Lala vë në merak klubin
Altin Lala është shndërruar në një problem për “mirë” te Hanoveri. Në fakt, shëndeti i tij vazhdon ta shqetësojë trajnerin Diter Heking. “Ne po shohim se sa shpejt do të rikthehet ai në gjendjen optimale, pa ndjerë dhimbje”, - tha Heking, duke folur për gazetën gjermane “Hannoverische Allgemeine”. Trajneri nuk beson se kapiteni i Kombëtares shqiptare do të jetë “top-fit” deri në ndeshjen kundër Shalkes. Gjithsesi, sipas haz.de, mesfushori shqiptar duhet të jetë gati për ndeshjen kundër Energi Kotbusit të Ervin Skelës ose Shtutgardit. Me sa duket Lala do ta humbasë edhe takimin kundër Maltës me Kombëtaren shqiptare.
Kotbus i Skelës, barazim në testin e parë
Energi Kotbusi barazoi 2-2 me Alemania Ahen (Bundesliga 2) në turneun ndërkombëtar miqësor që po zhvillohet në Qipro. “Kuqebardhët” e Bundesligës së parë gjermane patën një dominim të qartë ndaj kundërshtarit. Ivica Iliev dhe zëvendësuesi i Ervin Skelës, Stiven Rivic, shënuan dhe golat për Energinë. Skela luajti për 75 minuta dhe sipas asaj që raporton faqja zyrtare e Kotbusit, bëri një lojë të pëlqyeshme. Skela u rreshtua në mesfushën ofensive duke luajtur pas dyshes së sulmit të përbërë nga Jula e Sorensen, duke u shërbyer këtyre të fundit me krosime.
Në minutën e 32-të, Skela gjuajti nga 17 metra, por pa mundur të shënojë. Kotbusi do të luajë më 14 janar me Omonia Nikosian e Klodian Duros.
11 Janar 2009