Xhelozi shqiptaro-gjermane në Cafe Xhelosucht
Këngë, shaka dhe tekste të studentëve pritet të vijnë në një komedi në skenën teatrore Një grup studentësh do të sjellin për dy ditë në skenën teatrore një komedi, e cila do të vijë në dy gjuhë në shqip dhe në gjermanisht. Komedia me titullin Cafe Xhelosucht, e cila flet për xhelozinë dhe përmban tekstet e dy autorëve shqiptarë e gjermanë, këngë e shaka si dhe tekste të shkruar nga vetë studentët do të vijë pas disa ditësh në skenën e Teatrit të Metropolit. Pjesa është përgatitur nga Charlotte Siegerstetter, pedagoge në Universitetin Aleksandër Moisiu
në Durrës së bashku me një kolegun e saj gjerman, pedagog në Universitetin e Tiranës. Shfaqja, e cila do të vijë në datat 30-31 janar në skenën teatrore dhe që jepet e kombinuar në dy gjuhë në shqip dhe gjermanisht, ngjitet në skenë në kuadrin e projektit teatror shqiptaro-gjerman. E ndërkohë që për publikun durrsak kjo vepër do të vijë në skenën teatrore në datën 2 shkurt në Pallatin e Kulturës në Durrës. E ndërkohë që Teatri i Metropolit vijon që të kënaqë shijet e publikut me shfaqje që janë në kalendarin e tij artistik. Ky institucion i krijuar për ti ofruar diçka ndryshe publikut me veprat e tij vijon të sjellë në skenë emra të njohur regjisorësh dhe aktorësh, të cilët mirëpriten nga publiku. Sa i takon zhanrit të komedisë në skenën e këtij teatri para disa ditësh u rikthye One man show. Në kuadër të veprave që janë vënë në skenën e tij, gjinia e teatrit One man show u eksperimentua për herë të parë gjatë muajit maj të vitit që lamë pas. Me regji nga Robert Budina, aktori i njohur i humorit Erand Sojli solli këtë gjini teatrore, që mbetet e prirur drejt humorit dhe satirës, në një ndërveprim të aktorit me spektatorin e sallës. Drejt lirisë, e shkruar me një ironi të hollë tregon përpjekjet e shqiptarëve gjatë këtyre 20 viteve të fundit për të fituar lirinë. Çfarë është jeta jonë në këto vite tranzicioni. Film, telenovelë, apo përrallë? Teksti sjell në këtë vepër satiriko-komike një situatë me disa personazhe, të cilët kërkojnë të largohen jashtë vendit, peripecitë e tyre për tu pajisur me vizë, vështirësitë e udhëtimit, etj. Në mbërritjen në vendin e huaj shpaloset realiteti i ri, i ndryshëm nga të gjitha përfytyrimet e tyre, me të cilin ata duhet të përshtaten dhe të integrohen. Mosarritja e qëllimit i çon personazhet drejt kthimit në atdhe. Shkruar nga Erand Sojli, ky tekst heq paralele të rëndësishme me përrallën e kecave dhe ujkut, ku të mirët dhe të këqijtë janë të ndarë dhe të përcaktuar qartë që në fillim të shfaqjes. Po nuk ka mbetur pas dhe drama. Kështu para disa ditësh u shfaq shfaqja "Keqkuptimi", një dramë ekzistencialiste nga Albert Kamy. Regjisorja-studente Oriana Cama ka menduar të sjellë këtë vepër, ku në qendër të vëmendjes është moskomunikimi ndërmjet njerëzve. E ndërkohë që Teatri i Metropolit, në muajin e fundit të vitit 2009 ka nisur provat dhe për komedinë Playboy i trojeve tona premiera e së cilës do të jetë në fund të muajit shkurt 2010, e cila do të shfaqet në sallën Bodrum, duke u përuruar me autorin irlandez John Millington Synge. Premiera e dytë e Teatrit të Metropolit pritet të jetë në muajin prill 2010 me komedinë "Testamenti i Ri" nga Sacha Guitry, e cila do të vihet në sallën e re Glob me kapacitet prej 300 vendesh. Salla Bodrum dhe salla Glob e çojnë në tre numrin e sallave të Teatrit të Metropolit. Në projektet ambicioze të këtij teatri priten premiera të tjera, ku drejtuesit shprehen se do të kenë bashkëpunime me regjisorë të huaj të teatrit Rumun, Francez etj, të cilët kanë shprehur dëshirën e tyre për të qenë pjesë e këtij teatri.Nga Julia Vrapi