E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhepa: Ekonomia e zezë amnistoi paratë e pista

Intervista/Selami Xhepa, anëtar i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, është dakord për faljen e borxheve
Paratë e fituara në rrugë kriminale apo të dyshimta, mund të futen në qarkullim në ekonomi nëpërmjet aktiviteteve private-tregtare në forma informale dhe kjo ka ndodhur edhe në vendin tonë. Në shumë sektorë ka pasur një rritje të dukshme ekonomike, ndërkohë që kreditimi e përligj këtë fakt, sepse është tkurrur. Kjo tregon se një pjesë e parasë në qarkullim ka hyrë nga kanale jolegale dhe është investuar në ekonominë tonë. Por komunitet i biznesit tash sa kohë po i bën thirrje dita-ditës qeverisë të ndërmarrë një amnisti fiskale, e cila do të rrisë likuiditetin në tregun e parasë, në një kohë kur kriza ka dhënë efektet e saj. Selami Xhepa, anëtar i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave në Kuvend, në një intervistë për gazetën “standard” argumenton se së pari këto para nuk do të kenë eficensë ekonomike, por mbi të gjitha ai është moralisht kundër një veprimi të tillë. Xhepa shprehet se paratë e padeklaruara janë konsumuar periodikisht në investime në disa sektorë të ndryshëm, ndaj është i mendimet se eficensa ekonomike e tyre do të ishte e papërfillshme. Sipas Xhepës, paratë e fituara nga rrugë kriminale nuk mund të ligjërohen nga shteti, pasi kjo bie ndesh me moralin e shoqërisë dhe të vetë atij. Ai deklarohet se nuk e mbështet një veprim të tillë. Ndërsa lidhur me mundësitë për të lehtësuar biznesit dhe individët ndaj detyrimeve apo borxheve që i kanë shtetit, Xhepa deklarohet se në këtë rast ka hapësira dhe një propozim i tillë mund të mirëpritet nga qeveria. Në këtë rast bëhet fjalë për gjoba apo borxhe të trashëguara, që shpesh krijohen nga ndëshkime krejtësisht të pamotivuara ligjërisht, të cilat me të drejtë apelohen nga të dëmtuarit, çështje që transferohen nga një vit në tjetrin, dhe që bëhen një barrë e madhe si pjesë e borxheve të këqija të trashëguara dhe për të cilat drejtësia nuk ka kohë të japë vendimet e duhura. Sipas Xhepës, raste të tilla duhen parë me preferencë dhe është në të mirë të shoqërisë që këto bilance të pastrohen dhe t’i japin më shumë liri ekonomike sipërmarrjes, ndonëse ai shton se edhe në këtë rast bihet ndesh me moralin, pasi ka qytetarë që janë korrektë me të gjitha detyrimet ndaj shtetit.

Komuniteti i biznesit prej kohësh ka kërkuar që qeveria të ndërmarrë hapat për një amnisti fiskale. Si ekspert i ekonomisë dhe anëtar i Komisionit të Ekonomisë, mendoni se është momenti për një veprim të tillë?
-Debati mbi amnistinë fiskale në vend tashmë nuk është një debat i ri dhe që bëhet tani. Një temë e tillë është debatuar si në mjediset akademike, politike dhe të biznesit që në vitin 1998. Dhe që prej kësaj kohe, ana e peshores së gjykimit të publikut ka qenë në anën negative, qoftë për arsye të eficensës ekonomike modeste që do të rezultonte, por mbi të gjitha për shkak të dimensionit moral të kësaj çështjeje.
Në këndvështrimin ekonomik, personalisht besoj se nuk bëhet fjalë për përfitime të rëndësishme ekonomike. Po të flasim me realizëm, paratë që kanë qarkulluar në vend me prejardhje të padeklaruara, janë konsumuar në mënyrë periodikisht dhe vazhdimisht në investime në disa sektor që është relativisht e lehtë të fshihet burimi i pasurisë, siç janë veçanërisht ndërtimi, tregtia apo shërbimet në përgjithësi. Përndryshe është e pamundur të shpjegohet një ritëm i lartë i rritjes ekonomike që ka gëzuar ekonomia shqiptare, nga njëra ane dhe nivelit më të ulët të kredisë në ekonomi, nga ana tjetër. Sepse pyetja më e thjeshtë është: nga është financuar një rritje e tillë? Prerja ose minimizimi maksimal i prurjeve të tilla shpjegon edhe rritjen e fortë dhe impresionuese të stokut të kredisë në ekonomi gjatë katër viteve të fundit. Është për këto arsye që gjykoj se përfitimet ekonomike nga një proces amnistie do të ishin shumë modeste. Ndërkohë që shoqëria jonë është në proces të krijimit të vlerave të reja, vlera të një shoqërie të hapur e demokratike. A është legalizimi i parave dhe pasurive i krijuar nga veprimtari ilegale, e madje në shumë raste edhe nga aktivitete kriminale, një vlerë dhe normë që shoqëria jonë do të dëshironte ta pranonte? Sigurisht që i takon shoqërisë të debatojë nëse do të ishte e dëshirueshme të pranonte nëse sipërmarrës të krijuar jo nga mendja e tyre krijuese (siç është përcaktimi që ne kemi për këtë grup shoqëror), por nga guximi dhe kuraja për të thyer ligjet dhe për të akumuluar pasuri në një mënyrë të tillë, dhe aq më shumë duke kryer trafiqe të çfarëdo lloji, të bëhen njëlloj si sipërmarrës të tjerë që kanë derdhur djersën, që kanë qenë korrektë me ligjet e shtetit dhe moralin e shoqërisë. Unë bëj pjesë në atë komunitet që nuk e mbështes një proces të tillë.
Por, ka disa kategori informaliteti që duhen parë dhe trajtuar me pozitivitet. Jo rrallë ndodh në praktikën e bizneseve tona që një punonjës shteti, në abuzim me pushtetin që i jep ligji, vendosin gjoba të padrejta, ndëshkime krejtësisht të pamotivuara ligjërisht, të cilat me të drejtë apelohen nga të dëmtuarit, çështje që transferohen nga një vit në tjetrin dhe që bëhen një barrë e madhe si pjesë e borxheve të këqija të trashëguara dhe për të cilat drejtësia (!) nuk ka kohë të japë vendimet e duhura. Raste të tilla duhen parë me preferencë dhe është në të mirë të shoqërisë që këto bilance të pastrohen dhe t’i japin më shumë liri ekonomike sipërmarrjes.

Nga ana tjetër, biznesi i ka shtuar kësaj kërkese dhe faktin se ligji antimafia do të rëndojë shumë, nëse ai nuk shoqërohet njëkohësisht me një amnisti fiskale. Si e gjykoni lidhjen mes këtyre dy kërkesave?
-Unë nuk shoh ndonjë lidhje midis këtyre dy çështjeve. Madje, më duket se biznesi në këtë mënyrë po paragjykon vetveten. Lufta antimafia është një çështje strategjike e vendit tonë dhe duhet të jetë një princip permanent në punën e strukturave shtetërore. Një ekonomi që do të mbështetej në burime ekonomike të gjeneruara nga klane mafioze dhe veprimtari kriminale, do të ishte shumë jetëshkurtër, dhe do të na prodhonte një kapitalizëm oligarkësh mafioz, të cilët nuk kanë asgjë të përbashkët me tiparet e një shoqërie të tregut dhe të konkurrencës së lirë, një shoqërie që shpërblen talentin dhe kreativitetin, dhe jo lidhjet mafioze, politike apo klanore. Amnistia fiskale nuk mund të shërbejë si një rast për të përligjur veprimtari që i dënon jo vetëm ligji, por dhe forca e opinionit të shëndoshë publik.

Zhvlerësimi i lekut ndaj monedhave të huaja, sipas ekspertëve, një ndër arsyet kryesore ka mungesën e likuiditetit. A ka nevojë tregu i parasë për të shtuar likuiditetin, qofshin këto para që vijnë nga kanale jo të deklaruara?
-Tregu i parasë është një treg si gjithë të tjetër, që ka luhatjet e veta në rritje dhe në ulje, me efekte krejt të ndryshme për grupe të ndryshme të agjentëve ekonomikë. Në këtë kuptim, as nuk duhet të tronditemi nga zhvillime të tilla dhe as të çuditemi. Paraja është subjekt i veprimit njerëzor, prandaj edhe është në ndryshim të përhershëm. Sërish, fatkeqësisht ne nuk disponojmë instrumente që të ndalojmë daljen në treg të parave të krijuara në mënyra ilegale, të jashtëligjshme. Pra, nëse ato ekzistojnë, ato mund të dalin lirisht dhe të shkëmbehen. Volatilitetin (luhatshmërinë) e kursit të këmbimit nuk e shoh domosdoshmërish të lidhur me transaksionet joligjore, më shumë sesa me gjendjen e një tregu shumë të cekët, të vogël në volumin e transaksioneve dhe që ku edhe një transaksion i vetëm i kryer në volume relativisht të mëdha, do të shkaktonte tronditje në kursin e këmbimit, duke përcjellë sinjale të gabuara tek agjentët ekonomikë dhe për rrjedhojë edhe reagime "irracionale" të tregut. Ne jemi të gjithë koshientë se pjesa më e madhe e valutës në vend futet në kanale informale, domethënë jo nëpërmjet sistemit bankar që harton raporte statistikore dhe që ne jemi në çdo moment në gjendje të dimë hyrjet dhe daljet valutore. Në një shoqëri të hapur, është e vështirë të regjistrohen të gjitha transaksionet, por në thelb, çdo hyrje/dalje që është nga veprimtari jo të moralshme, nuk do të ishte shoqërisht as e dëshirueshme.

Në një ndryshim që po i bëhet ligjit mbi tatimin mbi të ardhurat, parashikohet që biznesit i tatohet me 10 për qind kapitali i ri që do të investojë, pa marrë parasysh origjinën e këtyre parave. Pra, sipas këtij projektligji, ka rëndësi të vërtetohet që këto para nuk janë tatuar më parë, jo se nga vijnë. A është kjo një lloj amnistie fiskale?
-Ligji nuk amendon nenet e ligjeve që lidhen me veprimtarinë e institucioneve të kontrollit të pasurive, të pastrimit të parave apo luftës ndaj mafies dhe pasurive të saj. Ligji shënon thjesht se nëse në një shtim kapitali, nuk paraqitet dokumentacioni se për këto të ardhura nuk është paguar tatim mbi të ardhurat në Shqipëri, lind një detyrim tatimor. Nëse dikush siguron të ardhura nga jashtë shtetit, të ardhura nga veprimtari të ligjshme dhe këto të ardhura dëshiron t’i përdorë për investime në një ortakëri, për këto të ardhura duhet të paguajë 10% tatim mbi të ardhurat. Nëse për to ai ka paguar tatim në vendin e origjinës, gjë që provohet me dokumente, tatimi i paguar në Shqipëri, sipas ligjit mbi tatimin mbi të ardhurat personale, i rimbursohet personit në fjalë.
Nëse personi nuk paraqet dokumente justifikuese dhe nëse ka dyshime të mjaftueshme, sigurisht që është detyrë e institucioneve që merren me luftën ndaj evazionit fiskal dhe trafiqeve të paligjshme që të trajtojnë këtë fenomen të krimit ekonomik.

Nga ana tjetër, komuniteti i biznesit ka paraqitur një draft pranë qeverisë ku kërkon faljen e detyrimeve apo borxheve të akumuluara në vite. Po një veprim i tillë mund të ndërmerret nga qeveria?
-Një çështje e tillë sipas mendimit tim nuk do të përbënte një deformim thelbësor të moralit tonë shoqëror, prandaj siç argumentova edhe më lart, edhe mund të mirëpritej nga qeveria. Sidoqoftë, çështja e dëmtimit moral vazhdon të jetë prezente. Nëse një qytetar është korrekt me ligjet e shtetit, paguan detyrimet ligjore në mënyrë korrekte, përse duhet të mirëpresë që ta falim qytetarin tjetër që nuk ka përmbushur detyrimet ligjore, që janë detyrime ndaj shoqërisë? Megjithatë, duke qenë se e vërteta e provës së rasteve të tilla mund të kërkojë vite nga ana e gjykatave, ndoshta shoqëria do të ishte më mirë edhe ekonomikisht dhe për rrjedhojë një veprim i tillë të ishte i justifikuar edhe moralisht.

Shteti fqinj, Italia, nga amnistia që bëri në vitin 2009, përfitoi afër 100 miliardë euro të hyra në sistem. Nëse një amnisti e ngjashme do të aplikohet në vendin tonë, a ka ndonjë përllogaritje të parasë që është jashtë sistemimit të hyje në sistem?

- Nuk besoj se mund të gjendej ndonjë shifër, pasi është vetë natyra e fenomenit që nuk të krijon mundësi për asnjë përfarim.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›