Xhani: Nuk ka bojkot, por stërvitje

Kjo është përshtypja që të lënë zhvillimet e fundit në kampin e kuq, ku “në rresht për një”, të gjithë futbollistët janë paraqitur dje në seancën e parë stërvitore për vitin 2009.
Në krye të tyre ishte trajneri Shpëtim Duro, i cili, edhe pse është shfaqur përpara gazetarëve të shumtë me një fytyrë të zymtë, ka tentuar të demonstrojë garanci në fjalët e tij.
Gjithsesi prononcimin e tij e ka nisur me një batutë jo shumë optimiste. “Viti është i ri, por Partizani është ai i vjetri. Kam pasur kontakte telefonike me presidentin (Xhani), i cili na ka dhënë garanci për aspektin financiar, pra që problemet do të zgjidhen”, theksoi Duro.
Premtimi është bërë nëpërmjet një telefonate nga Greqia, ku presidenti Xhani, sipas trajnerit, është i impenjuar me punët e bizneseve të tij. Duro nuk dha ndonjë afat për shlyerjen e parave të prapambetura. Sipas asaj që kanë bërë të ditur lojtarët në ditët e kaluara, tashmë janë mbushur tetë muaj pa u paguar.
Të pranishëm në ambientet e kompleksit sportiv “Partizani” ishin edhe disa nga drejtuesit e tjerë të klubit, si Bujar Labinoti apo Genc Tomorri. Ndërsa një numër i vogël tifozësh kishin mbërritur për të shuar kuriozitetin se çfarë do të ndodhte me klubin e tyre të zemrës dhe që më pas ndoqën seancën e parë stërvitore.
Por edhe pse janë të shumtë futbollistët të cilët mendojnë largimin për shkak të problemeve financiare që po vuan prej muajsh klubi i Partizanit, interesant është fakti se ata janë të pranishëm në merkato. Madje që dje kanë filluar me afrimet e para. Një fytyrë e re kishte zbritur dje në fushën stërvitore. Ai ishte qendërmbrojtësi Arian Sheta, një “ish” i të kuqve, i cili vetëm pak javë më parë ishte larguar nga Elbasani për t’u kthyer sërish te të kuqtë.
“Jam i kënaqur që u ktheva, u shpreh qendërmbrojtësi, Elbasani është kapitull i mbyllur dhe do të bëj gjithçka që Partizani të ngjitet sa më lart në tabelë. Paratë? Besoj se presidenti do të paguajë”. Trajneri Duro pret që ekipit të tij t’i bashkohen shumë shpejt edhe lojtarët e tjerë të Elbasanit, Skerdi Bejzade, Ardit Beqiri dhe Egert Bakalli. Edhe dy të parët janë një njohje e vjetër e të kuqve, pasi kanë qenë pjesë e Partizanit në edicionet e kaluara. Madje Beqiri ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit të kësaj skuadre.
“Për mua si trajner është e rëndësishme që të vijnë lojtarët për të cilët kemi folur me presidentin, sqaroi trajneri, Sheta erdhi dhe besoj se do të vijnë edhe Bejzade, Beqiri apo Bakalli. Shpresojmë që të kemi një fazë të dytë më të mirë. Pavarësisht problemeve, them se fitorja ndaj Partizanit e ka lehtësuar ekipin në aspektin psikologjik”.
AC_FL_RunContent( 'codebase','http://download.macromedia.com/pub/shockwave/cabs/flash/swflash.cab#version=9,0,28,0','width','580','height','99','src','flash/banner','quality','high','pluginspage','http://www.adobe.com/shockwave/download/download.cgi?P1_Prod_Version=ShockwaveFlash','movie','flash/banner' ); //end AC code