Xhaxhai i Aleks Nikës: U qëllua pabesisht, dënim vrasësit
Pak kohë para varrimit të nipit të tij, Mark Nika ka kërkuar dënimin e personit që vrau Aleksin në demonstratën e 21 janarit. Mark Nika ka shprehur besimin e plotë se organi i akuzës do të gjejë autorët e krimit, ndërsa apelon që ligji të dënojë personin që ka urdhëruar vrasjen e Aleksit dhe personin që ka shkrehur armën. “Gjej rastin t’u shpreh mirënjohjen mijëra të pranishmëve në ceremoninë mortore të Aleksit dhe mijëra shqiptarëve, që na kanë qëndruar pranë në këtë ditë të dhimbshme për familjen tonë, ku nuk na kanë munguar ngushëllimet nga shqiptarët, brenda dhe jashtë vendit. Aleksi në momentin e plagosjes ka qenë në afërsi të Kullave Binjake, përballë Kryeministrisë, së bashku me protestues të tjetër nga Lezha. Ai është qëlluar në mënyrë të pabesë dhe nga një dorë kriminale. Aleksi nuk i kishte borxh askujt, ai nuk sulmoi as Qeverinë dhe as godinën qeveritare. Ai ishte një djalë i qetë dhe pa probleme”, - tha xhaxhai i tij, duke shprehur dhimbjen për ngjarjen e ndodhur. Ai ka akuzuar se vrasja e të nipit është kryer në mënyrë selektive, në mesin e protestuesve dhe kjo e bën dhimbjen e tyre më të rëndë. “Kemi të gjitha arsyet për të besuar se vrasja ka qenë e qëllimshme dhe selektive. Megjithatë, mes kësaj dhimbjeje, kemi durimin të presim hetimet e prokurorisë, për të nxjerrë të vërtetën. Kërkojmë që hetimi të bëhet shpejt dhe me objektivitet dhe personat përgjegjës që i morën jetën padrejtësisht Aleksit, të dënohen sipas ligjit” - ka përfunduar Mark Nika. Më pas, qindra qytetarë janë bashkuar dje në Grykë Manati të Lezhës, për t’i dhënë lamtumirën viktimës së fundit të demonstratës së 21 janarit. Trupi tij u kthye të dielën nga Turqia dhe dje është kryer edhe riti i varrimit. Në ceremoninë e varrimit ka marrë pjesë edhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, si dhe i gjithë grupi parlamentar i kësaj partie. Teksa ka hyrë në dhomën ku qëndronte arkëmorti, kryesocialisti nuk i ka shpëtuar dëshpërimit të familjarëve të Aleksit. Njëri prej tyre ka hedhur një shami të bardhë në drejtim të Ramës, si shenjë refuzimi për praninë e tij në ceremoninë mortore. Me qindra të afërm dhe miq janë mbledhur pranë shtëpisë së Aleks Nikës, familja e të cilit banon në fshatin Grykë Manati, komuna Kolsh e rrethit të Lezhës. Aleks Nika ishte babai i dy fëmijëve, dy vajza të mitura dhe prej vitesh kishte qenë emigrant. Më 21 janar, ai ishte në demonstratën e opozitës, ku mbeten të vrarë edhe tre demonstrues të tjerë. Pas plagosjes në kokë, Aleks Nika u dërgua me urgjencë në Spitalin Ushtarak, por për shkak të gjendjes së rëndë, ai u dërgua në Turqi.