Bello: Skandali në ambasada, s‘ka reagim
Deputeti socialist, Marko Bello, iu rikthye dje denoncimeve të emisionit "Fiks Fare" për abuzimet në ambasadat tona jashtë vendit. "Partia Socialiste reagoi menjëherë ndaj këtij skandali, duke i kërkuar ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, të marrë masa të menjëhershme për të përmirësuar gjendjen, si dhe i kërkoi prokurorisë të fillojë hetimin kryesisht ndaj punonjësve të përfshirë në akte korrupsioni dhe abuzimi me detyrën", tha Bello. Ne, vijoi ai, servirëm dokumente zyrtare, të lëshuara nga konsullata jonë në Athinë, të cilat vërtetojnë dyshimet se militantët e PD që kanë veshur kostumin e konsullit, nuk janë mjaftuar vetëm me ryshfetet që bashkatdhetarët tanë detyrohen t‘ua japin këtyre të pangopurve për një shërbim të rëndomtë. "Këto nuk janë akuza politike, por fakte reale, të filmuara dhe transmetuara nga media, e cila tregon qartë fytyrën e vërtetë të kësaj mazhorance", u shpreh Bello. Ka një mungesë të theksuar, tha ai, ose një neglizhencë të qëllimshme të instrumenteve të verifikimit të personelit diplomatik e teknik, si të mekanizmave të përgjegjësisë në procesin e seleksionimit dhe emërimit të tyre. Bello këmbënguli në faktin se Ministria e Jashtme ka 3 vjet që nuk kontrollohet nga KLSH. "Gjejmë rastin t‘i bëjmë thirrje këtij institucioni kushtetues të fillojë urgjentisht kontrollin për t‘u dhënë fund shkeljeve ligjore dhe dëmeve të mundshme financiare", nënvizoi Bello.