E Diel, 1 Nëntor 2026

CIRKU METROPOLITAN. “Mos i beso kurrë një ujku!”

Premiera e së shtunës, një risi ku shkrihen baleti, danc-teatri dhe akrobacia

“Mos i beso kurrë një ujku”, - kështu titullohet shfaqja më e re që eksperimentohet për herë të parë në Shqipëri nga Teatri Metropolitan i Tiranës. Premiera që do të ngjitet të shtunën dhe të dielën në skenën e Cirkut të Metropolit për t’u shfaqur gjatë gjithë muajit ka për regjisor, libretist dhe koreograf Llaqi Nakon, ndërkohë që kostumografia serviret nga Zana Bodinaku dhe formulimi muzikor nga Saimir Çili. Baza, për nga pikëpamja e vlerave, janë performancat e Studios së Cirkut të Metropolit, me të cilët kanë punuar pedagogët Silvana Dumi dhe Agron Muho si dhe Mjeshtërit e Cirkut të Metropolit Kujtim Dumi e Sokrat Buzo. Regjisori Nako sjell një risi me këtë shfaqje duke u mbështetur te fabula e njohur popullore e përrallës “Kecat dhe ujku” dhe duke eksperimentuar me një shkrirje të disa gjinive, gjë që pritet të japë si rezultat një performancë ku ndërthuren baleti, danc-teatri dhe akrobacitë e përgatitura nga artistët e Cirkut të Tiranës. Pra, kjo premierë nuk është thjesht një balet, as vetëm dance-teatër, ashtu siç nuk është as muzikholl, por ka pak nga të gjitha këto zhanre që shkrihen dhe kombinohen brenda saj me njëra-tjetrën. Në fakt, kemi të bëjmë me një përpjekje për ta adaptuar të gjithë këtë fabul artistikisht në një numër cirku. Një gjë e tillë vështirësohet edhe më tepër pasi kemi të bëjmë me një pjesë që përmban dramaturgji letrare, nga e cila duhet marrë thelbi për ta shfrytëzuar pastaj për një shfaqje nëpërmjet mjeteve shprehëse. E gjitha kjo ilustrohet me një muzikë të përzgjedhur që përshtatet me të gjithë zhvillimin dramaturgjik të veprës. Në shfaqje marrin pjesë dy trupa artistike të ndryshme siç janë ansambli i fëmijëve “Spektër” dhe Cirku i Metropolit. Organizatorët theksojnë se, “e veçanta është harmonizimi i disa gjinive të artit skenik si baleti, dance-teatri, muzikholl, pantonima dhe akrobacia, e cila përfshin disa profile: numra plastikë, xhonglerim, dinamikë etj. Kjo akrobaci nuk vjen me një renditje skematike, por shfaqet natyrshëm si ilustrim i ngjarjes”.
Dhe risitë nuk mbarojnë me kaq. Nga fillimi i kësaj performance e deri në fund të saj, publiku futet në botën e kafshëve pasi janë kafshët që flasin, kërcejnë, këndojnë dhe bëjnë akrobaci...
P.GROSI

12 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›