Edicion i paharrueshëm
Me goditjen e topit të fundit në një tjetër edicion madhështor të Ligës së Kampionëve, UEFA.com ka përzgjedhur dhjetë ngjarjet më të mëdha të garës në edicionin e sivjetmë nga shkëlqimi i Lionel Messis e shpërthimi i Gareth Bales, deri te renesanca e Raul Gonzalesit me Schalke 04.
Bale ‘terrorizon’ Interin
Tifozët e Interit nuk dinin shumë për Gareth Balen para fillimit të sezonitn por ata vështirë se do ta harrojnë tani. Debutuesi në garë shënoi golin e tij të parë kundër Twentes në ndeshjen e dytë të fazës së grupeve para se të paralajmërojë ardhjen e tij në tokën italiane. Tottenham ishte në disavantazh prej katër golave dhe një futbollisti më pak në fushë kur mesfushori 21 vjeç ishte shumë pranë realizimit të njërit prej rikthimeve më sensacionale duke shënuar het-trik. Edhe pse Tottenhami në fund u mposht 4-3, ylli uellsian dëshmoi se paraqitja nuk ishte e rastësishme duke terrorizuar sërish Interin dhe mbrojtësin e tyre të djathtë, Maicon në fitoren 3-1 në White Hart Lane.
Messi i pandalshëm
Arsenali ishte paralajmëruar. Katër gola nga Lionel Messi eliminuan skuadrën londineze nga gara e edicionit të kaluar. Ekipi i Arsene Wengerit sivjet ishte në epërsi 2-1 në ndeshjen e rrethit të dytë dhe erdhi në Nou Camp me plan të ndalë yllin argjentinas. Përpjekjet dolën të kota pasi Messi shënoi dy gola duke e kthyer përballjen në favor të Barcelonës. Ai përsëriti heroizmat e tij edhe në finale kundër Manchester Unitedit, ku gjiganti katalon fitoi 3-1, ndërsa ai mori çmimin e futbollistit më të mirë.
Marseille shënon rekord
Kampioni i sezonit 1992/93, Olympique Marseille ktheu vitet prapa në nëntor, duke shfaqur një paraqitje të jashtëzakonshme kundër Zilinas dhe shënuan fitoren më të thellë në udhëtim në histori të garës. Shkatërrimi 7-0 në Sllovaki, i inspiruar nga het-triku i Andre Pierre Gignac, ishte i papritur për faktin se Marseille nuk arriti të shënojë në dy ndeshjet e tyre të para dhe mezi arriti të fitojë 1-0 përballë ekipit të Pavel Hapalit në Stade Velodrome.
Mbrojtja e fortë e Man Utd-it
Manchester United mund të jetë i njohur për futbollin ofensiv në rrugëtimin e tyre drejt finales, por pa dyshim se për këtë meritat i takojnë mbrojtjes së fortë. Dyshja e shkëlqyeshme Nemanaj Vidic dhe Rio Ferdinand u lëvduan shpesh, por Patrice Evra dhe Chris Smalling ishin mbrojtësit më të aktivizuar para ndeshjes vendimtare në Wembley, ku Djajtë e Kuq kishin hyrë me vetëm katër gola të pranuar në 12 ndeshje.
Eurogoli nga Zahavi
Eran Zahavi nuk humbi kohë në përshkrimin e golit të tij të jashtëzakonshëm kundër Olympique Lyonit, si “më i bukuri” në karrierën e tij, dhe mesfushori i Hapoel Tel-Aviv vështirë se do të shënon një tjetër më të mirë. Goli i tij me gërshërë në Stade de Gerland ngriti në këmbë disa prej legjendave sulmuese të Lyonit, Bernard Lacombe dhe Sonny Anderson, ndërsa ai u lavdërua nga trajneri i tij, Eli Gutman si “goli më i bukur që u shënuan në Ligën e Kampionëve”. Pas harkimit nga krahu i majtë i Salim Toamasit, Zahavi u ngrit në mënyrë akrobatike duke mos i dhënë asnjë shans portierit Hugo Lloris, derisa dërgoi topin në këndin e epërm.
Schalke e udhëhequr nga ‘Zotëri Liga e Kampionëve’
Vetullat u ngritën kur Raul Gonzales njoftoi se do të largohet nga Real Madridi për t’u transferuar në Schalke 04 në moshën 33 vjeç. Çfarëdo dyshimesh rreth shkallës së motivimit të veteranit u përjashtuan shumë shpejt derisa ai inspiroi Schalken drejt rrugëtimit të tyre më të mirë. Legjenda i Realit shkëlqeu në triumfin kundër Interit në çerekfinale dhe me meritë festoi me tifozët e klubit në përfundim të ndeshjes së kthimit. Raul u quajt ‘Zotëri Liga e Kampionëve’ nga bashkëlojtari i tij, Christoph Metzelder, pasi shtoi rekordin e tij të golave në garë në kuotën 71.
Sikur vera e mirë
Ka qenë një vit i mirë për veteranët në Ligën e Kampionëve, e në veçanti tri monumente të futbollit modern. Në sezonin e tij të 16-të me Interin, Javier Zanetti u bë realizatori më i vjetër në histori të garës, kur në moshën 37 vjeç e 71 ditë shënoi kundër Tottenhamit duke thyer rekordin nga Laurent Blanc më 2002. Mirëpo, mbrojtësi argjentinas mbajti rekordin vetëm për dy javë, pasi sulmuesi i Milanit, Filippo Inzaghi shënoi kundër Real Madridit në moshë 37 vjeç e 86 ditë. Megjithatë, mesfushori i Manchester United Ryan Giggs i tejkaloi të dy duke realizuar kundër Schalkes në moshë 37 vjeç e 148 ditë.
Danezët e fuqishëm
Copenhagen ishte njëri prej tregimeve të suksesshme, pasi u bë klubi i parë danez që arriti në fazën eliminatore të garës. Skuadra e Stale Solbakkenit siguroi kualifikimin nga faza e grupeve me fitore kundër Rubin Kazanit dhe Panathinaikosit, edhe pse barazimi 1-1 me Barcelonën ishte rezultati më i madh nga të gjithë. “Ishim në të njëjtën shkallë me ekipet më të mira në botë për pjesën më të gjatë të ndeshjeve. Barazimi kundër një skuadre me yje botërore nuk ishte i pamerituar”, tha Sokbakken. Fatkeqësisht për Copenhagenin, ëndrra e tyre u përfunduar nga Chelsea në rrethin e dytë.
Shakhtari bën hapa gjigantë
Rrugëtimi më i mirë i Shakhtarit u ndal në çerekfinale, ndërsa presidenti i klubit, Rinat Akhmetov ka kërkuar përmirësime. “Puna serioze është vetëm në fillim. Besoj, hap pas hapi, do të fitojmë Ligën e Kampionëve”, tha ai. Akhmetov nuk është i vetmi që beson në klubin ukrainas që kryesoi grupin ku gjendej Arsenali para se të eliminojë Romën në rrethin e dytë të garës.
Vazhdon pritja për gjigantët londinezë
Është një prej kurioziteteve të Ligës së Kampionëve që asnjë klub londinez nuk ka shkelur kulmin e futbollit evropian dhe pritja e qytetit vazhdon pasi tri ekipe nga kryeqyteti nuk arritën të thyejnë mallkimin. Tottenham, Arsenal dhe Chelsea kaluan në fazën e dytë të garës, por vetëm Chelsea avancoi në çerekfinale ku u eliminua nga Manchester Unitedi duke lënë sërish të dëshpëruar tifozët e kryeqytetit.