Kinezëria në Vjenë, Komisioni në Tiranë
- Më ka pjellë me një kinez.
- Me një kinez? – ia bëri Silva.
- Pikërisht pak më parë po flisnim për ta, – tha Linda, që po vështronte gjithë kureshtje Viktor Hilën.
- Me një kinez tëtëOh, çkinez i poshtër,-mërmëriti Viktor Hila.
Linda zuri gojën me dorë për të mos ia plasur të qeshurit. Viktor Hila mori kafet nga bankierja dhe ua vuri secilës përpara.
- Dje më njoftuan se jam i pezulluar. Më kuptoni? As në punë, as i pushuar, por i pezulluar. Dhe gjithmonë për shkak të kinezit. Kam gjithë mëngjesin që po vërtitem në ministri për të zgjidhur ngatërresën dhe spo mundem dot. Më kuptoni? Spo mundem kurrsesi. Të gjithë janë bërë si të shurdhër.
- E çpunë keni pasur me kinezin? – pyeti Silva, pasi rrufiti filxhanin e kafesë.-Jeni grindur me të?
- Më keq,- tha Viktor Hila. – i kam shkelur këmbën.
Pjesë nga Koncert në fund të dimrit me autor I.Kadare
Incidenti shqiptar në Vjenë mes diplomatit tonë pranë OSBE-së, Egin Ceka, dhe kryetarit të PS-së, Edi Rama, po merr vlerën e një arsyeje të fortë politike dhe të një procesi njëpërdorimësh që vlen për procesin aktual elektoral. Është një angazhim serioz i pozitës për një arsye që nuk e zëvendëson dot peshën e groteskut me asnjë peshë tjetër, pavarësisht se për të po vihet në lëvizje edhe Parlamenti i ditëve të mbetura, edhe ditët e oratorisë elektorale të Kryeministrit. Kjo ngjarje, por sidomos protagonizmi i beftë i personazhit të incidentit, diplomatit Ceka, nuk ka se si të mos të të çojnë në shëmbëllesa apo reminishenca me personazhet e letërsisë socreale. Në rastin më të parë, ky incident të sjell në mendje pasazhin të cilin kemi sjellë në hyrje të këtij shkrimi, dhe groteskun kadarean te romani Koncert në fund të dimrit. Është fjala për kinezin, të cilit i pati shkelur këmbën Viktor Hila. Një qeshje e madhe dhe një buzagaz publik që pason çdo seriozitet të shumicës për të ngritur një komision hetimor dhe për të ndjekur subjektin në krijim e sipër nga politika e këtij vendi. Do të hetohet kreu i opozitës pas kësaj, si në kohë të Adhamudhit, do të thoshte Noli. Një përpjekje që shemb vetvetiu çdo lloj serioziteti të sipërmarrësve dhe të shumicës së këtij Parlamenti. Një histori groteske parlamentare në epilog të këtij Kuvendi, i cili në kohën e ardhme ka për tu vlerësuar dhe cilësuar si më joseriozi i një kohe me problematika dhe rreziqe shumë serioze për vendin dhe sidomos shoqërinë shqiptare.
Por grotesku në këtë skenë politike nuk është vetëm kaq. Ai nuk ka hyrë vetëm në Kuvendin e këtij vendi, por është me sa duket, material bazë mbi të cilën funksionon dhe lëvrohet politika shqiptare.
Le të sjellim në vëmendje të lexuesit vetëm dy episode dhe një ngjarje vijuese në skenën partiake dhe në betejën politiko-partiake të vendit. Është fjala për disa episode që nuk burojnë dhe kanë të bëjnë vetëm me batutat e Kryeministrit Berisha dhe reagimet e përkundërta të kreut të opozitës, Rama.
Në qendër të debatit dhe akuzave partiake në vend është vënë Partia Aleanca Kuqezi e kryesuar nga Kreshnik Spahiu. Një mësymje e cila, ndryshe nga aksionet e njohura të denigrimit apo denoncimit ndërpartiak në vend, kësaj here ka ardhur fill pas vendimit të këtij politikani të ri për të qëndruar jashtë koalicionit opozitar të 35 partive, për shkak të kërkesave jo përkuese me realizmin dhe sidomos meritokracinë politike në spektrin opozitar të koalicionit të drejtuar nga Edi Rama. Mediat edhe pse kanë marrë të mirëqena kushtet e papublikuara zyrtarisht nga dy selitë partiake apo nga zyrat e protagonistëve të marrëveshjes së pangritur, pra zotërinjve Rama-Spahiu, më tepër janë marrë me diversitetin e brendshëm të AKZ dhe me denoncimin e saj pas mosmarrëveshjes nga zoti Rama si sorrë. Nuk është kryer asnjë përçapje mediatike për të investiguar të vërtetën e qenë apo të hamendësuar të dyshimit se zoti Spahiu qenka një sorrë e Berishës. Sikundër edhe pse kanë kaluar kaq ditë, nuk po sillet një tablo e plotë qëndrimesh për diversitetin e mundshëm për vendimmarrjen politike elektorale në forumet dhe mes drejtuesve kryesorë të kësaj force të re politike. Sidoqoftë, grotesku edhe këtu paraqitet jo vetëm me peshë specifike të lartë, por edhe me subjekt intrigues akuzash, denoncimesh, shantazhesh dhe sidomos betimesh dhe qëndrimesh. Politikani i ri i forcës që mori pamjen dhe përmbajtjen e aksionit për një devizë kombëtariste, pra zoti Spahiu, vetëgjendet në pozitën më groteske të jetës së re politike. Ai ndodhet para një situate shpartallimi dhe shantazhimi edhe kur ka të afishuar, aksionin për një rrëzim paraelektoral të Kryeministrit Berisha. E gjithë tabloja dominohet nga elementet e të pabesueshmes që trumbetohet gati si në gjendje autosugjestioni prej protagonistit të ri të AKZ-së, si një realitet i pashmangshëm. Te ky raport i zotit Spahiu me Kryeministrin e acaruar, Berisha, ka diçka prej kinezërie. Pra në mos është underground-i, së paku është kërcënimi i tij i pafuqishëm numerik për rrëzim të të gjithëpushtetshmit të deritanishëm.
Por grotesku në skenën politike të vendit nuk shkumëzon vetëm në kësi detajesh dhe episodesh të ndodhisë politike zyrtare. Ai ka edhe brendi të tjera të vogla, të cilat gjallojnë përditshmërisht në realitetin e mbarsur elektoral.
Daljet, sipas mediave, në dorëheqje e 17 drejtuesve të departamenteve të AKZ-së, njëherazi pasojnë edhe disa kalime në turma anëtarësh të zonave periferike të vendit nga njëra forcë partiake te tjetra. Një lajm i ricikluar kohë pas kohe nëpër mediat tona dhe që shpesh edhe në prani politikanësh. Lajm që herë shfaqet në Shkodër si tufë që kalon nga PD te PS dhe herë në Bulqizë, apo herë në Lushnjë që kalon nga LSI-te PS apo anasjelltas. Një tufëzim i tillë stinor që e banalizon politikën lokale, por më së shumti shton peshën specifike të groteskut të përfaqësimit partiak dhe sidomos të përkatësisë politike në këtë spektër shqiptar. Janë detaje dhe episode të një subjekti grotesk që vjen prej realitetit me substancë të plotë parashoqërore dhe parapolitike në këtë vend. Udhëheqësia apo më saktë paria e vendit, këtë substancë nuk bëjnë përpjekje dhe nuk gjejnë asnjë medikament për ta minimalizuar, ata për arsyen e njohur të interesit të tyre manipulues, kanë rithirrur sërish në skenë vetëm ndërgjegjen tufëzuese të qytetarëve nga qendrat në periferi. Në këtë mënyrë kjo skenë elektorale, për ditët e ardhme premton vetëm shtim të mëtejshëm të peshës dhe morisë faktologjike të groteskut. Rasti i kinezërisë në Vjenë dhe i komisionit hetimor në Tiranë, përbën kazusin më të freskët. Por në epiqendër të skenës aktuale elektorale, fatalisht aktorë nuk janë vetëm prijëtarët e turmave, por kryeaktor i shumë karaktereve është sovrani pa sovranitet, domethënë ky popull.
“Kinezëria” në Vjenë, Komisioni në Tiranë burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email
