Nuk jepen detaje për takimin e OKB-së për Kosovën
Këshilli i Sigurimit të OKB-së do të mblidhet më 23 mars që të diskutojë për Kosovën, megjithatë asnjë detaj nuk është bërë i ditur rreth këtij takimi. Zyrtarët e OKB-së nuk kanë pranuar të prononcohen me arsyetimin se po presin publikimin e raportit për Kosovën. Megjithatë, ende nuk është e qartë nëse në këtë mbledhje do të diskutohet edhe raporti për punën e misionit të EULEX-it, i cili në Kosovë është vendosur mbi bazën e Rezolutës 1244. Zyrtarët e UNMIK-ut kanë theksuar se shefi i këtij misioni në Kosovë, Lamberto Zanier, do të flasë para Këshillit të Sigurimit për procesin e rikonfigurimit të pranisë civile ndërkombëtare në Kosovë. Në raport është përfshirë edhe plani gjashtë pikësh për të cilin Prishtina zyrtare as që ka pranuar të flasë, ndonëse për këtë ka insistuar Lamberto Zanieri.
GNK, pro përfaqësuesit ndërkombëtar për Bosnjën
Organizata Ndërkombëtare e Krizave është shprehur kundër mbylljes së zyrës së përfaqësuesit ndërkombëtar për Bosnjën. Sipas saj, një vendim i tillë në këtë periudhë do të rrezikonte stabilitetin në këtë vend. GNK mirëpret hapin për të mbyllur statusin e protektoratit ndërkombëtar për Bosnjën, por thotë se për momentin është gabim të kryhet ky tranzicion. Krerët e Bosnjës sipas GNK-së, po e sfidojnë Marrëveshjen e Dejtonit për Paqe në Bosnjë.
Komuniteti ndërkombëtar i ka dhënë përfaqësuesit ndërkombëtar autoritetin të imponojë ligje dhe të heqë nga posti zyrtarë të zgjedhur. Këshilli Ndërkombëtar për Vendosjen e Paqes, i cili mbikëqyr zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit për Paqe, emëron përfaqësuesin ndërkombëtar.
12 Mars 2009