E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedonia pranon dokumentin për liberalizimin e regjimit të vizave me BE-në



Drejtori i Drejtoratit të Komisionit Europian, Majkëll Lim në Bruksel, i dorëzoi shefit të diplomacisë maqedonase, Antonio Milloshovskit, dokumentin e posaçëm lidhur me liberalizimin e regjimit të vizave me Bashkimin Europian. Në këtë dokument janë paraqitur kushtet të cilat Maqedonia duhet t’i plotësojë për heqjen e regjimit të vizave të BE-së për qytetarët e Maqedonisë. MË të rëndësishme janë konsideruar, lufta kundër krimit dhe korrupsionit, realizimi i të drejtave të komuniteteve, ndalimi i migracionit ilegal etj. Nënkryetari i Komisionit Europian Zhak Baro në një deklaratë me shkrim përshëndeti dorëzimin e dokumentit duke theksuar se plotësimi i kritereve të paraqitura garanton liberalizimin e plote të vizave. Ndërkohë partitë politike maqedonase kanë firmosur gjatë ditës së djeshme kodin e zgjedhjeve të lira. Kryetarët e VMRO-DPMNE-së, PDSH-së, LSDM-së dhe BDI-së firmosën Kodin që parashikon zgjedhje korrekte e demokratike. Ky kod u hartua nga Instituti Nacional Demokratik (IND), asociacioni qytetar “Most” dhe lobi femëror i Maqedonisë.
Kodeksi i nënshkruar mban parullën “E mundshme dhe e domosdoshme: zgjedhje korrekte 2008”. Të pranishëm në firmosjen e dokumentin ishin përfaqësues të Bashkimit Europian, NATO-s, OSBE-së, ODIHR-it në Maqedoni, si dhe përfaqësues të ambasadave. Fushata zgjedhore do të fillojë zyrtarisht të dielën. Megjithatë, partitë politike më herët kanë filluar të përdorin fjalorin parazgjedhor dhe të akuzojnë njëra-tjetrën. Ligji për zgjedhjet parashikon dënime materiale për partitë të cilat e shkelin kodin zgjedhor edhe pse asnjë nga partitë politike nuk është dënuar për ndonjë shkelje.

9 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›