Prokuroria, hetim 3 dëshmive për pagesa më 21 Janar
Tiranë- Pagesat për demonstruesit e 21 Janarit, pjesë e debatit politik rreth kësaj ngjarjeje kanë kaluar tashmë në proces verifikimi nga organi i akuzës. Gjatë këtyre ditëve, Policia e Tiranës i ka referuar Prokurorisë dëshmitë e tre demonstruesve të arrestuar për ushtrim dhune, të cilët kanë pranuar se kanë marrë para për të qenë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” më 21 Janar. Jetmir Prenga, një nga personazhet e shfaqura edhe në pamjet filmike, duke qëlluar në drejtim të punonjësve të policisë, ka deklaruar në ambientet e paraburgimit se persona të panjohur e kanë paguar për të qenë pjesë e demonstratës së 21 janarit. I arrestuar në banesën e tij në Lezhë, në fillim të këtij muaji, Prenga, që tashmë ndodhet në qeli, ka pranuar të rrëfehet rreth pjesëmarrjes së tij në demonstratë, por duke refuzuar të ketë marrë urdhër për të qëlluar. “Një person nga Laçi, të cilin unë nuk e njoh, më ka ofruar 10 mijë lekë të reja dhe më ka kërkuar të marr pjesë në protestë” - ka deklaruar në polici Prenga, i cili ka shtuar se nuk kishte asnjë njohje të mëparshme me personin që i ka ofruar 10 mijë lekë. I arrestuari ka pranuar se paratë ishin e vetmja arsye, përse ai ndodhej në bulevardin përpara Kryeministrisë, mesditën e 21 janarit. I pyetur për dhunën e ushtruar ndaj punonjësve të policisë dhe goditjet ndaj institucionit të Kryeministrisë, i arrestuari ka pranuar se gjithçka e ka bërë vetë, pasi askush nuk ia ka kërkuar këtë gjë. Dosja në ngarkim të Prengës, i cili është evidentuar nga policia si një nga demonstruesit më të dhunshëm, tashmë i ka kaluar Prokurorisë së Tiranës, e cila po heton të arrestuarin për “kundërshtim me dhunë të punonjësve të policisë” dhe “shkatërrim prone”. Thuajse të njëjtën deklaratë kanë dhënë para oficerëve të policisë edhe dy të rinj nga malësia e Mbishkodrës, të arrestuar menjëherë pas përfundimit të demonstratës së 21-janarit. Dy të rinjtë kanë pohuar në ambientet e komisariatit nr. 2 në Tiranë se ishin paguar për të qëndruar katër ditë në demonstratë, përpara Kryeministrisë. Sipas tyre, pagesa për çdo ditë ishte rreth 5 mijë lekë të reja, ndërsa paratë atyre ju janë dhënë nga persona të panjohur. Njëlloj si i arrestuari Prenga, dy të rinjtë kanë pohuar se për asnjë moment atyre nuk iu ishte kërkuar të ushtronin dhunë mbi punonjësit e policisë, apo Kryeministrisë. Nga ana tjetër, është bërë publik edhe një qëndrim i Partisë Socialiste, sipas së cilës demonstruesit janë detyruar të firmosin procesverbalet, në kushtet e presionit nga policia. Të gjitha këto pretendime, Prokuroria e Tiranës i ka futur në dosje, si pjesë e hetimit për demonstratën e 21 Janarit, ku humbën jetën 4 qytetarë dhe u plagosën dhjetra punonjës policie. Aktualisht, sipas prokurorisë janë nën hetim rreth 150 persona, të evidentuar si pjesëmarrës aktivë në demonstratën e 21 janarit, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Pjesa më e madhe e tyre po hetohen në gjendje të lirë, ndërsa një pjesë fare e vogël ka mbetur në burg, me vendim gjykate. Jetmir Prenga dhe Gjin Ndreu, personi i filmuar me pistoletë në radhët e demonstruesve, sipas gjykatës, do të qëndrojnë në qeli deri të përfundim të hetimeve të nisura ndaj tyre.