Komision disiplinor për Karlos Tevezin
Sulmuesi i Mançester Siti, Karlos Tevez, përballet me mundësinë e ndjekjes disiplinore, për shkak të refuzimit të tij për të luajtur në një ndeshje të Champions League ndaj Bajernit të Mynihut. 27-vjeçari nuk pranoi të hynte në fushën e lojës për vetëm disa minuta, ndërsa skuadra e tij po humbte me rezultatin 2-0, në takimin e zhvilluar në “Allianz Arena” në shtator. Në një komunikatë të publikuar nga klubi gjatë pasdites, lajmërohej se: “Tevez duhet të përballet me një çështje, rreth shkeljes së disa pikave të kontratës së tij. Do të ketë një komision disiplinor dhe shumë shpejt ai do të merret në pyetje”. Pas humbjes së pësuar në Mynih, trajneri i Sitit, Mançini, deklaroi: “Ai refuzoi që të futej në fushën e lojës dhe nëse do të varej vetëm nga unë, që nesër do të bënte valixhet e do të ikte nga kjo skuadër. Sidoqoftë, ai s’ka më punë me mua. Nëse duam të përmirësojmë skuadrën, Karlos nuk bën më pjesë në planet tona”.