Xhemperi i Loewit përfundon në muze

Xhemperi i kaltër i kashmirit i veshur nga selektori i Gjermanisë, Joachim Loew gjatë rrugëtimit të skuadrës së tij drejt pozitës së tretë në Kampionatin botëror 2010, ka fituar një vend në muzeun e Federatës gjermane të Futbollit (DFB).
Loew e kishte veshur xhemperin në fitoret në fazën e grupeve kundër Australisë dhe Ganës në Afrikën e Jugut si dhe fitoreve të jashtëzakonshme në fazën eliminatore ndaj Anglisë dhe Argjentinës.
Futbollistët e tij e kishin këshilluar që të mos e lan xhemperin dhe ta veshë atë gjatë serisë së tyre pozitive pasi ai e kishte ndërruar atë me një xhaketë në humbjen e tyre nga Serbia në fazën e grupeve.
Asistenti Hansi Flick po ashtu mbante një xhemper të kaltër në disa ndeshje. Magjia e xhemperit fatlum duket se skadoi kur Gjermania u mposht në gjysmëfinale nga Spanja, që në fund fitoi titullin.
“Kjo është një ide e mirë. Xhemperi është kujtim i paharrueshëm nga Kampionati botëror në Afrikën e Jugut dhe kohën e mrekullueshme që kaluan miliona tifozë, futbollistët dhe trajnerët tanë”, tha Loew në një komunikatë. Xhemperi do të ekspozohet në muzeun e DFB-s në Dortmund, nga viti 2014 e tutje.