E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Xhindi", Hetuesit “rrethojnë” Kurjanin e Roskovecin

Vrasja e Deputetit Xhindi kalon ne "siten" e hetuesve. Hetuesit kanë intensifikuar grumbullimin e informacioneve kryesisht nga zonat e Kurjanit dhe në Roskovec, ku dyshojnë se ndodhet autori i ngjarjes së rëndë 

FIER-Vrasësi i deputetit Fatmir Xhindi dyshohet të jetë banor në Kurjan, ose në Roskovec. Hetuesit e Prokurorisë dhe policisë së krimeve të rënda kanë “zvogëluar” perimetrin e kërkimit për vrasësin e deputetit socialist në afërsi të banesës së vet në Roskovec të Fierit. Deputeti Xhindi u ekzekutua nga një breshëri automatiku teksa kishte zbritur nga makina e tij dhe afrohej për të hapur portën e oborrit të shtëpisë. Veprimet e autorit ose autorëve në një orar kur ka ende lëvizje të kalimtarëve të rastit, informacioni i saktë që ata kishin se deputeti lëvizte vetëm dhe zhdukja në errësirë pa shqetësuar dhe pa u vënë re nga askush, kanë shtuar dyshimet për pistën se autori është banor i zonës. Hetuesit kanë intensifikuar grumbullimin e informacioneve kryesisht nga zonat e Kurjanit dhe në Roskovec, ku dyshojnë se ndodhet autori i ngjarjes së rëndë. Policia dhe organet hetuese janë gjendur përballë kërkesës së përsëritur të të afërmve të deputetit Xhindi, për të zbuluar dhe vënë para drejtësisë autorët e krimit. Deputeti Xhindi ishte zgjedhur në tri legjislacione rresht deputet i zonës së Roskovecit në Fier dhe ishte planifikuar të ishte edhe në listat e zgjedhjeve që u zhvilluan në fund të qershorit. Mbrëmjen e 2 majit, deputeti Xhindi i cili kishte dalë para mesditës nga shtëpia dhe pasi kishte punuar në tokat e tij dhe kishte marrë pjesë në disa takime elektorale, kthehej në banesë rreth orës 21:55. Autori e kishte pritur në një rrugicë midis disa magazinave të vjetra dhe banesës. I fshehur mirë nga errësira, ai i ishte afruar deputetit duke e qëlluar për vdekje me breshëri nga pas shpine. Në vendin e ngjarjes u gjet edhe një kuti me aspirina, që mendohet se i kishte konsumuar autori për të ruajtur përqendrimin.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›