Dhuna në familje mbledh krerët e njësive vendore
Lezhë – Shtimi i rasteve të dhunës në familje ka nxitur nismën për ngritjen e komitetit drejtues për bashkërendimin e veprimtarisë së institucioneve dhe autoriteteve përgjegjëse në nivel vendor në Lezhë. Për këtë qëllim është organizuar edhe një takim me drejtues e 13 institucioneve lokale dhe rajonale për të diskutuar mbi mekanizmin referues. Kryetari i bashkisë, Viktor Tushaj, kërkoi mbështetjen e të gjithë institucioneve për parandalimin dhe reduktimin e dhunës. Ndërsa kryetarja e Gjykatës së Lezhës, Fjoralba Prifti, theksoi se fenomeni i dhunës është tepër shqetësues dhe jo të gjitha rastet i referohen gjykatës, pasi gratë e dhunuara hezitojnë të denoncojnë dhe sipas saj dhuna shpesh po çon në ndodhjen e krimeve të rënda brenda familjes. Drejtori i Policisë së Qarkut të Lezhës, Arben Hajdarmataj, theksoi se pranë kësaj drejtorie funksionon struktura kundër dhunës në familje. Kreu i policisë kërkoi bashkëpunimin e të gjitha institucioneve për të parandaluar dhunën. Ndërkohë, ajo çfarë është më shqetësues është fakti se po rritet numri i rasteve të dhunës së fëmijëve ndaj prindërve, kryesisht e fëmijëve që janë përdorues të lëndëve narkotike, të cilët kërcënojnë prindërit e tyre, madje dhe duke i dhunuar që tu marrin para për të blerë drogën që konsumojnë. A. B.
Dhuna në familje mbledh krerët e njësive vendore burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email