Kryegardianët, tani e tutje duhet të jenë policë karriere
Pjesë e reformave institucionale të ndërmarra nga qeveria do të jetë edhe policia e burgjeve. Dje në Kuvend, ka mbërritur një projektligj i cili përcakton mënyrën e organizmit, të funksionit dhe të shpërndarjes së gradave për policinë e burgjeve. Në bazë të këtij ligji, tashmë në policinë e burgjeve do tu‘ jepet fund militantizmave dhe mungesës profesionale, pasi të gjithë drejtuesit e saj, por edhe funksionarët e tjerë, do të zgjidhen në bazë të konkurseve dhe pasi të kenë plotësuar kriteret e përcaktuara në ligj. Në nenin 19 të projektligjit thuhet se drejtor i Drejtorisë së Policisë së Burgjeve mund të emërohet personi i cili plotëson dy kriteret kryesore. Kriteri i parë është arsimi i lartë, kurse i dyti, pretendenti për këtë post të ketë shërbyer për një periudhë të paktën 3-vjeçare gjatë së cilës ka mbajtur gradë të lartë. Në relacion thuhet se në projektligjin "Për policinë e burgjeve" është njohur për herë të parë e drejta e punonjësve të Policisë së Burgjeve të organizohen në sindikata. Projektligji përmban strukturën e policisë së burgjeve sipas funksioneve, si dhe përcakton përgjegjësitë për çdo funksion. Në një kapitull të veçantë në këtë projektligj janë përcaktuar në mënyrë të hollësishme çështjet që lidhen me kontratën e punës, kohën e punës dhe të pushimit, pagat dhe shpërblimet, kriteret e përgjithshme dhe të veçanta për pranimin në policinë e burgjeve dhe rastet e lirimit nga detyra. Po kështu, në këtë projektligj përcaktohen edhe gradat, ku përfshihen çështje si hierarkia për rolet dhe gradat, kriteret për fitimin e gradës, përcaktimi i funksioneve për gradë, heqja apo ulja në gradë si dhe e drejta e ankimit nëse punonjësi nuk është dakord me vlerësimin për gradën. Përcaktohet koha kur duhet të mbahet arma dhe mjetet e tjera të ftohta nga punonjësit e policisë. Ministria e Drejtësisë ka përcaktuar edhe efektin financiar që bart projektligji, duke llogaritur fondin e pagave dhe të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore i cili arrin në vlerën 1 750 987 mijë lekë.