Xhinsi, evolucioni i pantallonave më të famshme
Historia e xhinsit filloi me minatorët, vazhdoi me punëtorët e thjeshtë dhe po zhvillohet sot në pasarelat më të njohura, duke u bërë veshja më e përhapur në rrugët e të gjithë botës
Zanafillat e xhinsit
Xhinsi është një nga materialet më të njohura të veshjeve të sotme, ai është përfshirë kudo në stilimet e modës së shumë viteve dhe duket se koha e tij nuk do të kalojë kurrë.
Termi xhins iu referua modelit dhe materialit të pantallonave të shpikura prej Xhejkob Davis dhe Levi Shtraus në vitin 1873.
Historia e xhinsit filloi në Xhenova të Italisë, e cila ishte e famshme për pantallonat e saj kadife dhe prej pambuku, të cilat quheshin jean ose jeane.
Këto prodhoheshin në një fabrikë në Xhenova dhe ishin më shumë të ngjashme me pëlhurën e kadifesë sesa me xhinsin e sotëm. Lundërtarët filluan ta eksportonin xhinsin e Xhenovës kudo nëpër Europë. Kjo pëlhurë e veçantë u përpoq të imitohej edhe në qytetin Nimes të Francës, por pa sukses. Pavarësisht dështimit, industrialistët e këtij qyteti vazhduan përpjekjet dhe krijuan një lloj pëlhure të quajtur denim ose materiali i sotëm i xhinsit, që e ka prejardhjen etimologjike nga ky qytet, pra nga (de Nimes) i Francës.
Xhinsi arriti të bëhej i njohur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës vetëm në shekullin e 19. Një djalosh i quajtur Levi Shtraus emigroi në vitin 1851 nga Gjermania drejt Nju Jorkut për tu bashkuar me vëllain e tij më të madh, i cili drejtonte një dyqan mallrash.
Në vitin 1872, Xhejkob Davis, një tregtar që blinte bulona për rroba me shumicë nga Levi Strauss and Co, i shkroi Levit duke i kërkuar të bëheshin partnerë dhe të shisnin së bashku veshje.
Ideja e Devisit ishte të përdornin thumba për të përforcuar pjesët e pantallonave ku kishte më shumë presion, si për shembull në pjesën anësore të xhepave dhe te pjesa mbërthyese e pantallonave.
Pasi Levi e pranoi ofertën e Devisit, të dy burrat morën licencën në SHBA më 20 maj 1873, për Përmirësimin e fiksimit të xhepave.
Sipas mitit, Levi ua shiti fillimisht pantallonat e tij ngjyrë kafe minatorëve dhe i leu më pas me ngjyrë blu e ia dërgoi Devisit për ti vënë thumbat.
Megjithatë ky mit nuk është shumë i besueshëm dhe mendohet që ngjyra e tanishme e xhinsit u zbulua prej pambukut ngjyrë kafe, që fabrikohej në atë kohë dhe që ishte një prej lëndëve të para në punën e Devisit dhe Levi Shtrausit.
Duke e parë xhinsin si një material shumë të përshtatshëm për pantallonat e punëtorëve, partnerët e biznesit filluan ta përdorin atë gjerësisht në prodhimet e tyre. Xhinsi i përdorur fabrikohej prej një prodhuesi që, sipas legjendës, shprehej se e kishte marrë atë nga qyteti i Nimes në Francë.
Fillimisht xhinsi ishte materiali i përditshëm i veshjeve të punëtorëve të fabrikave. Gjatë kësaj periudhë, xhinset e meshkujve e kishin zinxhirin në pjesën ballore, ndërsa femrat në anën e djathtë.
Vitet 1800 ose koha e uniformës së minatorëve
Ne nuk do të ishim në gjendje të vishnim xhinset tona blu sot, nëse nuk do të ekzistonin nevojat e minatorëve në atë kohë.
Me rritjen e tregtisë, të punës së skllevërve, plantacioneve të pambukut dhe me zhvillimin e minierave, punëtorët vendosën të ankohen për pantallonat e tyre prej pambuku, që griseshin fare lehtë.
Duke marrë parasysh këtë kërkesë të kohës, Lev Shtraus vendosi të prodhojë pantallonat e forta të xhinsit, të cilat do ti rezistonin punës së vështirë. Marrja e licencës së bashku me kolegun e ri të Levit, Deivisin, në vitin 1873, konsiderohet si datëlindja e bluxhinsit.
Vitet 1930-1940 ose kultura e kaubojit
Me kalimin e kohës xhinsi mori një rol tjetër në shoqëri, i nxitur edhe nga kultura pop. Shumë njerëz filluan ta shpenzonin kohën e tyre të lirë për të parë filma, në të cilët kaubojt rrinin mbi kuaj, qëllonin njerëzit e këqij dhe vishnin xhinse blu.
Ky ishte momenti kur meshkujt e rinj filluan të kërkonin në treg për pantallona xhinse, në mënyrë që të adaptonin stilin rastësor dhe ngacmues të kaubojve. Kështu xhinsi fitoi statusin e tij kult, nëpërmjet lidhjes së krijuar me idhujt e kulturës pop.
Xhinsi gjatë Luftës së Dytë Botërore
Një dekadë më pas, kur shpërtheu Lufta e Dytë Botërore, ishin ushtarët ata që morën rolin e modelëve të rinj të shoqërisë dhe u bënë heronj në sytë e të gjithëve.
Faktet tregojnë se ushtarët vishnin shpesh xhinse kur ishin jashtë detyrës, duke fituar në këtë mënyrë simpatinë e njerëzve. Në periudhën e Luftës së Dytë Botërore xhinsi nuk po prodhohej me shumicë, por falë ushtarëve amerikanë, kominoshet po përhapeshin me shpejtësi në të gjithë botën.
Vitet 1950 ose simboli i rebelimit
Të rinjtë e viteve 50 ishin të parët që përqafuan xhinsin si simbol të gjeneratës së tyre, duke imituar yjet e rinj të filmave amerikanë, siç ishin Marlon Brando dhe Xhejms Din.
Gjatë mesit të viteve 50, Din u shfaq me një palë xhinse Lee 101 Riders, në filmin Rebel pa shkak dhe krijoi kështu pikën kinematografike të