“Vetëvendosje” në protestë kundër zgjedhjeve serbe në Kosovë
Blerina OLLDASHI
Gjatë ditës së sotme lëvizja “Vetëvendosje”do të demonstrojë kundër mbajtjes së zgjedhjeve të paralajmëruara lokale dhe parlamentare të Serbisë në territorin e Kosovës. Lideri i kësaj lëvizje, Albin Kurti, është shprehur se në rast se populli nuk do të demonstronte kundër këtyre zgjedhjeve, atëherë bota do ta kuptonte se shqiptarët pajtohen me këto zgjedhje, ku sipas tij, faktori ndërkombëtar do të mendonte edhe për kantonizimin e Kosovës. Gjatë kësaj demonstrate do të hidhen edhe mbeturina në oborrin e UNMIK-u dhe institucionet e Kosovës, kjo për shkak se sipas tyre, këto institucione janë kthyer në kontenierë që dinë të prodhojnë vetëm mbeturina. Kjo demonstratë në të cilën pritet një pjesëmarrje e madhe e popullit do të nisë pas mesditës nga selia e “Vetëvendosjes” për të parakaluar pranë institucioneve qeveritare dhe selisë së UNMIK-ut. Ashtu si gjithmonë demonstrata do të bëhet pa lejen e Shërbimit Policor të Kosovës. Lidhur me trazirat e mundshme para dhe gjatë zgjedhjeve serbe, KFOR-i ka dekaruar se nuk do të tolerojë asnjë formë të dhunës nga kushdo qoftë. “Kushdo që tenton të realizojë qëllimet përmes dhunës, ne do të jemi të gatshëm t’i përgjigjemi dhe ta mbajmë situatën nën kontroll”,-u shpreh Komandanti i forcave shumëkombëshe të KFOR-it në lindje të Kosovës, gjenerali amerikan Xhon Davoren gjatë një konference për shtyp në Gjilan. Megjithatë Davoren vlerësoi se gjendja e sigurisë në lindje të Kosovës është e qetë dhe e sigurt. “Gjendja e sigurisë në rajonin e lindjes, është e sigurt dhe ne jemi të përkushtuar që siguria dhe paqja të vazhdojë”,-tha gjenerali Davoren. Në lidhje me sigurinë në zonën kufitare, ai u shpreh se ka disa sfida që i pret paqeruajtësit, siç është demarkacioni i kufirit. “KFOR-i kryen operacione në tërë rajonin në mënyrë që situata të mbahet e qetë dhe e sigurt”, tha Davoren. Sipas tij KFOR-i nuk do të lejojë kurrfarë dhune para, gjatë dhe pas zgjedhjeve të paralajmëruara të Serbisë në Kosovë. Përfaqësuesit politikë serbë kanë paralajmëruar formimin e parlamentit serb në Kosovë dhe këto paralajmërime janë parë si një kërcënim serioz mbi tërësinë territoriale të Kosovës. Deputetë dhe analistë të ndryshëm janë shprehur se ndërtimi i institucioneve paralele dhe bashkimi në një organ të vetëm përbën një kërcënim serioz për Kosovën. Njëri nga liderët e serbëve të veriut të Kosovës, Marko Jakshiç, ka paralajmëruar, këto ditë, se serbët do të formojnë parlamentin e tyre në Kosovë, pas zgjedhjeve më 11 maj. Organizimi i tillë i jetës dhe institucioneve paralele, sipas tij, do të ishte mënyra e vetme që serbët të mbesin dhe të jetojnë në Kosovë.
Kosovë, qeveria kërkon rihapjen e gjykatave në Veri
Pas trazirave të fundit në veri të Kosovës, Ministrja e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi, u ka kërkuar zyrtarëve të lartë ndërkombëtarë dhe vendas marrjen e masave për të siguruar funksionimin e organeve të drejtësisë në veri të Mitrovicës.
Agjencitë e lajmeve bënë të ditur se Kelmendi e ka shtruar kërkesën e saj në një letër dërguar shefit të UNMIK-ut, përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Europian në Kosovë si dhe presidentit e qeverisë. Ajo ka paralajmëruar se nëse nuk fillon sa më parë funksionimi i tyre bë veriun e dominuar nga serbët ekziston rreziku që qytetarët të humbasin besimin në institucionet e Kosovës dhe të marrin ligjin në duart e tyre. Kjo sipas saj do të përbënte një hap pas në sundimin e ligjit për funksionimin e shtetit ligjor për të cilat është investuar shumë nga bashkësia ndërkombëtare dhe institucionet vendore. Gjykatat në veri të Mitrovicës kanë pushuar se funksionuari pak ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kur protestuesit serbe hynë me dhunë në objektet e gjykatës së qarkut dhe asaj komunale.
MË pas UNMIK-u rivendosi kontrollin në këto objekte pas një operacioni të ndërmarrë më 17 mars në të cilin gjatë përleshjeve mbeti i vrarë një polic ukrainas dhe u plagosën disa të tjerë.
Gjykatat në Veri të Kosovës vazhdojnë të qëndrojnë të mbyllura për shkaqe sigurie.
Anderson: “Forcimi i nacionalistëve në Serbi, lajm i keq për Kosovën”
Përfaqësuesi i Zyrës së Grupit Ndërkombëtar të Krizave në Prishtinë, Aleks Anderson, ka vlerësuar se forcimi i nacionalistëve në Serbi do të ishte një lajm i keq për Kosovën. Sipas tij, “njëqind mijë apo më shumë serbë që jetojnë në Kosovë do të kishin më pak hapësirë për një marrëveshje eventuale me shumicën shqiptare”,-u shpreh Anderson, duke shtuar se “kjo mund të rezultojë me largimin e një numri serbësh nga Kosova”. Por në anën tjetër, Anderson thotë se “një nga gjërat e mira pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës është se serbët nuk u larguan nga Kosova”. Megjithatë përfaqësuesi i GNK-së është shprehur se, nëse ndodh përkeqësimi i marrëdhënieve midis Serbisë dhe Perëndimit, kjo mund të ndryshojë”. Ai gjithashtu ka kritikuar Kombet e Bashkuara që sipas tij “po përpiqen të ulen në më shumë karrige”.
9 Maj 2008