Xhudo: Kosova shpreson te Majlinda Kelmendi
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi thotë se xhudistja Majlinda Kelmendi, me sukseset që ka arritur deri tani, paraqet shpresën dhe krenarinë e shtetit. Ai priti xhudisten Kelmendi dhe trajnerin e saj, Driton Kuka, në një takim miqësor ku biseduan për sukseset që Majlinda ka arritur këto dy javët e fundit, si dhe për angazhimet në të ardhmen, e që kanë synim pjesëmarrjen e sportistëve kosovarë në Lojërat Olimpike “Londra 2012”. Majlinda Kelmendi në dy veprimtaritë e fundit, në Itali dhe Bjellorusi ka marrë pikët maksimale, që i kanë siguruar asaj përfundimisht pjesëmarrjen në mënyrë automatike në Lojërat Olimpike vitin e ardhshëm. Ministri Krasniqi tha se ndjehet mjaft i lumtur për sukseset e fundit dhe shtoi se me këto të arritje të Majlindës deri tani, i gjithë populli i Kosovës është ndjerë krenar. “Mbështetja ime, e ministrisë dhe e të gjitha institucioneve të tjera shtetërore nuk do të mungojë në asnjë moment”, tha ai. Krasniqi po ashtu shtoi se janë duke u bërë angazhime të mëdha që të arrihet synimi i Kosovës që të ketë sportistët e vetë në Olimpiadë. Ai shfaqi shpresën se kjo do të arrihet dhe njëkohësisht do të shënohen suksese nga sportistët kosovarë. Kelmendi dhe Kuka kanë falënderuar ministrin për mbështetjen e madhe që iu ka dhënë deri tani dhe për kujdesin e vazhdueshëm që po tregon. Ata njoftuan ministrin për rezultatet e arritura kohëve të fundit dhe për planet dhe garat tjera ndërkombëtare, në të cilat Majlinda do të marrë pjesë, deri në fillimin e lojëra olimpike. Ministri Krasniqi përsëriti edhe një herë se ai personalisht, gjithë stafi mbështetës i tij, si dhe institucionet tjera shtetërorë, janë të gatshëm që në çdo moment t’i gjenden pranë xhudistes së suksesshme kosovare.