Tagani e Mehmeti, kampionët e vitit

Kampionati kombëtar i radioamatorizmit ka marrë start dje në klubin sportiv shumësportësh "Partizani". Partizani dhe Lushnja përfaqësohej në kampionat me të dyja ekipet si meshkuj dhe femra, ndërsa ekipi i Rrëshenit, Peshkopisë, Krujës dhe Beratit vinin në kryeqytet vetëm me ekipin e meshkujve. Presidenti i Federatës Shqiptare të Radioamatorizmit, Myftar Thana u shpreh për ‘Panorama Sport' se në ceremoninë e hapjes për të nderuar këtë sport elitar morën pjesë edhe shumë figura të sportit në vend. "Në dhënien me taso, ‘shifra dhe gërma' në vend të parë u rendit radioamatoristi i klubit të Partizanit Nazmi Tagani dhe në vend të dytë dhe të tretë u renditën Kujtim Cela i ekipit të Krujës dhe Fatmir Elezi i Beratit. Ndërsa në garën e femrave në ushtrimin e marrjes me vesh ‘shifra dhe gërma' fituese u shpallën Miranda Mehmeti e Partizanit dhe Liri Lluga e Lushnjës", bëri të ditur presidenti Thana pas kampionatit. Aktivitetet e radhës për Federatën Shqiptare të Radioamatorizmit janë kampionati ballkanik që do të zhvillohet në Ljubjanë më 15 qershor dhe ku Shqipëria do të marrë pjesë me ekip meshkujsh dhe femrash, Kupa e Republikës dhe kampionati kombëtar i të rinjve.
O.S