemeve emergjente, të mbrojtjes nga zjarri, të shprehjes për bazueshmërinë ligjore të akteve të nxjerra nga OQV, të verifikimit dhe zgjidhjes së kërkesë-ankesave që do të bëhen nga komuniteti pranë strukturave të Organeve Qendrore të Pushtetit Qendror, të Rajoneve si dhe pranë administratës së Prefektit. Ky i fundit të emërohet dhe lirohet (shkarkohet) nga detyra me Vendim të Këshillit të Ministrave.

Organizimi i territorit në nivel Rajonal, ose Rajonalizimi i Vendit, të organizohet si vijon:

- Në Rajone të ngrihen dhe funksionojnë këshillat e Rajoneve, të cilët do të zgjidhen me votime të të gjithë komunitetit me të drejtë vote, mbi bazën e sistemit proporcional me korrektim rajonal.

- I gjithë territori i Shqipërisë të organizohet në 4 Rajone dhe konkretisht:

a) Rajoni i Veriut me territor të qarqeve aktuale Kukës, Dibër, Shkodër dhe Lezhë. Qendra e Rajonit të Veriut duhet të jetë në qytetin e Shkodrës.

b) Rajoni Qendror me territor të qarqeve aktuale Tiranë, Durrës dhe Elbasan. Rajoni Qendror është Rajoni më i madh i Vendit për nga numri i popullsisë dhe qendra e tij duhet të jetë në qytetin e Tiranës.

c) Rajoni Juglindor me territor të Qarqeve Korçë e Berat. Qendra e Rajonit Juglindor duhet të jetë qyteti i Korçës,

d) Rajoni Jugor me territor të qarqeve Fier, Gjirokastër dhe Vlorë. Qendra e Rajonit Jugor duhet të jetë qyteti i Vlorës. Midis rajoneve mund të bëhen edhe ndryshime në përfshirjen e rretheve, apo të Organeve të Qeverisjes Vendore (OQV) nga njëri rreth në tjetrin.

Këshillat e Rajoneve të kenë edhe funksionet që vijojnë:

- Të kryejnë studime dhe të përcaktojnë e miratojnë prioritetet e zhvillimit rajonal. Për këtë qëllim, të hartojnë e miratojnë plane e programe zhvillimi afatgjata e afatshkurtra.

- Të miratojnë treguesit vjetorë e me afat më të gjatë të buxhetit të të gjithë Rajonit. Në këtë kuadër të detajojnë dhe të miratojnë treguesit e përgjithshëm të buxhetit vjetor për të gjitha OQV, praktikë kjo që aktualisht realizohet me vendim të Kuvendit të Shqipërisë. Këshilli i Rajonit të detajojë e miratojë edhe fondet për dhënien e ndihmës ekonomike, praktikë që aktualisht realizohet nga Administrata e Përgjithshme e Shërbimit Social Shtetëror në bashkëpunim me strukturat respektive të Ministrisë së Financave.

Këshilli i Rajonit lidhur me hartimin dhe miratimin e treguesve të buxhetit rajonal të ketë të drejtën ligjore edhe të:

- Rishpërndarjes së buxhetit rajonal në përputhje me krijimin e fondeve të lira si rajon, apo të vëna në dispozicion gjatë vitit buxhetor nga Strukturat e Pushtetit Qendror Shtetëror, praktika që do të realizohen në përputhje me përcaktimin ose ripërcaktimin e përparësive të zhvillimit ekonomik të rajonit.

- Marrjes së huave financiare afatshkurtra nga rajone të tjera të vendit, si dhe të ndërmarrë nisma duke bashkëpunuar për këtë qëllim dhe me organizma të vendeve të huaja, përfshirë këtu edhe tregjet ndërkombëtare,

- Këshilli i Rajonit të miratojë edhe tregues të veçantë fiskalë, në shkallë rajoni, qarqesh dhe rrethesh, duke iu përmbajtur zhvillimit ekonomiko-social të këtyre njësive administrative mbi bazën e të cilëve ngrihet rajoni.

- Të hartojnë dhe miratojnë strukturat e të gjitha Institucioneve të rretheve dhe të Rajonit, si dhe të emërojnë e lirojnë/shkarkojnë nga detyra drejtuesit e këtyre institucioneve mbi bazën e propozimeve që do të bëhen nga Kryetari i Këshillit të Rajonit.

- Të hartojnë dhe miratojnë strukturën e administratës së Këshillit të Rajonit, që mendojmë të jetë si vijon:

1) Kryetari i Këshillit të Rajonit dhe Nënkryetari e Sekretari i tij, të cilët të emërohen në këto detyra me votim nga Këshilli i Rajonit me mesatare të cilësuar.

2) Drejtoria e Përgjithshme e Auditimit brenda së cilës të funksionojnë drejtori të veçanta auditimi me specialistë nga të gjithë fushat (financierë, inxhinierë të specialiteteve të ndryshme, juristë etj.). Nga ana e kësaj strukture të realizohet auditimi i të gjithë aktivitetit financiar të institucioneve dhe OQV në të gjithë Rajonin, me përjashtim të atyre institucioneve që do të përjashtohen me ligj nga kjo rregullshmëri.

3) Drejtoria e Financës.

4) Drejtoria e Pushtetit Vendor dhe e Territorit, me specialistë të ekonomisë, bujqësisë, energjetikës, minierave, mjedisit, mjekësisë, shërbimit pyjor, nëpunës social, etj.

5) Drejtoria e Emergjencave Civile dhe e Situatave të Veçanta. Pranë Këshillit të Rajonit, për problemet që mund të lindin nga situata emergjente, të ngrihet një park i fuqishëm me mjete motorike të të gjitha llojeve që nevojiten për eliminimin e këtyre situatave.

6) Drejtoria e Programimit dhe e Koordinimit.

7) Drejtoria e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin me Sektorët e saj në të gjitha rrethet e Rajonit.

8) Drejtoria e Burimeve Njerëzore dhe e Shërbimeve të Brendshme. Kjo drejtori, krahas funksioneve të tjera, të depozitojë në ruajtje të gjitha dokumentet personale të drejtuesve të Institucioneve në rrethe dhe në shkallë Rajoni, që emërohen dhe lirohen/shkarkohen nga detyra nga Këshilli i Rajonit e Kryetari i tij.

Në shkallë rajoni, të ngrihen dhe funksionojnë edhe institucionet që vijojnë:

1) Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit dhe Shkencës, me varësi tekniko-profesionale nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

2) Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Shëndetësor, me varësi tekniko-profesionale nga Ministria e Shëndetësisë.

3) Drejtoria e Përgjithshme Tatim-Taksave, me varësi tekniko-profesionale nga Ministria e Financave.

4) Drejtoria e Përgjithshme e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, me varësi tekniko-profesionale nga Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.

5) Drejtoria e Përgjithshme e Sigurimeve Shoqërore, me varësi tekniko-profesionale nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore.

6) Drejtoria e Përgjithshme e Bordit të Kullimit dhe Menaxhimit të Ujërave, me varësi tekniko-profesionale nga Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave.

7) Drejtoria e Shërbimit Social-Shtetëror, me varësi tekniko-profesionale nga Administrata e Përgjithshme e Shërbimit Social- Shtetëror.

8) Drejtoria e Shërbimit Pyjor, me varësi tekniko-profesionale nga Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave.

9) Drejtoria e Punësimit me Zyrat e Saj në Rrethe, me varësi tekniko-profesionale nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.

Në shkallë Rajoni të ngrihen dhe funksionojnë me varësi qendrore edhe institucionet e Shërbimet si vijon:

1) Drejtoria e Policisë me Komisariatet në rrethe.

2) Gjykatat e Apelit dhe Prokuroritë e Nivelit të Dytë.

3) Strukturat e Shërbimit Informativ Rajonal.

Për sa më sipër, arrijmë në përfundimin: organizimit të territorit të vendit me njësi administrative territoriale (rajonalizimit të vendit), duhet t‘i paraprihet me hartimin e legjislacionit respektiv, mbi bazën e të cilit të hartohet dhe përmirësohet edhe legjislacioni për zhvillimin/funksionimin e aktivitete të tjera të të gjitha pushteteve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›