BERISHA, I MBYTURI QË KAPET PAS VESHIT TË SOJLIUT CEKA
Andrea Stefani - Ne nuk duam të vijmë në pushtet mbi dhimbjen e njerëzve, por me krenarinë për të bërë gjithçka për të shuar dhimbjen dhe kjo do të fillojë të arrihet kur të hiqet qafe diktatori Berisha. Kush i ka thënë këto fjalë të zjarrta kundër Berishës? Mos vallë lideri i opozitës, Edi Rama? Jo, janë tirada të Neritan Cekës në qershor 97, kohë kur ishte president i PAD dhe ngrinte tre gishta nëpër mitingje kundër Berishës. Në atë kohë propaganda e Berishës shpifi dhe e akuzoi Cekën se duke ngritur tre gishtat, kishte importuar në Shqipëri simbolin serb të Milosheviçit. Kanë kaluar thuajse 16 vjet dhe tabloja është përmbysur. Sot shohim Neritan Cekën që është bërë ambasador i diktatorit Berisha dhe që nga Roma shkruan letra të hapura kundër liderit të opozitës, Edi Rama, ku e akuzon se është treguar një diktator tepër i egër, sepse paska cekur veshin e djalit të tij, diplomat në Vjenë. Dhe thuaj pastaj që Shqipëria nuk po ndryshon!
***
Lexoj letrën e hapur të Neritan Cekës ku ai konstaton se Rama ka ndryshuar shumë që nga kohët kur paskëshin qenë miq dhe pinin kafe herë në Tiranë e herë në Paris. Dhe pyes veten se si mund të ndryshojnë njerëzit nën efektin shkatërrimtar të pushtetit shkruan Ceka. Vërtet?! Përpiqem të bëj krahasimin e kohëve dhe të njerëzve. Në vitin 1997 edhe Ceka edhe Rama ishin në opozitë kundër Berishës. Rama u rrah banditisht për vdekje, ndërsa Ceka u rrah me shkop gome gjatë protestës së opozitës për vjedhjet e zgjedhjeve të 26 majit nga Berisha. Sot Edi Rama është prapë në opozitë me Berishën, kundërshtari kryesor i tij, ndërsa Ceka është në anën e pushtetit, në anën e Berishës që dikur e denonconte publikisht si diktator. Ja lë në dorë lexuesit të gjykojë se kush nga këta të dy politikanë ka ndryshuar, nën efektin shkatërrimtar të pushtetit ai që është ende në opozitë apo ai që është në pushtet.
***
Vite më parë, në kohën kur Neritan Ceka ishte ministër i Brendshëm, i një prej qeverive socialiste është akuzuar nga gazeta RD se i ka dhënë urdhër policisë të arrestojë një qytetar që kish guxuar të kalonte me makinë para eskortës së Cekës dhe se sipas tij ai kish dashur ti bënte atentat. Në artikullin në fjalë, që mban autorësinë e E.Palokës, arrihet në përfundimin se gjendja mentale e Cekës është tepër e rëndë. Ceka gjithnjë është konsideruar i papërgjegjshëm dhe paranojak, por dështimi i plotë si ministër siç duket ka bërë që sëmundja të avancojë me shpejtësi. Tani qytetarët e Tiranës duhet të ruhen se mos dalin në rrugë kur kalon Ceka, pasi mund të akuzohen menjëherë si atentatorë. Do të ishte tepër e lehtë që të përdorje këto akuza kundër Cekës, të bërë nga aleatët e tij të sotëm, si argumente për të hedhur poshtë akuzat e Cekës ndaj Ramës. Për shembull të themi se frika që shfaq për veshin e të birit është gjurmë e së njëjtës paranojë. Por nuk do ta bëjmë këtë. Sepse e dimë fare mirë që të gjitha kanë qenë shpifje. Ne nuk besojmë se Ceka ka qenë i papërgjegjshëm dhe paranojak kur ishte ministër i Brendshëm i së majtës. Nuk besojmë në këto shpifje as sot kur është ambasador. Por nuk mund të mos konstatojmë se akuzat që ai i drejton liderit të opozitës janë pjesë, në mos e paranojës së regjimit, e një skenari shpifarak që diktatori Berisha, po ai i pandryshueshmi që Ceka u bënte thirrje shqiptarëve ta përmbysnin në vitin 97, e ka organizuar në mënyrë naziskine për të goditur liderin e opozitës. Pse themi në mënyrë naziskine? Sepse ka qenë në natyrën dhe taktikën e Hitlerit që, sikundër pohon vetë në Main Kampf, të godasë duke vjellë një rrjetë zjarri gënjeshtrash e shpifjesh ndaj kujtdo kundërshtari që i duket më i rrezikshëm. Dihet që Edi Rama është sot kundërshtari më i rrezikshëm për Berishën dhe prandaj ky i fundit, tamam si Hitleri, ka mobilizuar makinerinë e shpifjeve kundër tij. E akuzon për pallatin e Lindës në një kohë kur nuk justifikon dot me rrogë as apartamentin ku banon e jo më pasuritë e familjes. Berisha ka ngritur, në thelb, të njëjtën stuhi shpifjesh që pat mobilizuar dikur kundër Neritan Cekës kur ai ishte ministër i Brendshëm. Çudia është se pikërisht Ceka, që ka vuajtur mbi kurrizin e tij zellin e kësaj makinerie, bëhet një bulon i saj kundër liderit të opozitës dhe në shërbim të, përsërisim fjalët e Cekës, diktatorit Berisha. Ceka mund të pretendojë se Berisha ka ndryshuar, se nuk është më ai diktatori i vitit 97. Por Berisha ka dhënë prova gjatë 8 vjetëve qeverisje se jo vetëm nuk ka ndryshuar, por është përkeqësuar. Fakte? Ka vazhduar të vjedhë zgjedhje, ka vazhduar të kapë gjithë pushtetet, ka vrarë protestues të pafajshëm, ka akuzuar opozitën si puçiste dhe armike të popullit, ka keqpërdorur shtetin për të fuqizuar pushtetin duke punësuar militantë dhe flakur nga punërat publike jo militantët, ka thelluar korrupsionin duke pasuruar veten dhe oborrin e tij. Ka edhe shumë të tjera, të gjitha bëma tipike për diktatorët dhe liderët autokratë. Dhe Neritan Ceka është sot në krahun e këtij diktatori që ka 23 vjet që e zvarrit fatin e Shqipërisë edhe në sajë të kontributeve të ofruara në favor të tij nga politikanë si Ceka. Përse? Sepse sikundër thotë vetë Ceka, forca shkatërruese e pushtetit të ndryshon. Një krahasim i Cekës së vitit 1997 dhe këtij të vitit 2013, e provon fare mirë këtë. Ceka thotë se është sojli. Po a e dredhin sojlinjtë kështu?
***
Nuk mund të mos na kujtohet grotesku kadarean i këmbës së shkelur të kinezit Ping. Ngritja e komisionit hetimor nga Berisha, po na bën të besojmë se ashtu si dhe për këmbën e Ping-ut, do kërkohet një radiografi edhe për veshin e Cekës. Ceka shfaqet i revoltuar nga dhuna ekstreme e Ramës dhe bën thirrje që shqiptarët të shndërrojnë çështjen e veshit, në një moto për të mbajtur në pushtet diktatorin Berisha. Ka bërë një letër të hapur për veshin e të birit, por nuk ka bërë një të tillë as për të vrarët në Gërdec dhe as për ata në 21 janar. Me siguri ka adoptuar tezën se për masakrën e 21 janarit e ka fajin Rama sepse ai i solli protestuesit para Kryeministrisë. Por të thuash këtë, do të thotë të pohosh se Berisha është një egërsirë që vret. Dhe kush nxjerr protestues para Kryeministrisë është fajtor sepse, është njësoj si ti nxjerrë njerëzit para një tigri. Por edhe teza fajtor është ai që i solli dhe jo ai që i vrau, i ka këmbët e shkurtra si vetë gënjeshtra. Propaganda berishiste e ka akuzuar dikur ambasadorin e saj, Ceka, si fajtor për vrasjen e disa gardistëve në Cërrik gjatë trazirave të vitit 97. Ceka mund të mbrohet ndaj këtyre akuzave vetëm me tezën fajtor është ai që i solli gardistët në Cërrik. Por nuk e bën dot sepse në Cërrik, gardistët që u vranë i dërgoi Berisha. Ky i fundit ka thënë se gardistët shkuan në Cërrik për të mbrojtur shtetin nga rebelët e organizuar nga Ceka. Por Ceka nga ana e tij ka thënë se shteti i Berishës nuk mund të rrëzohej pa rebelim. Jo pak shqiptarë e mendojnë edhe sot e kësaj dite të njëjtën gjë. Një frikë që kthehet në bindje kur shikon Berishën të vendosur të qeverisë zgjedhjet me një gjysmë KQZ, me një ministri të brendshme që falsifikon lista zgjedhësish dhe një Kolegj Zgjedhor në shërbim të tij. Në fakt, Berisha lutet në fshehtësi që opozita ti drejtohet rebelimit. Ai po bën gjithçka, po shpalos arrogancë dhe tirani ekstreme që ta detyrojë opozitën ti drejtohet dhunës dhe të humbasë të drejtën. Por opozita, e grupuar në një koalicion që ka dukshëm shumicën e votuesve, duket se nuk do të bjerë në këtë kurth. Ajo shfaqet e vendosur ta përmbysë autokratin me votë. Prandaj dhe Berisha është më i dëshpëruar se kurrë. Kërkon ta tensionojë me çdo kusht situatën. Dhe si i mbyturi pas fijes së barit kapet pas veshit të Cekës.