"Dosjet? Gjermania si model, jo shembull"
Ambasadori i Republikës Federale Gjermane në Tiranë, Bernd Borchardt, tha dje se çdo shoqëri vendos vet të merret me të shkuarën e saj. Ai mori pjesë në konferencën me titull "Kapërcimi i së kaluarës, zgjidhja e çështjes së dosjeve të Sigurimit të Shtetit në Gjermani dhe Shqipëri". Kreu i diplomacisë gjermane u shpreh se rasti i Gjermanisë nuk mund të merret si shembull, por ia vlen të diskutohet si model. Sipas tij, është shumë e rëndësishme që të mund të krijohet hapësira në ligj, që të mos lejohen abuzimet për interesa personale dhe politike. Sakaq, e ftuar speciale në tryezë ishte Marianne Birthler, e Ngarkuara Federale për dosjet e Sigurimit të Shtetit të ish-Republikës Federale Gjermane. "Ne duhet të gjejmë rrugën se si të jetojmë me të shkuarën dhe si do ta trajtojmë atë", vlerësoi Birthler. Teksa paraqiti një panoramë të punës së institucionit që drejton dhe kohës kur u hapën dosjet, ajo tha se "nëse do të viheshin njëra pas tjetrës, dosjet në Gjermani do të shkonin 112 kilometra në vijë të drejtë". Në Gjermani, çdo person ka të drejtë qw të kërkojë informacionin që ruhet në dosjen e Stasi-t për të. Këtë të drejtë e kanë edhe pjesëtarë familjeje të qytetarëve nga Gjermania Lindore, të cilët nuk jetojnë më. Për të parë dosjen, duhet të bëhet kërkesa në institucionin përkatës. Një formular i tillë mund të nxirret nga interneti në faqen e institucionit. Njoftimi i parë paraprak, nëse Stasi ka spiunuar personin që bën kërkesën, zgjat 4 deri në 12 javë. Meqenëse kërkimet janë të shpërndara në arkiva të ndryshme dhe ish-qytetarët e Gjermanisë Lindore janë vëzhguar me një intensitet të ndryshëm nga shërbimi i Stasi-t, edhe kërkimet mund të kenë kohëzgjatje të ndryshme. Institucioni fshin informacionet për viktimat e treta të spiunimit, para se të lëshojë dosjen. Emrat dhe pseudonimet e bashkëpunëtorëve kryesorë dhe jozyrtarë të Stasi-t bëhen sidoqoftë të ditur. Institucioni është transparent dhe pranë qytetarëve. Ai e ka qendrën në Berlin dhe ka 14 degë me arkivat në ish-qytetet kryesore të Gjermanisë Lindore. Drejtuesi i tij zgjidhet me propozim të qeverisë federale nga Parlamenti Gjerman. Drejtuesi është i pavarur në ushtrimin e detyrës dhe i nënshtrohet vetëm ligjit. Tw drejtat ligjore për aksesin e dosjeve, të cilat duhet të jenë jo vetëm në dobi të interesave të publikut demokratik, por edhe mbrojtjes së të drejtave personale, janë marrë ndërkohë si model nga shumë shoqëri postdiktatoriale. Në arshivat e tij, ruhen dokumentet e ministrisë për Sigurimin e Shtetit të Republikës Demokratike të Gjermanisë dhe i vë ato në dispozicion për qëllime të ndryshme sipas rregullave ligjore të rrepta personave privatë, institucioneve dhe publikut. Puna e institucionit kontribuon për të mbajtur të gjallë kujtimin për diktaturën e Partisë së Bashkuar të Gjermanisë, për viktimat, por edhe për opozitën dhe qëndresën e saj kundër sistemit.