E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vizat false, "Triumf " me 14 të arrestuar

Një hetim i gjerë nga
Prokuroria e Tiranës,
në bashkëpunim me
Drejtorinë e Përgjithshme
të Policisë dhe atë të Tiranës,
është finalizuar mbrëmë me ndalimin
e 14 personave në pesë qytete
të vendit. Sektori i operacioneve
speciale ka vepruar njëkohësisht në
të gjitha vendet, duke prangosur të
dyshuarit dhe duke sekuestruar
shumë prova materiale. Sipas policisë
së kryeqytetit, operacioni, i cili u
kodua "Triumf", çoi në shkatërrimin
e një organizate që merrej me falsifikimin
e dokumenteve dhe
trafikimin e klandestinëve, kryesisht
në Greqi dhe nga Greqia në
vende të tjera të BE-së. Bërthama e
organizatës ishte në Tiranë, ku bëhej
pajisja e klandestinëve me dokumente
false, ndërsa aktiviteti i saj
shtrihej në Elbasan, Lushnjë, Fier,
Gjirokastër e Korçë. Sipas të
dhënave, hetimet kanë nisur që në
muajin maj të një viti më parë në
Korçë, kur një person denoncoi në
polici sekserin që i kishte marrë
paratë, por më pas nuk e ka mbajtur
fjalën e dhënë. Nga ky kallëzim, policia
ka mundur të zbulojë një nga rrjetet
më të mëdha dhe të fuqishme
të trafikut klandestin në Shqipëri.
Burime policore deklaruan se në Tiranë,
arrestimet janë bërë në disa
zona. Arrestime janë bërë në zonën
e "Zogut të Zi", Kamzës, Laprakës,
Bathores dhe "21 Dhjetorit", si dhe
në Elbasan, Fier, Korçë dhe
Gjirokastër.
Sipas hetimeve të policisë, baza
e këtij grupi është vendosur prej
vitesh në një lokal në afërsi të "Zogut
të Zi". Aty bëheshin të gjitha takimet
dhe falsifikoheshin dokumentet.
Nga të dhënat e mbledhura, organizatorët
e këtij trafiku, duke përdorur
falsifikimin e vizave, e kanë
kryer këtë aktivitet për të paktën dy
vjet. Për çdo vizë të falsifikuar ata
merrnin nga 700-3000 euro. Burimet
policore të kryeqytetit shpjeguan se
çmimet varionin sipas pazareve, apo
vendeve, ku klandestinët do të shkonin.
Në sitën policore kanë kaluar
pronarët e disa lokaleve, moteleve,
hoteleve dhe bizneseve të tjera që
dyshohet se nën petkun e shërbimeve
publike, kryenin trafik të
vizave në bashkëpunim me individë
edhe brenda konsullatave të
huaja në Shqipëri.
Policia tha zyrtarisht për këtë
operacion se strukturat e Krimit
Ekonomik, në Drejtorinë e Policisë
së Tiranës, nën drejtimin e Prokurorisë
së Rrethit Gjyqësor të Tiranës, në
bashkëpunim me Drejtoritë e Policisë
së Qarqeve Elbasan, Korçë,
Gjirokastër, Fier, finalizuan operacionin
"Triumf", ku u bë i mundur dokumentimi
ligjor dhe arrestimi i
anëtarëve të një rrjeti të gjerë trafiku
të qenieve njerëzore. Aktiviteti i këtij
grupi kriminal shtrihej në qytetet Tiranë,
Elbasan, Korçë, Ersekë,
Përmet dhe Fier, duke siguruar
pasaporta, viza dhe dokumente për
kalimin e paligjshëm të kufirit me
Greqinë, të shtetasve shqiptarë,
duke korruptuar individë të
veçantë, duke shfrytëzuar dhe përdorur
mjete transporti dhe ambiente
strehimi të përkohshme. Më
tej, uniformat blu shpjeguan se u
ekzekutuan vendimet e Gjykatës të
Rrethit Gjyqësor Tiranë për caktimin
e masës të sigurimit e "Arrest në
burg" për tetë persona dhe u
lëshuan urdhrat e ndalimit për gjashtë
të tjerë. Sipas grupit të punës,
pas një hetimi disamujor, u arrit
identifikimi i këtij grupi, duke dokumentuar
veprimtarinë kriminale të
çdo pjesëtari të tij për veprat penale
të "falsifikimit të pasaportave dhe
vizave" dhe "dhënies ndihmë për
kalim të paligjshëm". Gjatë shoqërimit
dhe kontrolleve të banesave
të anëtarëve të këtij grupi u
gjetën dhe sekuestruan në cilësinë
e provave materiale 16 celularë, si
dhe dokumente të falsifikuara që
implikojnë këta shtetas në veprimtarinë
kriminale. Koordinimi i strukturave
të policisë për realizimin me
sukses të operacionit është kryer
nga Drejtoria Kundër Krimit Financiar
në Departamentin e Hetimit të
Krimit, pranë Drejtorisë së
Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Materialet për ekzekutimin e vendimeve
të gjykatës dhe urdhrave të
prokurorisë i kaluan për kompetencë
Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor
Tiranë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›