E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhekson i shton edhe 9 koncerte turneut



Ylli i muzikës pop, Majkëll Xhekson, i ka shtuar edhe nëntë koncerte listës së turneut që do të mbahet në arenën “O2” të Londrës, pasi më shumë se një milion fansa kanë blerë biletat për të dëgjuar këngëtarin. Krijuesi i hitit “Thriller” ka njoftuar rikthimin e tij në skenë javën e kaluar në një konferencë shtypi në kryeqytetin britanik, duke paralajmëruar 10 koncerte për muajin korrik. Më shumë se një milion fansa u regjistruan për të blerë bileta për 10 daljet e tij në skenën që mban 20 mijë njerëz. Dhe sipas disa mediave angleze, këngëtari ka shtuar numrin edhe për nëntë koncerte të tjera, që pritet të shtohen. Koncertet do të fillojnë më 8 korrik dhe do të përfundojnë më 24 gusht. Xhekson nuk ka dalë në skenë që nga viti 2001 dhe ka bërë të ditur se këto koncerte në Londër do të shënojnë fundin e karrierës së tij.

12 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›