E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhorxh Soros: Kriza nuk u shkaktua nga spekulatorët e bursave

Magjistari 78-vjeçar i tregjeve financiare ka bërë miliarda si menaxher fondesh dhe investues në bursë. Në një intervistë për gjermanen "Der Spiegel", ai shpjegon opinionin e vet mbi krizën aktuale financiare, si pret të reagojë administrata e të sapozgjedhurit Barak Obama dhe për përgjegjësitë e spekulatorëve që shkaktuan këtë katastrofë.

Z.Soros, pavarësisht ndërhyrjeje masive nga ana e qeverive dhe bankave qendrore, kriza po përkeqësohet. Tregjet e bursave janë në rënie të lirë, miliona njerëz mund të mbeten pa punë. Ju kanë zënë sytë ndonjëherë diçka të ngjashme?

Kurrë. E konsideroj situatën aktuale dramatike dhe shumë të rëndë. Në librin tim të ri, "Paradigmat e reja për Tregjet financiare: kriza e kredive të vitit 2008", parashikova krizën më të rëndë financiare që nga vitet tridhjetë. Por për të qenë i sinqertë, nuk arrita të parashikoj që do ishte kaq e rëndë. Ka kaluar kufijtë e asaj që e imagjinoja si më e keqja.

Nga se keni frikë gjatë muajve të ardhshëm?

Besoj se errësira vjen para agimit. Tregjet financiare janë në presion të fortë për shkak të mungesës së lidershipit gjatë fazës së tranzicionit. Gjatë dy muajve të ardhshëm tregjet do përballen me tensionin maksimal. Pas kësaj do shohim disa iniciativa nga administrata Obama. Se sa kohë do zgjasë kriza, kjo do varet nga suksesi i këtyre masave.

Tregjet duket se nuk kanë shumë besim te Presidenti i ri, në të kundërt të entuziazmit që ka induktuar te njerëzit. Që nga 4 nëntori, dita e zgjedhjeve, bursat kanë rënë thuajse 20 për qind.

Kam shumë shpresa te Barak Obama. Por në kohën e zgjedhjeve, komuniteti financiar nuk e kishte nuhatur tërësisht peshën e rënies ekonomike. Nuk arritën të parashikonin që rënia e "Lehman Brothers" do u shkaktonte atak kardiak tregjeve financiare. Ekonomia ra në humnerë dhe në fund të saj shihen gjithandej trupa të dërrmuar.

Ishte gabim lejimi i falimentimit të "Lehman Brothers"?

Qe gabim fatal. Nuk do e kisha marrë dot kurrë me mend që autoritetet do lejonin rënien e një banke kaq të madhe investimesh.

Do ketë edhe viktima të tjera?

Ka të ngjarë. "CitiBank", një prej bankave më të mëdha në botë, është aktualisht në qendër të vëmendjes. Por ka edhe subjekte të tjera që mund të bëhen pre e problemeve. Situata është shumë e ngjashme me atë të viteve tridhjetë, por gjërat do zhvillohen ndryshe. Kemi mësuar se tregu financiar nuk duhet lejuar të rrëzohet. Do shpenzojmë gjithë paratë e botës që kjo të mos ndodhë.

Të gjithë thonë se tregjet financiare kanë nevojë për më shumë rregullatorë. Kjo tingëllon mirë, por a është reale? A mund të mbahen tregjet nën kontroll?

Mes rregullatorëve dhe aktorëve të tregjeve zhvillohet gjatë gjithë kohës loja macja me miun...

Ku shpesh miu, aktorët e tregut, qëndron një hap para...

Pasi patën një të shtyrë ekstra prej fundamentalistëve të tregut. Por rezultati qe katastrofik, siç po e shohim vetë tani. Besoj se është më mirë të kemi një lojë ku macja të jetë një hap përpara, se sa një lojë ku rregullat t‘i përcaktojë miu. Pasi në thelb kjo do të thotë që pjesëtarëve të tregut iu la dorë e lirë. Ky ishte edhe keqkuptimi i madh i konceptit të heroit tonë kombëtar, Ronald Regan, i cili ka folur gjithnjë për magjinë e tregut.

Pra, ju jeni për rregullatorë më striktë dhe kontroll më efecient të tregjeve?

Pikërisht. Por duhet kuptuar se rregullatorët nuk mund të jenë kurrë tërësisht të suksesshëm dhe mund të kenë gjithnjë vrima. Duhet të jesh vazhdimisht i gatshëm të mbyllësh në çast ato vrima. Praktikisht, rregullimi i tregut duhet mbajtur në minimum, por lipset bashkëpunim mes pjesëtarëve dhe autoriteteve - si në kohët pas Luftës së Dytë Botërore. Banka e Anglisë qe rregullator tepër i suksesshëm gjatë bashkëpunimit me lojtarët e tregut. Ky shpirt bashkëpunimi u prish nga fundamentalistët e tregut.

Ju jeni një prej spekulatorëve më të fuqishëm në botë dhe gjatë këtyre muajve keni qenë shumë aktiv në tregun e aksioneve. Si i përqaseni dilemës së të qenit spekulator, i cili shpesh nxjerr fitime nga transaksione që mund të lëndojnë shoqërinë?

Është ide e gabuar. Luaj gjithnjë sipas rregullave. Në të njëjtën kohë përpiqem t‘i përmirësoj rregullat. Duke vepruar kështu, shpesh sugjeroj ndryshime nga të cilat nuk kam asnjë përfitim personal. Në zemër kam interesin e përbashkët, jo atë personalin.

Por perceptimi që shumë njerëz kanë për ju e kolegët tuaj është shumë i ndryshëm. Njerëzit fajësojnë spekulatorët për situatën aktuale. Është ky motivi që ju shtyu të vendosnit dhurimin e miliarda dollarëve për organizatat bamirëse, si dhe për fonacionin tuaj?

Njerëzit mendojnë se unë dhuroj para pasi kam brerje ndërgjegjeje?

Nuk ka diçka të vërtetë këtu?

Jo. Është koncept tërësisht i gabuar. Ngjarjet e mëdha që po vërejmë të ndodhin, do kishin ndodhur pavarësisht se unë do merrja apo jo pjesë në to. Për shembull, si të kisha lindur apo të mos kisha lindur unë, paundi britanik do qe përjashtuar nga mekanizmi i kursit evropian të këmbimit në vitin 1992.

Por jeni vërtet ingranazh kaq i vogël i mekanizmit, sa doni të tregoheni? Kur ju vini bast mbi rritjen e çmimit të grurit, orizit apo naftës, shumë spekulatorë të tjerë ju vijnë pas gjurmëve. Diçka e tillë mund të dëmtojë drejtpërdrejt konsumatorët, të cilëve nuk do u mjaftojnë paratë për të blerë ushqim a energji. Dihet tashmë që ju jeni në gjendje të influenconi tregjet.

Që kur u bëra figurë publike, si njeriu i dyshuar "për rrënimin e Bankës së Anglisë", shihem si magjistari financiar, në gjendje të influencojë mbi tregjet. Kjo më ka krijuar shumë probleme të natyrës morale. Më ka detyruar t‘i vendos vetes kufij të prerë lidhur me deklaratat që bëj - pikërisht pasi jam në gjendje të ndikoj te tregjet, ashtu si edhe investitori Uarren Bufet. Për këtë arsye përpiqemi të jemi shumë të përgjegjshëm në çdo hap që hedhim.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›