E Shtunë, 31 Tetor 2026

Femrat që sfidojnë Ajatollahun

Parinoush Saniee është një nga shkrimtaret që rrëfejnë histori dashurie, martesa me detyrim, revolucionarë të zhgënjyer, duke i dhënë zë gjysmës tjetër të qiellit: “Ahmadinexhadi na e ka frikën, sepse jemi të përgatitura dhe e dimë se çfarë duam”

Një grua tepër e trukuar, me xhaketë dhe pantallona, del nga dyert e aeroportit të Frankfurtit. Quhet Parinoush Saniee, është 61 vjeçe dhe ka ardhur në Gjermani për t’i bërë një vizitë familjes që jeton prej shumë vitesh këtu. Ajo vetë nuk e ka braktisur Teheranin, vazhdon të jetojë ende aty, duke ushtruar profesionin se saj si psikologe dhe shkrimtare. Libri i saj i parë “Ajo që më pret”, sapo është publikuar në vendet europiane, pasi u ndalua në Iran, kur erdhi në pushtet Presidenti fundamentalist, Mahmoud Ahmadinexhad. Por Sainee nuk u dekurajua. Me ndihmën e avokatit Shirin Ebadi, i cili ka fituar çmimin “Nobel” për paqen, e fitoi betejën dhe libri u publikua. Edhe romani i saj i katërt dhe i fundit u ndalua nga Ministria e Kulturës islamike, por pati një fat më të keq, sepse nuk iu lejua që ta publikonte. Libri flet për familjet iraniane që kanë emigruar, për disa të tjera që nuk kanë mundur, të cilat takohen pas 30 vjetësh dhe e akuzojnë njëra-tjetrën pa e kuptuar arsyen.

Libri “Ajo që më pret” tregon historinë e një vajze të quajtur Masumeh, e cila në moshën 15-vjeçare, në Teheran, dashurohet me farmacistin e turpshëm, Saied, por vëllezërit e saj e rrahën për vdekje dhe e detyruan të martohej me Hamid, një njeri krejt i panjohur për të. I mistershmi Hamid në të ardhmen do të zbulonte se ishte një njeri i mirë, i cili duke u besuar sirenave të revolucionit islamik të vitit 1978, do të luftonte për të përmbysur regjimin e asaj epoke. Masumeh duroi vetminë, frikën, nuk pretendonte asgjë, e vetme mbante mbi shpatulla peshën e rëndë të familjes dhe fëmijëve. Jeta e saj ka kaluar nga një regjim në tjetrin, duke bërë që të humbiste edhe të shoqin, i cili u dënua me vdekje. Sot është një grua në moshë, e plakur dhe tepër e lodhur nga ajo ç’ka hequr, pyet veten: “Po unë kush isha? U sakrifikova për nder të babait dhe vëllezërve të mi, pagova shumë për idealet e bashkëshortit tim, për zgjedhjet e tij prej heroi, por edhe për detyrat ndaj vendit dhe fëmijëve të mi. është njësoj si të mos ekzistoja dhe të mos kisha asnjë të drejtë. Kur kisha jetuar dhe punuar për veten? Kur kisha pasur të drejtë të vendosja?”.

E ulur në një nga ndenjëset e aeroportit, shkrimtarja kujton peripecitë e heroinës së saj: “Ndërsa provon dashurinë e parë, Masumeh detyrohet të martohet me një tjetër. Edhe pse respekton të shoqin, dashuria që iu mohua mbetet gjithmonë në mendjen e saj si një ndjenjë e ndërprerë”.
Romani i saj lindi nga kërkimet e shumta si psikologe mbi brezin e lindur në vitet ’40: “Ka shumë femrat, të cilat janë sakrifikuar për prioritetin e familjes, duke hequr dorë edhe nga dashuria; të tjera që i janë dedikuar aktivizmit politik, të cilat në masakrën e ëndrrave dhe utopive, sakrifikuan feminilitetin e tyre. Nga ai brez sot ka lindur një tjetër që i njeh të drejtat e veta”. Saniee ua ka kushtuar romanin prindërve të saj, “të cilët besonin te dashuria”, dhe bashkëshortit “shoku dhe mbështetësi i saj kudo”, të cilin e njohu në universitet dhe që vdiq para një viti. E lindur në Teheran dhe e rritur në një familje intelektualësh, familjarët i mësuan që studimi ishte prioritet. Sipas Saniee, problemi primar i iranianeve nuk është ai që duhet të mbajnë perçe, por ligjet diskriminuese të regjimit islamik. Në Iran, femrat janë më të shkolluara se meshkujt. Mbi 65 për qind e studentëve në universitete janë të gjinisë femërore. Gjithashtu, femrat gjenden në të gjitha fushat e kulturës: docente, inxhiniere, intelektuale. “Qeveria dëshiron të vendosë kuota për të ulur numrin e studenteve. Presidenti Ahmadinexhad ka frikë nga femrat, sepse këto të fundit e dinë se çfarë duan dhe përpiqet t’i ndalojë në arritjen e të drejtave të tyre”, thotë shkrimtarja. Miratojnë ligje për të detyruar mjeket femra të kurojnë vetëm pacientët e së njëjtës gjini. “Gjatë viteve të fundit, qeveria po përpiqet t’i ndalojë meshkujt të diplomohen në gjinekologji”, shton ajo. Shkrimtarja tregon gjithashtu, se zakoni i martesave me shkuesi, si ai i heroinës së saj, Masumeh, ekziston si nëpër qytete ashtu dhe fshatra. Në qytetet e mëdha, njerëzit takohen, dashurohen dhe martohen si në Perëndim. Ajo kujton se dënimi i kurorëshkelësve nuk ekzistonte para revolucionit islamik dhe futjes së kodit të “sharia”-s. Femrat arrestohen, sepse protestojnë në rrugë kundër abuzimeve të ligjëruara, përfshi këtu edhe poligaminë, martesat me kohë të shkurtër dhe kujdestarinë e fëmijëve, që sipas kodit islamik të drejtën e kanë baballarët.

“Për islamin, një burrë mund të ketë deri në katër gra”, kujton Saniee. “Ato me kohë të shkurtër, janë kontrata për një natë, një muaj, një vit, për të ligjëruar të dashurat”. Një grua mund ta ketë të lehtë për t’u ndarë, por divorcin mund ta marrë vetëm në raste ekstreme, kur i shoqi për shembull është i droguar. Aktualisht që të martohesh për herë të dytë, burri duhet të marrë lejen e gruas së parë. “Megjithatë, qeveria po përpiqet të aprovojë një ligj që e shmang atë leje”, thotë Saniee.
Në vendin e saj puna e një gruaje është sa gjysma e asaj të burrit. “Në gjyq dëshmia e dy femrave vlen sa ajo e një burri të vetëm. Nëse në një aksident automobilistik lëndohen një burrë dhe një grua, burri kompensohet më shumë. Gjithashtu, është burri ai që duhet t’i japë gruas lejen për të udhëtuar, ose për të punuar”. Shkrimtarja tregon se pas revolucionit, në Iran ka filluar të bëhet një jetë e dyfishtë. “Nëpër shtëpitë tona kemi dhe përdorim produkte perëndimore. Sapo dalim nga shtëpia duhet të vëmë perçe në kokë, të veshim pallto, çorape të gjata, ose pantallona, që askush të mos na ndëshkojë”.

Pas revolucionit islamik, ka pasur një ringjallje të shkrimtareve, të cilat e kanë treguar realitetin me një guxim që u ka munguar meshkujve. Për ta bërë këtë gjë u është dashur të zgjedhin mërgimin: nga Azar Nafisi, autorja e librit “Të lexosh Lolitën në Teheran”, që e ka shkruar romanin në Shtetet e Bashkuara, te Chahdortt Djavann, emigroi në Francë, e cila ka publikuar librin “Ndërresa”, ditari i një 14-vjeçareje të dënuar me vdekje që i nguli një thikë në fyt mullahit të vjetër, i cili po e përdhunonte.
“Jo vetëm letërsia, por të gjitha format e tjera të artit (piktura, skulptura, kinemaja) patën një zhvillim të madh pas revolucionit. Ndoshta kjo ka ndodhur për faktin se kur ndien presion, sheh me kujdes brenda teje dhe i shpreh ndjenjat përmes artit”, thotë shkrimtarja. Duke qëndruar në Teheran, Saniee ka paguar çmimin e humbjes së lirisë. Nuk e ka dashur librin e saj të tretë, historia e binjakeve siameze iraniane, sepse e ka limituar veten për të shmangur censurën. “E kam prekur me dorë dhimbjen në vendin tim. Nga jashtë mund të mos e njoh më vuajtjen e popullit tim. Por pavarësisht kësaj, unë dhe bashkëshorti im vendosëm që fëmijët t’i shkollonim jashtë shtetit, njërin në Gjermani dhe tjetrin në Angli. Një ditë, nëse kushtet e vendit tonë do të përmirësohen, ata mund të kthehen”. Gjithsesi, nuk dihet ende nëse një ditë, si familjet e librit të saj, ato që kanë emigruar dhe ato që kanë mbetur në vend, do të arrijnë të kuptohen me njëra-tjetrën apo jo.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›