Xhufi: Reforma po realizohet jashtë institucioneve
Lëvizja Socialiste për Integrim ka shigjetuar ashpër dje PD-në dhe PS-në në lidhje me ndryshimet që këto dy parti po bëjnë në Kodin Zgjedhor. Kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Pëllumb Xhufi, në një konference për shtyp, theksoi se "PD-ja dhe PS-ja po montojnë gjithmonë larg institucioneve infrastrukturën përkatëse për Kodin Zgjedhor". Sipas Xhufit, "Kodi Zgjedhor është një tjetër histori dështimi i dyshes përjashtuese PD e PS. Ky është gjykimi ynë politik. I premtuar që të realizohej brenda muajit korrik e më tej, në fillim të shtatorit, dhe akoma më tej brenda muajit shtator e pastaj u shty për në tetor, Kodi Zgjedhor po rrezikon t‘iu shtohet atyre gjërave që do të realizohen qëllimisht në minutën e fundit, për të rritur konfuzionin dhe për të rritur nivelin e vjedhjes së votës së shqiptarëve", u shpreh Xhufi. Duke mos u pajtuar në asnjë pikë me qëndrimin e dy partive të mëdha për sa i përket punës që ato po bëjnë me Kodin Zgjedhor, drejtuesi i LSI-së kërkoi që komisioni ad-hoc për hartimin e kodit duhej të mblidhej ditën dhe natën për të fituar kohën e humbur. "Është e qartë që, bashkëkryetarët e tij, që përfaqësojnë PD-në dhe PS-në, e kanë futur këtë komision në hullinë e Komisionit të dështuar të Reformës Zgjedhore, i cili, në gjashtë muaj, nuk u mblodh qëllimisht nga të njëjtët bashkëkryetarë as edhe një herë të vetme", u shpreh Xhufi. Duke analizuar punën e bërë deri më tani nga ky komision, kryetari i grupit parlamentar të LSI-së tha se "deri tani, në hartimin e Kodit Zgjedhor, janë trajtuar vetëm nene dhe paragrafë, të cilët përsërisin nene dhe paragrafë të kodit të vjetër 2005 dhe, jo pa qëllim, kanë ngelur pa u trajtuar çështjet më djegëse të ligjit elektoral". Sipas tij, ende nuk janë trajtuar çështje si problemi i administrimit të votës, çështja e kompozimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe komisioneve të tjera të niveleve më të ulëta të zgjedhjeve dhe të numërimit të votës. Duke mos lënë jashtë vëmendjes propozimin e bërë prej kësaj force politike për votimin e qytetarëve jashtë vendit, për të cilin ende nuk është bërë asgjë. Për të zgjidhur këtë problem,kardinal siç e konsideron LSI-ja, Xhufi kërkoi edhe ndihmën e ndërkombëtarëve, deklaratat e të cilëve nuk kanë munguar as ditët e fundit. "LSI-ja, u shpreh Xhufi, i përmbahet qëndrimit që të gjitha deformimet, shpërfytyrimet dhe shëmtimet e demokracisë dhe të institucioneve, të cilat shqiptarët i kanë përjetuar këto tre vjet të qeverisjes ‘Berisha‘, e kanë pikënisjen e tyre në zgjedhjet e deformuara të 3 korrikut 2005".