E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xheims Belushi merr nënshtetësinë shqiptare

Tashmë jo vetëm amerikan. Aktori, komediani dhe muzikanti i njohur Xhejms Belushi, mjaft i njohur përmes Televizionit Klan, në serialin “Jeta sipas Xhimit”, është edhe nënshtetas shqiptar. Pas titullit “Nderi i Kombit” dorëzuar nga Presidenti i Republikës një vit më parë, kjo është dhurata e dytë për aktorin me origjinë shqiptare, akorduar në një ceremonial Gala ku merrnin pjesë personalitete të njohur në vend.
Bamir Topi Presidenti i Republikës
“Nuk e kam parë ndonjëherë kaq të emocionuar zotin Belushi sa sonte. Në këtë botë globale ka njerëz që e lënë nënshtetësinë shqiptare, dhe kjo më shoqëron me një lloj hidhërimi, por ka edhe njerëz që e kërkojnë nënshtetësinë. Kjo më shoqëron me një gëzim, me një gëzim të pamasë. Dhe veçanërisht kur këtë e kërkon me dëshirën e tij zoti Xhejms Belushi nuk ka sesi të mos shoqërohet edhe me këtë gëzim të bërë sonte publik.”
Dhe akti zyrtar i dhënies së nënshtetësisë, një gjest që e ka emocionuar thellë aktorin e njohur.
James Belushi
“Jam me të vërtetë i lumtur që jam sonte këtu me ju! Gjithmonë e them që unë jam shqiptar, por sot jam me të vërtetë shqiptar! Jam shumë i lumtur për këtë gjë! Sa herë që takohem me Presidentin e Republikës, ai gjithmonë më nderon me ndonjë dhuratë shumë të bukur nga ky vend i mrekullueshëm. Sonte më është rezervuar një dhuratë tepër e veçantë dhe tani që jam zyrtarisht shqiptar, dhe ajo që e bën zyrtare nuk është thjesht kjo ceremoni, por këtë vit do të paguaj edhe taksat këtu. Ngahera kam kuptuar që Shqipëria ishte pikërisht vendi ku unë ndihesha më mirë se kudo tjetër. Dhe ky udhëtim ma ka vërtetuar që unë i përkas këtij vendi. Kam miq këtu, kam një sipërmarrje, kam një ortak të ri, dhe kam një mik të madh si Presidenti Topi. Kështu që ju falemnderit shumë!”
Por, një arsye e ardhjes së Xheims Belushit këtë herë në Tiranë janë edhe projektet e tij. E pikërisht në këtë mbrëmje, protagonist Belushi, u prezantua si imazhi shëtitës në Shqipëri i Eagle Mobile.
Ali TAKIN Drejtori i Përgjithshëm i Eagle Mobile
“Ne festojmë tre ngjarje në këtë mbrëmje. Urimet e para shkojnë për mikun tonë Xhejms Belushi. Ne festojmë marrjen e nënshtetësisë së tij, që do të thotë se do ta shohim shumë më shpesh në Shqipëri dhe e treta, Xhejms Belushi është fytyra e Eagle Mobile për popullin shqiptar, kur sot kjo kompani ka më shumë se më shumë se 1 milion abonentë. Imazhi i tij do të jetë edhe shtysë më shumë për fushatën tonë publicitare në ndihmë të atyre që kanë nevojë”
Dhe tashmë përveç Amerikës, Xhejms Belushi ka edhe një atdhe të dytë, Shqipërinë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›