Berisha reagon: “Ky është procesi zgjedhor më modern i zhvilluar në Shqipëri”
Gjatë mesditës së djeshme kryeministri Berisha ka reaguar përsa u përket deklaratave për probleme me kartat. Gjatë një takimi elektoral në komunën Synej në Kavajë, Berisha e cilësoi procesin zgjedhor më modernin të realizuar ndonjëherë në Shqipëri, pasi sipas tij, bazohet në një sistem dixhital të dhënash. Më tej ai u bëri thirrje qytetarëve që të marrin kartën e identitetit në mënyrë që të marrin pjesë në zgjedhjet e 28 qershorit. “Ky proces zgjedhor është procesi më modern në historinë e vendit. Bazohet në dokumentacionin më të shkëlqyer, në një dokumentacion tërësisht dixhital. Por, ju keni një detyrë madhore: marrjen e kartave të identitetit. Ata që nuk i kanë marrë, t’i marrin letërnjoftimet gjatë këtyre ditëve. Unë dua të përshëndes vëllazërisht 1 milion e 250 mijë shqiptarë që kanë aplikuar deri tani. Një milion e 250 mijë shqiptarë iu përgjigjën detyrimit të tyre qytetar dhe thirrjes së qeverisë shqiptare, por ne u bëjmë thirrje të gjithë atyre që nuk i kanë marrë ende që këto ditë të marrin letërnjoftimet, si detyrim madhor qytetar ndaj vetes, familjes dhe vendit të tyre. Është shans i madh që të votojnë në datën 28 qershor me standardin më modern në Europë, me letërnjoftimet më të reja dhe më moderne në Europë dhe t’u dëshmojmë vëzhguesve nga mbarë bota se për ne vota është themeli i demokracisë”, - është shprehur Berisha.
6 Qershor 2009