Katari e bleu Botërorin 2022

Nënkryetari i suspenduar i FIFA-s, Jack Warner ka bërë publik një e-mail që thekson se Mohamed Bin Hammam ‘bleu’ Kampionatin botëror 2022 për Katarin.
E-maili i ardhur nga sekretari i përgjithshëm i FIFA-s, Jerome Valcke, po ashtu dyshon pse kreu i Konfederatës Aziatike të Futbollit, Bin Hammam ishte kandiduar për president të FIFA-s.
Valcke shkroi: “Hammam mendoi se mund ta blinte FIFA-n njësoj siç e bleu Kampionatin botëror”. FIFA suspendoi Warnerin dhe Bin Hammamin për akuza te ndara për manipulime, në pritje të hetimeve të tjera.
Bin Hammam u suspendua nga komiteti etik i organizatës vetëm disa orë pasi tërhoqi kandidaturën e tij nga gara presidenciale e FIFA-s, të hënën në mëngjes. Vendimi i tij për t’u larguar e lë presidentin aktual Sepp Blatter – i cili kërkon mandatin e tij të katërt prej zgjedhjes më 1998 – si njeriun e vetëm që garon për postin drejtues.
FIFA ka thënë se zgjedhjet e saj do të zhvillohen, sipas planit, të mërkurën. Warner, i cili është president i Konfederatës Veriore, Qendrore Amerikane dhe Karaibeve (Concacaf), ka reaguar ashpër ndaj akuzave për manipulime dhe vendimit për suspendimin e tij.
“E kam marrë suspendimin si formën më të keqe të drejtësisë nga një organizatë sportive. Ata nuk ishin të gatshëm të dëgjojnë. Këta njerëz ishin zgjedhur me dorë nga Blatter”, tha ai.
Warner e sulmoi edhe Valcken: “I kam shkruar Valckes duke i thënë, në mesin e gjërave tjera, se rezultati i zgjedhjeve (presidenciale të FIFA-s) mund të shkaktojë thyerje në botën arabe dhe do të kërkojë nga Bin Hammam të tërhiqet nga gara.
Ndaj kësaj, Jerome m’u përgjigj dhe e citoi: “Për MBH (Mohamad Bin Hammam), e kam kuptuar pse ishte kandiduar. Nëse ai vërtet mendonte se kishte gjasa ose thjesht të shprehë se sa shumë nuk i pëlqen më Blatteri. Ose mendonte se mund të blejë FIFA-n, sikurse ata (Katari) e blen Kampionatin botëror”.
Warner e tregoi e-mailin para televizioneve dhe shtoi: “Ju nuk keni nevojë të më besoni, ju nuk duhet të më pëlqeni, askush nuk duhet të hajë me mua, të pijë ose të flejë me mua, por merreni të vërtetën kur e shihni atë”, theksoi ai. Warner po ashtu akuzoi Blatterin për dhurimin e kompjuterëve dhe 1 milion dollarëve të paautorizuar zyrtarëve të Concacafit. Warner shprehu pafajësinë e tij dhe mohoi çfarëdo keqbërjeje. Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, kinezi Zhang Jilong do të marrë drejtimin e Konfederatës Aziatike të Futbollit në mungesë të Hammamit.