E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekspertiza, “zhduket” një automatik MP5 i Gardës

SHKRUAN: Leonard Bakillari 08-02-2011 10:34

Tiranë- “Zhduket” një prej armëve me të cilën është hapur zjarr në demonstratën e 21 Janarit. Një automatik model “MP5”, i marrë në dorëzim para demonstratës nga një prej efektivave të Gardës, i identifikuar tashmë nga prokuroria, nuk i është nënshtruar ende ekspertizës balistike. Burime të rezervuara pranë organit të akuzës bëjnë me dije se kjo armë, e kërkuar në mënyrë të vazhdueshme nga hetuesit e çështjes, nuk është vënë në dispozicion të hetimit nga ana e Gardës së Republikës. Pas sekuestrimit të planit operacional dhe librave të shërbimit të Gardës për demonstratën e 21 janarit, Prokuroria ka kërkuar vënien në dispozicion të armëve që janë tërhequr nga efektivët, ditën e ngjarjes. Në bazë të planifikimit të shërbimit, rezulton se të paktën 50 gardistë, kanë qenë të vendosur në pjesën veriore të Kryeministrisë, ndërsa kanë qenë të pajisur me automatikë model “MP5”, të cilët përdorin predha të kalibrit 9 mm. Fillimisht, organi i akuzës ka kërkuar tërheqjen e të paktën 50 automatikëve të tillë, por sipas burimeve mësohet se Garda ka vënë në dispozicion vetëm 49 armë, duke hedhur kështu dyshime për fshehjen e njërës prej tyre. Ende nuk ka një përgjigje zyrtare nga ana e Gardës, për mosvënien në dispozicion të kësaj arme, e cila sipas akuzës mund të jetë një nga automatikët që ka qëlluar pasditen e 21 janarit. Këto dyshime të prokurorisë hidhen pas analizimit të një sërë të dhënash që disponojnë pas sekuestrimit të dokumenteve në Gardë. Prova e parë ka të bëjë me planifikimin e shërbimit në pjesën veriore të kryeministrisë, për gardistin që dispononte këtë armë. Duke qenë se nga hetimet e deritanishme rezulton se plumbat që morën jetën e katër qytetarëve dhe plagosën 7 të tjerë, kanë ardhur nga ky drejtim, organi i akuzës, me të drejtë ka ngritur dyshimin se kjo armë është fshehur qëllimisht nga Garda e Republikës. Sipas hetimeve rezulton se vdekja e katër demonstruesve ka ardhur nga dy armë të ndryshme, në përdorim të Gardës së Republikës. Deri tani është bërë i mundur zbulimi i një prej armëve, me të cilën dyshohet se është qëlluar Ziver Veizi, i cili humbi jetën vetëm disa metra larg portës nr. 1 të Kryeministrisë. Ndërsa arma e dytë, që dyshohet se ka shkaktuar vdekjen e Hekuran Dedës, Faik Myrtajt dhe Aleks Nikajt, nuk është identifikuar ende nga Prokuroria, edhe pse Instituti i Policisë Shkencore ka kryer ekspertiza balistike të 49 armëve të dërguara nga prokuroria. Në këtë situatë, organi i akuzës i ka rikërkuar edhe një herë Gardës së Republikës vënien në dispozicion të kësaj arme, por aktualisht nuk dihet përgjigjja e këtij institucioni dhe arsyeja përse ky automatik nuk është vënë në dispozicion të Laboratorit Kriminalistik, së bashku me të tjerat. Sipas akuzës, paralelisht me këtë kërkesë, Gardës së Republikës i është kërkuar të vërë në dispozicion të hetimit edhe armët e tjerë të tërhequra nga efektivët e Gardës, të cilat janë model “AK47”, ose të quajtura ndryshe kallashnikovë. Gjithashtu, Prokuroria ka kërkuar të marrë në pyetje gardistët e plagosur, të cilët sipas akt-ekspertimeve respektive, rezulton se janë dëmtuar nga sende të forta në demonstratën e 21 janarit. Edhe kjo kërkesë momentalisht ka mbetur pezull, pasi që prej datës 22 janar, organi i akuzës ka lëshuar 6 urdhër-ndalime ndaj drejtuesve dhe komandantëve të dy njësive kryesore të Gardës së Republikës, vendime këto që ende nuk janë ekzekutuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›