E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhorxho Armani: Jam kundër lakuriqësisë së femrave në pasarelë

Xhorxho Armani, ndoshta pa e ditur, ishte ai që shpiku elegancën e re bashkëkohore që do të vishte italianët në fund të viteve ‘70 dhe botën që po përgatitej të kalonte nga mirëqenia e konsumi, te pasioni i madh për modën, nga shoqëria e masës, te gratë e reja të pavarura e të sigurta në vetvete. Sot, 32 vjet pas atij guximi që u duk menjëherë se do të ndryshonte botën, Xhorxho Armani feston karrierën e tij të gjatë e me sukses të jashtëzakonshëm. Duke parë ato dizajne jo të bukura, fotografitë e shkrepura nga yjet e mëdhenj të objektivit që kanë kaluar këta dhjetëvjeçarë, duket se nuk shohim vetëm ndryshimin e stileve, ngjyrave, e formave të veshjes, por ndryshimin e vazhdueshëm të shoqërisë, sot gjithmonë e më shumë globale, që i ka përshtatur me shijet e ndryshme të burrave e grave. Në vitin 1976, shoqëria "Xhorxho Armani" sh.p.k. kishte vetëm tre veta dhe kapitali fillestar ishte 2 500 000 lireta. Tridhjetë e dy vjet më vonë, "Xhorxho Armani" sh.p.k. do të ketë 4800 nëpunës dhe në tremujorin e fundit të vitit 2008 kishte një fitim prej 700 milionë eurosh. Sfilata e parë do të bëhej në vjeshtën e vitit 1975, ndërsa afrimi i tij i parë me kinemanë do të ishte me filmin "Amerikan gigolo" me aktorin Riçard Gir në vitin 1980. Dyqani i tij i parë ishte "Emporio Armani" në vitin 1981 në Milano, ndërsa njohja e parë në arenën ndërkombëtare do të ishte në kopertinën e revistës "Time" në vitin 1982, vit kur në Milano u hap edhe butiku i parë "Xhorxho Armani". Në vitet ‘90, shoqëria bleu aksionet më të mëdha nga ndërmarrjet e ndryshme të prodhimit të veshjeve, ndërsa në vitin 2000 u hap dyqani i parë "Armani Casa", ku në 2001-shin u inaugurua; po në 2001-shin u inaugurua teatri "Armani" në Milano, ndërsa në vitin 2004 u nënshkrua një kontratë për ndërtimin e një zinxhiri hotelesh luksoze nën emrin "Armani". Sot "djaloshi" nga Piaçenca, që donte të bëhej mjek, madje në fillim filloi të merrej edhe me veterinari, është president dhe administrator i deleguar i një grupi; jo më kot konsiderohet si perandori. Bëhet fjalë pikërisht për perandorinë "Armani", që ka pushtuar botën me markën e famshme të veshjeve, aksesorëve, syzeve, orave, bizhuterive, produkteve kozmetike, ndërsa nëpër lagjet e Hong-Kongut, Monakos dhe Shangait, adhurimi për mbretin e modës është aq i madh, sa aty gjen edhe kafen "Armani", ëmbëlsira "Armani", lule "Armani", librat "Armani", madje në Milano edhe një restorant "Armani-Nobu" dhe një "Armani Prive" për mbrëmjet elegante dhe zonjushat me shije të rafinuara. Në garë me botën, sidomos me atë të modës dhe të asaj që merret me stilin e jetesës, Xhorxho Armani duket se nuk kënaqet kurrë. Për shembull, dy dyqanet e atëhershme me qira tashmë janë bërë pallate. Po ashtu, pallate në pronësi të tij dhe dyqane të ndara në marka të ndryshme tani janë 347 dhe janë të shpërndara në 39 vende të ndryshme të botës dhe shpresat për t‘u zgjeruar akoma më shumë janë të mëdha. Sigurisht që është kështu, nëse mendohet për mijëra veshjet dhe aksesorët që me grupin e tij të asistentëve ka dizajnuar për dy ose më shumë koleksione në vit. "Sa herë që shtypi ka lavdëruar punën time, shitjet kanë qenë të vështira. Më kujtohet sfilata ime e famshme japoneze, e frymëzuar nga vizatimet e Utamaros. Gazetaret qanin dhe bërtisnin për mrekulli, ndërsa nëpër dyqane nuk pati asnjë shitje", kujton stilisti. Ishte viti 1982 dhe asgjë nuk mund ta ngushëllonte mbretin Xhorxho, madje as titulli "Qytetar Nderi" i dhuruar nga Bashkia e Milanos. "Media bën punë e saj, nuk kënaqet kurrë. Kështu, nëse përsëris vetveten, në emër të suksesit të stilit tim, thonë se duhet të jem më novator, ndërsa nëse bëhem novator thonë se nuk jam më i njëjti". Disa sezone më parë Armani bëri që të sfilonin në pasarelë "bloomers"-at e famshme, pantallona të fryra deri te gjuri, me të cilat femrat prototipe anglosaksone të viteve 1800 skandalizonin shoqërinë. "Një gazetar, në një artikull që kishte shkruar, i kishte përshkruar si veshje të sikletshme, por që në fakt ato u pëlqyen shumë dhe patën një sukses të madh, sidomos në Amerikë". Për shumë vite me radhë, Armani ka menduar të veshë zonjat në karrierë, që pjesën më të madhe të ditës e kalonin në punë, ku fuqia e feminiliteti duhej të dukej sheshit. Kishte menduar që më mirë të dizajnonte pantallona dhe xhaketa mbrëmjeve me ngjyra jo të ndezura, me copa të përshtatshme, që do të ishin të shkurtra, të gjata të qëndisura apo jo, sipas tendencave të sezonit. Por gratë po tregoheshin gjithmonë e më shumë të pavendosura dhe të padurueshme për t‘u dukur sa më joshëse dhe sigurisht për t‘u dukur seksi deri në maksimum. Ishte kjo arsyeja që lapsi i Armanit filloi të dizajnojë gjithmonë e më shumë funde dhe gjithmonë e më pak pantallona; gjithmonë e më pak xhaketa dhe gjithmonë e më shumë fustane me ngjyra të theksuara e sandale me taka që i kalonin dhjetë centimetrat. "Kur mendova se kishte ardhur momenti i përshtatshëm për të krijuar fustane mbrëmjeje, të gjithë më thanë se ishte një ide e gabuar. Mendonin se nuk ishte në stilin tim ajo çka u kisha propozuar. Por unë e ndieja se gratë po ndryshonin, ndiheshin të pasigurta, donin të shfaqeshin më shumë, të ishin më shprehëse, të kishin një jetë dhe mënyrë të veshuri ndryshe", me pak fjalë veshje transparente, shpinën e zbuluar, dekolte tmerrësisht të theksuara dhe taka të holla". Pas tyre erdhën edhe fustanet e nusërisë, sa praktike, aq edhe moderne e vezulluese për ngjarjen më të rëndësishme në jetë. Kishin ardhur kohë të tjera. Prandaj, edhe mbreti Xhorxho, ashtu siç kishin nisur ta thërrisnin, nuk mund të ishte indiferent ndaj shijeve të reja, ku darkat mondane, që edhe veshjet i kërkonin të tilla, ishin bërë aq shumë të zakonshme në të gjithë botën. "Më pëlqen të rrezikoj, të jem i ndryshëm në ato që krijoj. Në fillim po mendoja se çfarë ishte ajo që i mungonte perandorisë "Armani", ku mund të gjeje veshje me çmime të arsyeshme dhe të larta, veshje sportive, apo elegante për fëmijët, për burrat dhe gratë të çdo moshe? Mungonte vetëm linja ekskluzive, ajo për pak njerëz të privilegjuar, me pak fjalë luksi i vërtetë, privilegji i vërtetë, moda e lartë. Kështu që në janar të vitit 2004 lindi "Armani Prive". Janë pothuajse të gjitha fustane mbrëmjeje të punuara me dorë dhe për këtë arsye aty veshjet janë mjaft të kushtueshme. Është e vështirë të fusësh duart te një kostum ngushto këtu e zgjero atje, shtoji diçka këtu, apo atje tek fustanet e mbrëmjes. Je i lirë të bësh ç‘të duash pa prishur asgjë nga ajo që ti do të tregosh", tregon ai. Njeriu që më shumë se çdokush tjetër e ka lidhur elegancën me prodhimin industrial, mbreti i modës së rëndë, ka ecur shumë përpara, duke e kthyer kokën pas, në kohët e modës së lartë parisiene, të asaj mode ku veshjet bëheshin me porosi dhe të kushtueshme, të mrekullueshme dhe padyshim unike. Por, pavarësisht kësaj, njeriu më i adhuruar në botën e modës, që dikur ishte kundër femrave nudo në pasarelë, mendonte se "femra sa më pak nudo të jetë, aq më shumë seksi është".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›