Hungaria do të lobojë për Serbinë
Gjatë kryesimit të saj me BE’në në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, Hungaria do të angazhohet që Serbia të marrë një mendim pozitiv nga Komisioni Evropian për fitimin e statusit të vendit kandidat për BE, deklaroi ambasadori hungarez në Beograd, Oskar Nikovic.
“Lidhur me integrimin e Serbisë gjatë periudhës së kryesimit hungarez me BE’në nuk është planifikuar ndonjë hap konkret. Gjatë gjysmës së dytë të vitit, me gjasë diku në nëntor, Komisioni Evropian do të përgatis një avis-mendim, në bazë të të cilit do të vendoset për statusin e vendit për anëtarësim”, theksoi Nikovic gjatë një interviste për portalin EurActiv Serbia.
“Gjatë përgatitjes së mendimit të atij mendimi ne do të ofrojmë gjithë ndihmën e nevojshme për Serbinë që ajo t’i përmbushë kushtet, e nga ana tjetër edhe do të lobojmë në interes të një mendimi pozitiv të Komisionit”, sqaroi tutje Nikovic.
Sipas tij, Hungaria do të shfrytëzojë kryesimin me BE’në për të mbajtur në qendër të vëmendjes integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE. Megjithëse, siç tha, shteti që kryeson me Unionin nuk ka kompetenca aq të gjera sa të mund të realizojë të gjitha prioritetet e veta.