De Rosi, mungesa që i dhemb shumë Romës

Albania-Sport - Mesfushori i AS Roma, Daniele De Rosi, është dëmtuar të enjten në stërvitje në kaviljen e majtë, bëri të ditur klubi. Dëmtimi i lojtarit nuk është i rëndë, saktësoi agjencia italiane e lajmeve, Ansa, por kampioni i botës mund të mos luajë në ndeshjen e javës së 26-të të kampionatit në Askoli të shtunën në orën 15.00.
Tashmë Roma është në pritje të ndeshjes së kthimit për 1/8-tat e finaleve të Ligës së Kampioneve ndaj Lionit, javën e ardhshme, ndërkohë që ndeshja e parë ka përfunduar me rrjeta të paprekura. Në fundjavë, skuadra kryeqytetase u ndal në një barazim 2-2 në sfidën përballë Kievos, ku dy golat për skuadrën veroneze i shënoi shtatlarti shqiptar, Erjon Bogdani.