E Diel, 1 Nëntor 2026

TIFF mbyll ditët në kryeqytet, Turqia vlerësohet me çmimin e parë



Petrika GROSI
Ka mbyllur të dielën ditët e zhvillimit të tij, në metropolin shqiptar, Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Tiranës “TIFF ‘08”
Gjithashtu, të dielën janë ndarë edhe çmimet nga juria ndërkombëtare për filmat më të mirë. Çmimin e madh të festivalit, “Tirana International Film Festival”, e ka marrë regjisori turk Nesimi Yetik me filmin e tij me metrazh të shkurtër të titulluar “My mother learns Cinema” (Mamaja ime mëson të aktrojë). Në vetëm katër minuta, regjisori turk ka ditur se si të sjellë shtëpinë e së ëmës të dalë mode dhe mamanë e tij, që përpiqet të njihet me emra të historisë së kinemasë, siç janë “Jean”, “Godard”, “Rabiner” etj. I vetmi regjisor shqiptar që është vlerësuar me çmim në këtë edicion të TIFF është Elvis Eshja, i cili është paraqitur në festival me filmin “Deep Transition” (Tranzicion i thellë) dhe ka marrë çmimin e medias. Megjithatë, edhe ky film nuk mban vulë krejtësisht shqiptare pasi është bashkëpunim me regjisorin italian Gabriele Pedone. Regjisori Merkos Mekoni ka marrë çmimin për filmin më të mirë eksperimental me “Carlos Catani” (Karlos Katani), ndërkohë që çmimin e dokumentarit më të mirë e fitoi “Left behind” (I harruar) produksion gjerman i regjisorëve Andreas Grafenstein dhe Fabian Daub. Çmim tjetër ka qenë edhe ai i filmit më të mirë të animuar që u fitua nga filmi zviceran “The Bear’s hand” (Dora e Ariut) i regjisores Maria Roset. Publiku kësaj here i ka dhënë çmimin e tij filmit “Yours Truly”, (I juaji përgjithmonë) i regjisorit Osbert Parker. Së fundi, çmimi i “fiction”-it më të mirë “The best fiction” i ka kaluar dy filmave, “Beijing Haze” dhe “On the line”. Në këtë edicion të festivalit patën aplikuar mbi 100 autorë nga 80 shtete të ndryshme të botës ndërkohë që vetëm 82 prej tyre hynë në garë.

EKSPOZITA
Shtatë piktorë të rinj në “Ardhje ‘08” në Durrës

Shtatë artistë të rinj janë prezantuar këto ditë para publikut me ekspozitën “Ardhje ‘08”, të çelur në qytetin e Durrësit nën kurimin e Edi Mukës dhe Joa Ljunbergut. Kjo ekspozitë tashmë e përvitshme, që synon kërkimin, evidentimin dhe promovimin e talenteve të reja të arteve figurative, organizohet nga Instituti i Artit Bashkëkohor të Tiranës (TICA). Artistët që marrin pjesë në ekspozitë me punët e tyre janë Bevis Fusha, Elsa Martini, Enkelejd Zonja, Heldi Pema, Leonard Qylafi, Era Tula dhe Genti Gjikopulli. Punët e artistëve i përkasin, siç thamë, arteve pamore duke u ndarë në seksione të ndryshme siç janë piktura tradicionale, videot, instalacionet, fotografitë etj. Ekspozita “Ardhje ’08” do të qëndrojë e çelur në qytetin e Durrësit për 10 ditë. Sipas organizatorëve, ky aktivitet servir një mori qasjesh dhe interesash mbi artin modern dhe realitetin që na rrethon.

9 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›