Xhilian Anderson, dosja x e një aktoreje
Ka qenë një kohë, disa vite më parë, kur e tërë bota u çmend pas Xhilian Anderson, ose siç njihej personazhi i saj që e bëri të famshëm në serialin “Dosjet X”, Dana Skully. Ishte një kohë kur nëpër internet u çelën dhjetëra faqe me emrin e saj në të cilat fansat e shumtë shprehnin pa fund admirimin e tyre për një aktore që kishte arritur majat e karrierës personale. Shumë revista e konsideruan si femrën më seksi të planetit, më tërheqëse dhe më të bukur të viteve të fundit. Ajo u shfaq nëpër emisione televizive, nëpër kopertinat e gazetave dhe revistave më të famshme të modës dhe spektaklit. Për shumë kohë e pati të pamundur që të dilte vetëm në rrugë, sepse fansat e saj do ta sulmonin për t’i kërkuar autografe. Por bëhet fjalë për një kohë të shkuar, sepse me kalimin e viteve dhe mbi të gjitha me përfundimin e serive të filmit që u shndërrua në hit, ra edhe vrulli i admiruesve të aktores së shkurtër, por sharmante. “Sot nuk më ndalon më njeri dhe për fat nuk më duhet që të dal e maskuar me shalle, apo me syze të mëdha për të qenë e qetë. Unë nuk përbëj më për njerëzit një fenomen të jashtëzakonshëm dhe më në fund jam e qetë”, thotë Anderson, ndërkohë që aktualisht ndodhet në Londër. Por tashmë edhe pamja e saj e jashtme ka ndryshuar pak nga ajo me të cilën ishin mësuar ta shihnin adhuruesit në serialin “Dosjet X”. Anderson i ka rritur flokët të cilët i ka lyer me një ngjyrë diku mes kafes dhe të verdhës. Në trup është e shkurtër, shumë më e shkurtër nga sa mund ta imagjinoni, por është plot nerv dhe gjallëri. është një grua shumë e thjeshtë e me humor, me një pamje të freskët dhe po aq joshëse si ajo e viteve më parë edhe pse tani i ka kaluar të 40-at. Kur kujton vitet e famës së madhe dhe shndërrimin e saj të beftë në një seks-simbol i vjen për të qeshur, sepse e kupton se sa kollaj mund të shndërrohesh nga një person normal në një yll kur ke rreth vetes ekspertët më të mirë të marrëdhënieve me publikun dhe të botës së reklamave. Një nga vështirësitë më të mëdha me të cilat është ndeshur gjithmonë ka qenë ndryshimi shumë i shpeshtë i peshës trupore. “Pesha ime luhatet vazhdimisht dhe mund të kalojë nga një peshë ekstreme në të kundërtën e saj. Në fakt, gjithçka ka të bëjë me gjendjen shpirtërore dhe sigurisht shtatzënive. Për sa i përket personazhit tim, ai pati sukses edhe për arsyen se përfaqësonte një amerikane të shtresës së mesme që kishte bërë shumë përpara në profesionin e saj dhe ishte një person shumë pozitiv dhe enigmatik njëherazi”.
Seriali “Dosjet X” është i mbushur me histori paranormale, të çuditshme shumë misterioze dhe ndjellëse që në fakt bënë që ai të arrinte një shikueshmëri maksimale dhe të fitonte shumë çmime të mëdha televizive ndërkombëtare. Kjo vlejti edhe për protagonistët e serialit, Danën, dhe agjentin tjetër shumë simpatik dhe po aq të suksesshëm, David Dacovni. Aventurën me këtë serial ajo e nisi kur ishte vetëm 24 vjeç dhe filmi vazhdoi të xhirohej dhe të shfaqej për një dhjetëvjeçar të tërë. Por ndërsa ishte bërë e famshme me personazhin e Danës, Anderson kishte frikë se tashmë do të njihej vazhdimisht si Dana dhe do të ishte shumë e vështirë që të interpretonte një tjetër rol që do ta shkëpuste publikun nga imazhi i agjentes sekrete. Në fakt, seriali i hapi rrugën e suksesit dhe të vërshimit të propozimeve të shumta kinematografike. Që nga përfundimi i serialit në vitin 2002 ajo nisi një rrugëtim të ri tashmë në botën e filmit të kinemasë. Kështu solli shumë personazhe që në fakt kanë lënë mbresë te publiku si Lili Bartin në “The house of Mirth” në të cilin interpreton një nënë irlandeze e ku i duhej që të interpretonte duke përdorur një theks irlandez, Lady Dedlock e të tjerë si këto. Fillimisht atë e tërhiqnin projektet e mëdha dhe të kushtueshme, por më pas i pëlqeu që të përfshihej në projekte më të vogla në mënyrë që vendin e parë në jetë t’ia kushtonte familjes. “Kur jam duke punuar për diçka që më çon larg shtëpisë për muaj të tërë nuk ndihem mirë dhe nis të humbas balancën e brendshme”, rrëfen ylli. Kjo është arsyeja që duke qenë se jeton në Londër të pranojë punë që kryhen në këtë qytet si filmi i fundit “Boogie Woogie”, një film i bazuar në satirën e zezë bazuar në një roman autobiografik. është një film i drejtuar nga një regjisor që e ka filmin artistik për herë të parë duke qenë se është bërë i njohur vetëm me filma të famshëm dokumentarë. Megjithatë, vetë Anderson e pëlqeu shumë skenarin dhe mendoi që pjesëmarrja në këtë film ishte vendimi i duhur në kohën e duhur. “Në fakt, kur nisa të lexoj skenarin, fillimisht nuk më pëlqeu, por sa më shumë kohë kalonte aq më shumë më pëlqente derisa në fund nuk e pata fare të vështirë që të pranoja menjëherë këtë ofertë që më ka zbavitur shumë veç të tjerash”, bëhet fjalë për një film që hedh një vështrim retrospektiv në një sektor që Adnerson e njeh shumë mirë personalisht: industrinë e filmit. Filmi është i pasur me personazhe që interpretojnë aktorë, regjisorë, producentë e njerëz që janë pjesë e kësaj bote. Ndërkohë, filmi rrëfen edhe diçka për botën e koleksionistëve të veprave të artit. “Unë jam një koleksioniste e vogël e veprave të artit, por ndryshe nga disa personazhe të filmit që i blejnë veprat e artit vetëm për tregti, pra për t’i shitur me një vlerë më të madhe, mua më pëlqen që një gjë të bukur ta kem përgjithmonë dhe mundësisht përpara syve që të më frymëzojë dhe furnizojë me energji të mira kur ta kem të nevojshme”. Xhilian aktualisht jeton në periferi të Londrës me partnerin dhe fëmijët e tyre, një vendim që në njëfarë mënyre i ka plotësuar një cikël të plotë. Ajo ka lindur në çikago dhe më pas ka shkuar në Porto Riko, në fëmijërinë e hershme për të vazhduar sërish jetën në rrethinat e Londrës. Familja e saj erdhi në këtë vend kur Xhilian ishte vetëm 4 vjeç, sepse i ati fitoi një vend në shkollën e filmit. Ndaj kujtimet e saj të fëmijërisë janë të përziera mes Amerikës dhe Londrës. Këtë e tregon edhe theksi i saj që herë është britanik dhe herë është amerikan. Kjo i ka dhënë mundësi shumë të mëdha për të marrë si role britanikesh, ashtu edhe role amerikanesh. Në fëmijërinë e saj të cilën e kaloi së bashku me motrën dhe vëllain personi më kryesor dhe i qenësishëm ishte e ëma që ishte edhe ajo që sillte bukën në familje. Ajo ishte një analiste kompjuteri që punonte për një bankë të fuqishme në Londër. Sa i përket të atit ai nuk e pati të lehtë që me të mbaruar shkollën e filmit të punësohej. Kështu kaloi një periudhë të gjatë i papunë dhe më pas vendosi që t’u dedikohej punëve të rëndomta për të arritur të sillte ndonjë të ardhur në shtëpi. Por pikërisht ndërsa i kishte humbur shpresat i caktojnë një detyrë interesante: regjisor të një reklame. Në atë kohë Xhilian ishte vetëm 11 vjeç dhe kështu familja u detyrua që të rikthehej në Shtetet e Bashkuara në Miçigan këtë herë. Pikërisht në këtë moment edhe Xhilian vendosi që të merrte pjesë në një audicion për rolin e Lizës në Botën e çudirave edhe pse për rolin kryesor do të konkurronin qindra vajza. Fitorja e këtij roli i dha shumë besim në vetvete dhe mbi të gjitha i tregoi mundësinë e një rruge të re që duhet të ndiqte në jetë, atë të aktrimit. Deri në atë kohë kishte pasur probleme me shkollën, nuk i pëlqenin mësimet dhe befas e pa veten në një perspektivë krejtësisht të re. Pas rolit të parë u bë disi e njohur, por ndërsa ky rol ishte një rol teatror ëndrra e saj ishte kinemaja. Vendosi që studimet e larta t’i vazhdonte për kinematografi dhe në këtë rrugë është e kotë që të mohojmë edhe ndikimin që kishte tek ajo i ati dhe zgjedhja e tij profesionale. Gjatë kësaj periudhe jetoi në Nju Jork para se të zhvendosej në Los Anxhelos në vitin 1992 për të kaluar një vit të gjatë dhe të vështirë dështimesh të njëpasnjëshme nëpër audicione rolesh. Edhe kur filluan audicionet për rolin e saj të ardhshëm në “Dosjet X”, fillimisht ajo ishte e pashpresë. Autorët e filmit donin që personazhi i Danës të ishte shumë më seksi sesa Xhilian. Kjo sepse moda e femrës së atyre viteve ishte një femër shumë sensuale me forma ndjellëse trupore. Por befas pati një ndryshim të autorit të filmit Chris Carter, i cili nisi që të kërkonte femra me pamje më serioze në mënyrë që të fuste më në fund një tjetër tip femre, nga ato që janë të zgjuara dhe jo domosdoshmërisht bomba seksi. Në këtë moment nisi të shkëlqente edhe ylli i aktores që ishte dëshpërimisht në kërkim të një roli dhe që mori rolin që do të shndërrohej në pedanën e saj të karrierës së ardhshme. Carter me ta parë Anderson vendosi që të ishte ajo personi i përshtatshëm për rolin dhe kjo ishte një fitore e jashtëzakonshme. Por duke qenë se bëhej fjalë për një kohë shumë të gjatë të jetës që ajo e kalonte në xhirime Xhilian nuk kishte për shumë vite jetë sociale dhe domosdoshmërisht që edhe partnerin do ta kërkonte brenda stafit të punës. Kështu shumë shpejt u lidh dhe u martua me një asistent të regjisorit Clyde Kloz, por ishte një martesë që zgjati vetëm 3 vjet dhe prej saj erdhi në jetë një vajzë me emrin Piper që tani është 15 vjeç. Një dhjetëvjeçar nga lindja e vajzës së parë Anderson bëri një martesë të dytë me regjisorin e filmave dokumentarë, Julian Ozane. Por edhe kjo martesë ishte shumë e shkurtër dhe zgjati vetëm 17 muaj. Një periudhë e vështirë për Anderson ishte kur ajo e shihte veten shumë shpesh nëpër faqet e revistave skandaloze të cilat shpesh shkruanin edhe gjëra të paqena për të. Më pas vjen shtatzënia e saj e dytë, por këtë herë me partnerin e ri, biznesmen. Ndërsa Felix është fëmija i tyre i dytë që ka ardhur në jetë dy vjet më parë. Ndërkaq, Anderson e kupton se sa i madh është ndryshimi i të jetuarit me dikë që nuk bën pjesë në botën e filmit dhe që është jashtë vëzhgimit të paparacëve. Po a do të martohet Andersen për herë të tretë? Kësaj pyetjeje nuk di që t’i japë ende ndonjë përgjigje, sepse për momentin po shikon jetën e cila më në fund është e qetë dhe e paqtë.