E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhoni Athanas, artisti Skënderbe



Promovimi i librit “Xhoni Athanas, njeriu dhe artisti”, i trajtuar në një vëllim publicistik nga gazetari Anxhelo Xhaçka, bashkon përsëri disa breza artistësh në një aktivitet që organizon sot Teatri i Operës dhe Baletit. Në kujtesën e të gjithëve, nëpërmjet fotove, filmimeve, këngëve e kujtimeve, vitet e karrierës së shkëlqyer të mjaft artistëve veteranë, mes të cilëve bën pjesë edhe tenori dramatik, Xhoni Athanas. I lindur në Brokton të Masaçusets, më 4 nëntor të vitit 1925, ai e kaloi fëmijërinë e tij në fshatin Grapsh të Devollit, por talenti që ra menjëherë në sy e detyroi djaloshin të zbriste në qytetin e Korçës. Leksionet e para tenori i ardhshëm i mori nga profesori i muzikës Spiro Konda, përvojë e cila u thellua më tej gjatë pjesëmarrjes me grupin “Lira” dhe me njohjen me kompozitorin Kristo Kono. Në vitin 1949, Xhoni e la Korçën për t’iu bashkëngjitur Korit të Ushtrisë së krijuar nga Gaqo Avrazi, i cili me personalitetin dhe autoritetin e tij, grumbulloi rreth vetes artistët më të mirë të vendit.

Tre vite me pas, Xhoni i drejtohet Moskës për t’u regjistruar në konservatorin “Çajkovskij”, në klasën e studentëve, të cilët u quajtën të preferuarit e profesorit Aleksandër Poturin, njëri nga solistët kryesorë bas-bariton i Balshoi Teatër të Moskës. Me kalimin e viteve, jeta koncertale e artistëve shqiptarë evidentoi vlerat e saj në shumë drejtime. Duke ndërruar çdo javë skenat e shfaqjeve dhe duke kënduar në të dyja gjuhët, Xhoni dhe shokët e tij u bënë mjaft të njohur pothuajse në të gjitha republikat e një shteti me shtrirje në dy kontinente. Madje, në Moskën e vitit 1957, në konkurrimin e solistëve lirikë nga e gjithë bota, personaliteti botëror i muzikës, tenori Italian Tito Skipa i dhuroi shqiptarit Xhoni Athanas medaljen e argjendtë.

Po atë vit, me medaljen në gjoks dhe diplomën në xhep, “këngëtari operistik e koncertal” u përshëndet me Moskën dhe iu drejtua Tiranës për t’iu bashkëngjitur trupës së Teatrit të Operës dhe Baletit. Karriera që nisi këtu, në aspektin zyrtar i kapërcen 16 vite, por atyre u shtohen edhe dy dekada të tjera, pasi tashmë “Artisti i Merituar”, Xhoni Athanas, nuk i ndërpreu lidhjet me skenën edhe kur u emërua pedagog i kantos në Institutin e Lartë të Arteve. Duke shfletuar repertorin e tij, ndeshesh me një botë të madhe shpirtërore, me lirikën e dramatikën e tenorit që shtrihet në dhjetëra role e varion në qindra shfaqje, për t’u shpërndarë në mendjet e zemrat e mijëra artdashësve të skenës klasike, muzikës së lehtë e asaj popullore. Me zërin e tij të bukur, të plotë e harmonioz, duke u shfaqur sa lirik, aq edhe tragjik, sa romantik e sentimental, po aq edhe në planin komik, ai kristalizoi tipin, karakterin dhe personalitetin e tij në skenë. Mjafton të kujtojmë disa role, si ai i Dodës te “Mrika”, i Sazanit te “Pranvera”, i Dhimitrit te “Lulja e kujtimit”, kuestorin e “Heroinës” apo Bash Murgjinin e “Boranës”, për të vijuar me Shonarin, djaloshin aristokrat Edvini, Don Bazilion, Manrikon, Borsën, paliaçin Kanio, Otellon e shumë e shumë të tjerë. Por, i fiksuar në kujtesën e të gjithëve është “Skënderbeu” i Prenk Jakovës, rol i cili e ngriti tenorin dramatik në piedestalin e arritjeve të tij artistike, pasi ai diti të krijojë një figurë të Gjergj Kastriotit, të studiuar aq mirë prej tij, sa kur vinte përkrenaren, pelerinën dhe shpatën, dukej si një Skënderbe i vërtetë, si një heroi madhështor.

Gjatë viteve të karrierës së tij, Xhoni ka udhëtuar nga njëri kontinent në tjetrin për të kënduar në mjaft shtete, si në Jugosllavi, Rumani, Bullgari, Hungari, Rusi, Ukrainë, Kirgistan, Uzbekistan, Taxhikistan, Turkmenistan, Bjellorusi, Lituani, Letoni, Estoni, Kinë, Mongoli, Vietnam etj. E nisi fillimisht me një këngë kineze kur bënte pjesë në Ansamblin e Ushtrisë, por më pas do të këndonte në rreth 15 gjuhë të huaja. Kudo ku shkoi, u cilësua nga media dhe artdashësit si një këngëtar me zë të fuqishëm dhe shumë komunikues me spektatorin.

Pas viteve 90’-të, tenori Athanas, bashkëshortja e tij, balerina Sekine Sharofi, vajzat Mirela dhe Edlira, njëra pianiste e tjetra balerinë e talentuar, udhëtuan drejt Shteteve të Bashkuara. Shumë shpejt Xhoni u bë i njohur jo vetëm brenda komunitetit shqiptar, por edhe atij rus, grek, italian dhe hebre të Masaçusets, që e ndiqte në koncerte dhe e vlerësonte për repertorin e zgjedhur e zërin e spikatur. I kudoftuar mes atdhetarëve, shqiptaro-amerikani Xhoni Athanas, është njeriu që diti t’i bashkojë të gjithë me këngën e tij. E gjithë karriera që përmendëm më sipër, trajtuar në stilin publicistik të gazetarit Anxhelo Xhaçka dhe e përmbledhur në librin “Xhoni Athanas, njeriu dhe artisti” bashkë me fotot e nevojshme, iu mundësua lexuesit nga shtëpia botuese “Morava”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›