E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kasat fiskale për biznesin e madh, problemi te distributorët

Fier

Dy javët e para të muajit janar kanë treguar se vetëm 10% e subjekteve të biznesit të madh në Fier ishin pajisur me kasa fiskale. Edhe pse afati përfundimtar i këtij procesi ka qenë 31 dhjetori i vitit 2009, sërish përfaqësuesit e firmave të mëdha e kanë anashkaluar këtë afat, duke u kthyer objekt ndëshkimi nga ana e Degës Rajonale të Tatim-Taksave në Fier.
Ndërkohë që treguesit e fillim shkurtit, lidhur me pajisjen me kasa fiskale të bizneseve të mëdha, tregojnë se mbi gjysma e atyre bizneseve që operojnë në Fier e kanë marrë tashmë kasën fiskale. Pjesa më e madhe e bizneseve që ende nuk e kanë tërhequr këtë kasë fajëson distributorët e licencuar për të shitur aparatin në fjalë.
Shqetësimi ka shkuar zyrtarisht edhe pranë Degës Rajonale të Tatim-Taksave Fier, ku është bërë prezent jo vetëm çmimi abuzues i shitjes së këtyre kasave, por edhe mungesa e tyre me qëllim aplikimin e një çmimi më të shtrenjtë në rast “të ardhjes së një furnizimi të ri”.
Drejtori i Degës Rajonale të Taksave në Fier, Agim Isufaj, është shprehur publikisht se problemi më i madh i procesit të vonuar të pajisjes me kasa fiskale qëndron te distributorët që shesin kasa fiskale. Isufaj ka thënë se shumë biznese kanë denoncuar se çmimi i një kase që po aplikojnë distributorët është rritur me pothuaj 60%. Nga 350-400 euro që ka qenë gjatë muajit dhjetor, çmimi i një kase në muajin janar dhe shkurt ka shkuar në 600-700 euro. Gjithashtu ka dhe denoncime të tilla që distributorët nuk kanë sasira me aparatin e kërkuar dhe nuk përmbushin kërkesat e shumta. Kjo shihet me dyshim, pasi në rast të ardhjes së këtij aparati, befas aplikohet një çmim më i shtrenjtë. Kontrolli i inspektorëve të degës së tatimeve ka nisur paralel si te subjektet që duhej të ishin pajisur me kasë, ashtu dhe te distributorët që abuzojnë me çmimin.
Nga kontrolli i javës së fundit janë ndëshkuar për mospajisje me kasë fiskale plot 130 biznese të mëdha. Gjoba e prerë për këto biznese shkon nga 25 mijë, deri në 100 mijë lekë të reja. Kujtojmë se numri i biznesit të madh operues në Fier shkon në 970 dhe përveç kasave fiskale, shumë prej tyre rezultojnë edhe debitorë në shuma të mëdha. Mbi 100 të tillë janë gjobitur dhe po përballen me sanksione të tilla si, bllokim të numrit të llogarisë dhe sekuestrim të aktivitetit.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›