E Diel, 1 Nëntor 2026

Ronaldo: “Nëse nuk fitojmë në Shqipëri, nuk e meritojmë të jemi në Botëror”

Mutinjo: “Kemi përballë një kundërshtar që di të mbrohet mjaft mirë”. Obido: “I kemi parasysh vështirësitë në Tiranë, por shpresojmë te suksesi”

Dash Frashëri -Portugalia ka nevojë urgjente për një fitore në Tiranë për të mbajtur gjallë shpresat për një kualifikim të mundshëm në Kupën e Botës 2010. Këtë e kanë të qartë edhe vetë lojtarët, të cilët janë shprehur entuziastë në deklaratat e tyre. Kristiano Ronaldo ende nuk është mësuar me presionin që po përjeton përfaqësuesja e tij, vetëm pesë ditë nga përballja me Shqipërinë. Portugalia duhet të fitojë që të vazhdojë luftën për një vend në Kupën e Botës 2010. Për kapitenin e Portugalisë, është koha që ekipi të tregojë vlerën e tij, të konsideruar si “ekipi më i mirë i grupit”. Humbja në finalen e Ligës së Kampioneve tani është kaluar, edhe pse Kristiano ende ndjen keqardhje për të. “Tani ne duhet të fitojmë në Shqipëri dhe pastaj të mendojmë për pushimet”, - thotë Ronaldo. Kapiteni i Portugalisë parashikon të përballet me vështirësitë në Tiranë, por nga ana tjetër e peshores janë “shpresat” për një fitore. “Ne e dimë, se ne nëse nuk fitojmë në Tiranë, nuk e meritojmë të shkojmë në Botëror”, - tha fituesi në fuqi i “Topit të artë”. “Të jetojmë nën presion është pjesë e futbollit. Portugalia është ekipi më i mirë në grup, edhe pse ende nuk e kemi treguar atë”, - theksoi anësori i Mançester Junaitid.

MUTINJO
Kapiteni i Sportingut Zhoao Mutinjo, e ka të freskët kujtesën në lidhje me atë barazim të bardhë e dramatik në Braga kundër Shqipërisë. Me vetëm gjashtë pikë të grumbulluara në pesë ndeshje, situata është mjaft e komplikuar në kampin portugez. “Ne duhet të gjejmë mjetin e duhur për të mposhtur një kundërshtar që di të mbrohen mjaft mirë”, - tha Mutinjo. Receta është gjithmonë e njëjta, të shënohet sa më shumë gola, një detyrë jo e lehtë, por e domosdoshme për formacionin portugez, në kërkim të kualifikimit për Kampionatin Botëror të Afrikës së Jugut.

OBIDO
Obido është një tjetër lojtar i grumbulluar në ndeshjen kundër Shqipërisë. Portugezi nuk dëshiron aspak të jetë ana e pesimistëve, edhe pse e di shkallën e vështirësisë së ndeshjes. “Ekipi është i bindur, kjo për shkak të vlerave që ka. Natyrshëm, që i kemi parasysh vështirësitë, por ne shpresojmë shumë te suksesi, për më tepër që dhe kualifikimi është i mundshëm nga ana matematikore”, - theksoi një nga katër portierët e thirrur nga Karlos Kuerioz. Të njëjtin mendim ndan dhe Eduardo, i cili luajti edhe në barazimin 0-0 kundër Suedisë, ndeshja e fundit e Portugalisë. Portieri i Sportingut, nuk e fshehu që e ndjen rivalitetin me tre kolegët e tij: “Secili nga ne dëshiron të luajë, por unë do të vazhdoj të bëj punën time”. Stërvitja e parë e Portugalisë u krye vetëm të hënën, por jo të gjithë ishin të pranishëm. Nani e Kristiano Ronaldo u bashkuan të hënën me grupin.

Deko: “Një ndeshje e komplikuar”

Deko është një nga lojtarët jo shumë të përdorur nga trajneri Gus Hidink në ndeshjet e fundit të Çelsit, por portugezi kërkon t’i sigurojë të vetët se është gati të ndihmojë ekipin për të fituar në Tiranë, më 6 qershor. “Unë do të bëj më të mirën, ju garantoj për këtë. Jam gati ta ndihmoj ekipin të fitojë. Duhet të luajmë mirë, pasi në Tiranë, ekipi ynë nuk duhet të dështojë. Do të jetë një ndeshje e vështirë, shumë e komplikuar, veçanërisht për faktin se ata luajnë në shtëpinë e tyre. Ne e dimë që nuk do të jetë e lehtë. Por, ne jemi të vetëdijshëm se kjo është një ndeshje që duhet fituar, dhe unë besoj se i kemi shanset. Shpirtërisht ne besojmë”, - tha fantazisti Deko. Media portugeze kujton faktin, se në ndeshjen e parë kundër Shqipërisë, në Braga, ekipi Kombëtar luzitan nuk shkoi më shumë se një barazim pa gola. “Ne duhet të vazhdojmë të luajmë mirë e të shënojmë gola. Ne do të përpiqemi të mos dështojmë, ne duhet të përmirësohemi dhe të përpiqemi të shënojmë. Kam qenë i dëmtuar, por tani jam stërvitur dhe besoj se nuk do të kem probleme. Jam gati të ndihmoj, ndoshta nuk do të jem deciziv, por do të përpiqem të bëj më të mirën, ashtu siç kam bërë gjithmonë”, - shtoi Deko.

Kuieroz: “Tri pikë, me çdo çmim”

Trajneri i Portugalisë, Karlos Kueiroz, thirri katër portierë për ndeshjen me Shqipërinë (zyrtare, 6 qershor) dhe Estoninë (miqësore, 10 qershor), por njeriu që do të qëndrojë midis tri shtyllave kundër kuqezinjve tanë, është Eduardo. Të paktën, këtë konfirmon media luzitane, që pa dyshim u referohet burimeve të afërta me trajnerin e përfaqësueses së tyre. Në lidhje me faktin se ai ka thirrur më shumë portierë se zakonisht, kishte të bënte me dyshimet që i ai kishte rreth titullarit që do të mbronte portën, Kueiroz tha për faqen portugeze Desporto.pt:“Dyshimet mund të ekzistojnë në mendjen e disa njerëzve. Unë e di qysh tani se kush do të mbrojë portën tonë, ai është Eduardo”. Kuierioz, madje shtoi se të gjithë ata që dyshojnë në faktin se ai ka thirrur si Eduardon, Beton, Obidon e Morreirën, “nuk janë gjë tjetër vetëm sa budallenj ose si ca gomerë të tjerë”.
Kuierioz ndihet jo pak i shqetësuar në prag të takimit me Shqipërinë, një përplasje që tejkalon përmasat e një ndeshjeje të vetme. Sipas Kuieroz, ndeshja është shumë e rëndësishme, që mund të jetë, më shumë se e vështirë sesa e parashikojnë disa, kjo edhe për shkak të ndryshmit të trajnerit nga ana e Shqipërisë. “Ata kanë lojtarë të mirë dhe me eksperiencë ndërkombëtare dhe do të jenë shumë të motivuar, kjo dhe për shkak të ndryshimit të trajnerit”, - tha Kueiroz, duke shtuar se “me aftësinë tonë dhe me lojtarët e mirë që kemi , do të sjellim patjetër tri pikë nga Tirana”. “Ne jemi të sigurt se ne kemi në ekip lojtarët e duhur për ta fituar takimin. Duhet të tregohemi të qetë dhe të kemi besim te grupi, për më tepër që jemi ne që luajmë futbollin më të bukur. Ne pamë ndeshjen e tyre kundër Milanit, por është e vështirë të parashikojmë se çfarë mendon trajneri i tyre i ri. Një gjë është e rëndësishme, Shqipëria ka lojtarë të mirë. Lojtarët e tyre do të jenë shumë të motivuar”, - theksoi Kuieroz.

Dani

Mesfushori me tipare sulmuese, Danny, do të mungojë ndaj Shqipërisë për shkak të një dëmtimi në gju: “Është një moment i vështirë, si për mua dhe për ekipin kombëtar. Më vjen keq që nuk mund të jap ndihmesën time, por besoj shumë se kolegët e mi do të shkojnë në Shqipëri me dëshirën për të fituar”

Boa Morte

Sulmuesi i Uest Hamit, Luis Boa Morte: “Jemi të ndërgjegjshëm se në Shqipëri na pret një ndeshje mjaft e vështirë. Duke nisur që nga kjo ndeshje, ne na duhen vetëm fitore në rast se duam që të shkojmë në Botërorin ‘Afrikë e Jugut 2010’. Kam parë ndeshjet e fundit të Kombëtares dhe kemi pasur probleme në sulm”

Oliveira

Për zëvendëstrajnerin e Portugalisë, Oliveira, Kristiano Ronaldo do të jetë deciziv në ndeshjen ndaj Shqipërisë. “Kristiano vjen nga një humbje shokuese, por mos harroni se ai është lojtari më i mirë në botë dhe unë besoj se këtë gjë do ta tregojë me fanellën e përfaqësueses ndaj Shqipërisë”

Kombëtarja portugeze
Portierë: Beto (Leixoes SC), Daniel Fernandes (VFL Bochum), Eduardo (SC Braga), Moreira (SL Benfica)
Mbrojtës: Bosingëa (Chelsea FC), Bruno Alves (FC Porto), Gonçalo Brandao (AC Siena), Jose Castro (Deportivo), Miguel (Valencia CF), Pepe (Real Madrid), Ricardo Carvalho (Chelsea FC), Rolando (FC Porto)
Mesfushorë: Deco (Chelsea FC), Duda (Malaga CF), Eliseu (Malaga CF), Joao Moutinho (Sporting CP), Raul Meireles (FC Porto), Tiago (Juventus FC)
Sulmues: Boa Morte (Uest Ham), Cristiano Ronaldo (Manchester Utd), Edinho (AEK), Hugo Almeida (Verder Bremen), Nani (Manchester Utd), Simao Sabrosa (Atlético Madrid)
Trajner: Carlos Queiroz

Përballjet me Portugalinë

09.10.1996, Tiranë (KB)
Shqipëri-Portugali 0-3
07.06.1997, Porto (KB)
Portugali-Shqipëri 2-0
11.10.2003, Lisbonë (M)
Portugali-Shqipëri 5-3
15.10.2008, Braga (KB)
Portugali-Shqipëri 0-0

Grupi 1
Ndeshjet dhe renditja

Hungari-Danimarkë 0-0
Maltë-Portugali 0-4
Shqipëri-Suedi 0-0
Suedi-Hungari 2-0
Shqipëri-Maltë 3-0
Portugali-Danimarkë 2-3
Hungari-Shqipëri 2-0
Danimarkë-Maltë 3-0
Suedi-Portugali 0-0
Maltë-Hungari 0-1
Portugali-Shqipëri 0-0
Maltë-Shqipëri 0-0
Maltë-Danimarkë 0-3
Shqipëri-Hungari 0-1
Portugali-Suedi 0-0
Hungari-Maltë 3-0
Danimarkë-Shqipëri 3-0
06.06.2009
20:00 Suedi-Danimarkë
20:45 Shqipëri-Portugali
10.06.2009
19:00 Suedi-Maltë
05.09.2009
Danimarkë-Portugali
Hungari-Suedi
09.09.2009
Hungari-Portugali
Shqipëri-Danimarkë
Maltë-Suedi
10.10.2009
Danimarkë-Suedi
Portugali-Hungari
14.10.2009
Portugali-Maltë
Suedi-Shqipëri
Danimarkë-Hungari

Ekipi ND F B H GSH GP P
Danimarka 5 4 1 0 12 2 13
Hungaria 6 4 1 1 8 2 13
Portugalia 5 1 3 1 6 3 6
Suedia 4 1 3 0 2 1 6
Shqipëria 7 1 3 3 3 6 6
Malta 7 0 1 6 0 17 1

2 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›