Pronat e krimit do të sekuestrohen, pasuria i kalon shtetit ku ka ndodhur vepra penale
Pasuria e shumë shqiptarëve e ngritur me “para të pista” mund të sekuestrohet dhe t’i kalojë në “pronësi” shtetit ku ka ndodhur vepra penale. Ligji “Për marrëdhëniet juridiksionale me shtetet e huaja” detajon të gjitha të dhënat që duhen për të sekuestruar një pronë në Shqipëri për llogari të gjykatave dhe shteteve të huaja. Me kërkesë të autoriteteve gjyqësore të huaja, gjykatat shqiptare mund të vendosin sekuestrimin e sendeve të konfiskueshme që ndodhen në territorin e Republikës së Shqipërisë, për të cilat është dhënë një vendim sekuestrimi në shtetin kërkues. Megjithatë, vendimi ankimohet në gjykatën më të lartë brenda dhjetë ditëve nga dita e nesërme e marrjes së dijenisë. “Kërkesa për vënien e sekuestros ekzekutohet nga gjykata vendase, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale. Kur një palë e tretë, që ka fituar të drejta në mirëbesim, një autoritet shtetëror apo një palë e dëmtuar që ka vendbanimin në Shqipëri, pretendon pronësinë mbi sendet, dokumentet apo fitimet nga pronat, dërgohen vetëm nëse gjykatat e huaja garantojnë kthimin e tyre në fund të procedimeve në lidhje me provat”, thuhet në ligjin që është miratuar me urgjencë nga qeveria dhe tashmë ka hyrë në fuqi. Sendet e sekuestruara u dërgohen gjykatave të huaja me kërkesën e tij, në përmbushje të letër-porosisë për t’u konfiskuar ose për t’iu kthyer pronarit të ligjshëm. “Këto sende përfshijnë: sendet e përdorura për kryerjen e një vepre penale; sendet që rrjedhin nga kryerja e një vepre penale apo vlera e barabartë me to; fitimet nga një vepër penale apo vlera e barabartë me to; sende të tjera të dhëna me qëllim nxitjen për kryerjen e një vepre penale, si dhe shpërblimet për një vepër penale”, thuhet në ligj. Sipas tij, dërgimi mund të realizohet në çdo fazë të procedimit penal dhe vetëm bazuar në një vendim të autoritetit të huaj gjyqësor. Por sendet apo fitimet nga pronat mund të mbahen në mënyrë të përhershme në Shqipëri nëse pronari i tyre ka banimin ose qëndrimin në Shqipëri, ka pretendime serioze në lidhje me fitimet për këtë aktivitet apo pronë.
#