E Shtunë, 31 Tetor 2026

The New York Times: “Shehu, ideator i hapjes së Shqipërisë”



Wolfgand Saxon

“Mehmet Shehu, kryeministri i Shqipërisë, bëri vetëvrasje në orët e para të mëngjesit të sotëm”, - njoftoi Agjencia Jugosllave e Lajmeve. Agjencia citon lajmin e radios shtetërore nga Tirana, kryeqyteti i vendit, e cila thotë se “komunisti 68-vjeçar, në detyrë që në vitin 1954 dhe që konsiderohej në mënyrë të hapur si pasardhës i udhëheqësit të vjetër të Partisë, Enver Hoxha, i kishte dhënë fund jetës së tij ‘në një moment, në gjendje depresive’”. Në lidhje me këtë ngjarje nuk është dhënë asnjë detaj tjetër.
Lufta e egër brenda llojit
Mehmet Shehu u mbijetoi për shumë dekada luftërave të brendshme ideologjike, shpesh të shoqëruara edhe me vrasje, duke çuar shumë kundërshtarë drejt vdekjes, qëkur ai mori drejtimin e çështjeve të përditshme të vendit të tij të humbur që përballej me probleme ekonomike, izolim diplomatik dhe turbullira politike.
Zoti Shehu dhe zoti Hoxha ishin aleatë të mareshalit jugosllav Josif Broz Tito në Luftën e Dytë Botërore, por ata u bashkuan me Moskën kur ajo ndërpreu marrëdhëniet me Beogradin revizionist pak vite pas luftës. Më vonë, udhëheqja shqiptare e linjës së ashpër ndërpreu marrëdhëniet me Moskën dhe doli në anën e Pekinit, kur erdhën në pushtet “revizionistët” e Nikita Hrushovit. Pas vdekjes së Mao Ce Dunit, zoti Shehu, gjeneral-lejtënant, i njohur shpesh si “njeriu i fortë” i Shqipërisë, shkurajohet me ndryshimet në Kinë. Ndihma ekonomike kineze ndërpritet dhe Shqipëria, vendi më i varfër dhe më i prapambetur në Europë, kërkon miq rreth e rrotull, pasi kishte mbetur vetëm e pikëlluar, njësoj si Vietnami.
Eliminimi i kundërshtarëve
Në çdo ndryshim politik, zyrtarë të qeverisë dhe funksionarë partiakë që dështuan në qëllimin për të ndryshuar linjën, shumica prej tyre ranë viktimë dhe u spastruan forcërisht nga strukturat policore të gjeneral Shehut. Mijëra veta u dënuan, shumë prej tyre vdiqën nëpër burgje gjatë rrugës.
Në kohën e zgjerimit të marrëdhënieve, në vitin 1950, gjeneral Shehu raportohet se kishte goditur në mënyrë fatale një zyrtar të lartë për pikëpamjet e tij të shprehura në Komitetin Qendror të Partisë Komuniste, sepse ai kishte akuzuar Bashkimin Sovjetik se ky vend ishte i gatshëm të braktiste Shqipërinë. Ekzekutimi i tij ishte pjesë e spastrimit të anëtarëve të partisë dhe të tjerëve, të dyshuar si simpatizantë të Titos.
Pas ndërprerjes së marrëdhënieve me Kinën në fundin e viteve ‘70, Shqipëria trashëgoi një ekonomi të rrënuar dhe të izoluar me tregjet e tjera. Madje, mijëra veta që kishin mësuar gjuhën kineze, ishin dënuar. Tirana zyrtare raportoi për një komplot të oficerëve të lartë të Ushtrisë, të cilët dolën kundër ndërprerjes së marrëdhënieve me Kinën dhe ata, më vonë, u ekzekutuan.
Stanjacioni i vendit e detyroi gjeneral Shehun të shikojë për vendosjen e marrëdhënieve me pjesën e mbetur të botës. Gjatë viteve të fundit ai nuk mori në konsideratë pastërtinë ideologjike në dërgimin e sinjaleve te Jugosllavia dhe vendet e tjera fqinje dhe po propozonte vendosjen e lidhjeve diplomatike me shtetet Perëndimore, kryesisht Italinë, Britaninë dhe Gjermaninë Perëndimore.
Kush është Mehmet Shehu
Mehmet Shehu ka lindur më 10 janar 1913 në një krahinë në qendër të Jugut të Shqipërisë. Ai ishte djali i një kleriku mysliman. Ndoqi shkollën profesionale amerikane të financuar nga Kryqi i Kuq Amerikan dhe mësoi anglishten. U bashkua me partizanët në vitin 1942. Ai studio në një shkollë ushtarake në Napoli dhe studimet e tij u ndërprenë për shkak të pikëpamjeve të tij antifashiste. Më pas ai u trajnua në kurs ushtarak në Tiranë dhe kjo i shërbeu që të punonte si një zëvendëskomandant batalioni në brigadën ndërkombëtare “Garibaldi”.
Pas dështimit të republikanëve ai u internua në Francë. Ai u kthye në Shqipërinë e pushtuar nga italianët në vitin 1942, bashkëpunoi me partizanët dhe shkoi të komandojë një brigadë dhe më pas një divizion. Trupat e tij çliruan Tiranën dhe asgjësuan një revoltë antikomuniste në rajonin e Shkodrës.
Karriera e gjeneralit
Më vonë gjeneral Shehu studioi në Akademinë Ushtarake “Voroshilov” në Moskë dhe pas kthimit u ngrit me shpejtësi në detyrë si shef shtabi, anëtarë i Byrosë Politike dhe ministër i Brendshëm, i ngarkuar për çështjet e sigurisë së brendshme.
Që në fillim mbrojtës i tezës së prishjes së marrëdhënieve me Titon, ai për një kohë të shkurtër ngeci deri në vitin 1949, kur u largua Titoja nga Cominform-i. Në vitin 1954 ai bëhet kryeministër. Në vizitat në Kombet e Bashkuara në periudha kohore të ndryshme, gjeneral Shehu pritej në mënyrë të ngrohtë nga përfaqësuesit e Moskës dhe Pekinit. Ai shkoi në Nju Jork në vitin 1960 për të ndjekur sesionin e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, arrin me sukses përballë me armikun e tij të egër, mareshal Titon.
Ndërsa në Nju Jork lëvizja e tij ishte kufizuar vetëm në Manhatan dhe prania e tij kërkonte siguri të rreptë, kjo solli përplasje të zhurmshme në radhët e fraksioneve të ndryshme të emigrantëve shqiptarë. Por ai arriti t’ia dalë me sukses të vizitojë “Harlem” dhe “Empire State Building”.
Ai ishte martuar me Fiqrete Sanxhaktarin, një ish-mësuese, të cilën ai e takoi kur ajo ishte partizane. Gjithçka ishte spekulim për përkeqësimin e shëndetit të tij në fillimin e këtij viti, kur ai la detyrën e ministrit të Mbrojtjes, por ai nuk e dinte se kishte ndonjë problem shqetësues me shëndetin gjatë viteve të fundit.

Shkrimi është publikuar në “The New York Times” më 19 dhjetor 1981

Artikulli është marrë nga agjencia “Reuters”

Titulli është redaksional. Titulli origjinal është “Gen. Mehmet Shehu dead at 68; served Albania as prime minister”

Përgatiti: Albert Gjoka

9 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›