E Shtunë, 31 Tetor 2026

Balla e Biberaj flasin për hapjen e dosjeve në Shqipëri

Politikanët e dy kampeve në Shqipëri, të pranishëm në tryezën e organizuar nga ambasada gjermane, dhanë mendimet e tyre për çështjen e hapjes së dosjeve. Deputeti socialist Taulant Balla tha se "në Shqipëri, disa ish-komunistë të bindur, të cilët u shndërruan në antikomunistë brenda natës në fund të vitit 1990, sot e heqin veten si antikomunistët ‘më të paepur‘". Sipas tij, Shqipëria ka nevojë për një zgjidhje përfundimtare që buron nga detyrimi moral i shoqërisë sonë përkundrejt jetëve të humbura, familjeve të shkatërruara, burgosjeve dhe internimeve, me qëllimin e vetëm zbardhjen dhe transparencën e dosjeve të Sigurimit të Shtetit. "Mendoj se hapi i parë, i domosdoshëm, në funksion të distancimit me të vërtetë nga autorët dhe bashkëpunëtorët e krimeve të komunizmit, fillon me hapjen e të gjitha dosjeve të Sigurimit të Shtetit, apo të mikro-filmave, nëse dosjet janë djegur, krijimi i një database të dhënash me emrat e të gjithë bashkëpunëtorëve, i cili të jetë i hapur për publikun", theksoi Balla. Hapi i tjetër, u shpreh ai, do të ishte identifikimi i atyre pozicioneve publike të emëruara, në të cilat nuk mund të kenë të drejtë emërimi ata persona, emri i të cilëve ndodhet në database e sipërpërmendur. Sakaq, deputeti demokrat Aleksandër Biberaj vlerësoi se politika shqiptare nuk ka më nevojë as për demagogji, aq për propagandë. "Ka ardhur momenti që çdo politikan dhe çdo grup politik duhet të prononcohet hapur për këtë çështje, e cila ndan të tanishmen dhe të ardhmen nga e shkuara, ndan dritën nga errësira", u shpreh Biberaj. Ai shtoi se projektligji "Për pastërtinë e figurave të funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të zgjedhurve" synon pastrimin e politikës shqiptare dhe të administratës publike, të sistemit të drejtësisë dhe të diplomacisë, të sistemit arsimor dhe të medias. "Si dhe të sektorëve të tjerë publikë, nga individë, të cilët, me veprimtarinë e tyre legale apo ilegale, për ish-Sigurimin e Shtetit dhe në shërbim të tij, kanë sjellë shkeljen e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut për individë dhe familje, të cilët përbënin një pjesë të rëndësishme të shoqërisë shqiptare", konstatoi Biberaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›