Xhufi: Privatizimet, jo para zgjedhjeve
Drejtuesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim kritikuan dje procesin e privatizimeve në prag të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Zëvendëskryetari i LSI-së, Pëllumb Xhufi, deklaroi se jo rastësisht këto privatizime koincidojnë me afrimin e zgjedhjeve të përgjithshme të qershorit 2009, dhe është e qartë që qeveria PD po përpiqet të krijojë likuiditete për t‘i përdorur në një fushatë. "Që për faj e për zgjedhje të saj dhe të ortakëve të saj në reformën zgjedhore, parashikohet të jetë fushata më e kushtueshme për një vend të varfër dhe të varfëruar deri ku nuk mban më gjatë qeverisjes së korruptuar e grabitqare ‘Berisha‘", tha ai. Sipas tij, privatizimi i INSIG-ut, ashtu si privatizimet e mëparshme të ARMO-s, Operatorit i Sistemit Shpërndarjes, si dhe shitja tërësore e aksioneve të mbetura shtetërore në Telekom e AMC, është paraprirë, shoqëruar e pasuar nga një mungesë totale transparence nga e qeverisë dhe e ministrave të saj, që po i trajtojnë këto pasuri të shqiptarëve si mallin e vet.