E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhuveli: Pylli i Sodës? Deti po pastrohet vetë

Deklarata është bërë në Ditën Ndërkombëtare të Mjedisit, nga vetë ministri i Mjedisit, Lufter Xhuveli, i cili u shpreh optimist për pastrimin e plazhit në pyllin e Sodës, pasi sipas tij solari po del në breg. 

VLORË Ministria e Mjedisit nuk do të marrë asnjë masë për pastrimin e Pyllit të Sodës, pasi po pret që plazhi i ndotur ditë më parë, me tonelata me solar, të pastrohet vetë. Deklarata është bërë në Ditën Ndërkombëtare të Mjedisit, nga vetë ministri i Mjedisit, Lufter Xhuveli, i cili u shpreh optimist për pastrimin e plazhit në pyllin e Sodës, pasi sipas tij solari po del në breg. "Mundësia për t'u pastruar deti është shumë e lehtë, pasi solari po del vetë në breg. Operatorët duhet të tregohen më të ndërgjegjshëm për të mos shkaktuar incidente të kësaj natyre, përndryshe do të merren masa ndëshkuese për të gjithë abuzuesit", - është shprehur ministri Xhuveli.

Pavarësisht mosmarrjes së masave për pastrimin e kësaj zone, ministri Xhuveli ka kërkuar që të gjitha strukturat e shtetit të forcojnë masat për parandalimin e aksidenteve të tilla, që po shkaktojnë katastrofa mjedisore. Sipas ekspertëve të mjedisit, për të pastruar këtë zonë, do të mjaftonin vetëm disa mjete dhe punëtorë për heqjen e rërës së ndotur në sipërfaqe dhe në anë të detit, që gjithçka të kthehej në normalitet.

Dhjetëra ton nafte u derdhën të mërkurën në plazhin e pyllit të Sodës çka solli jo vetëm ndotje të detit, por edhe ngordhje të një numri të madh gjallesash nënujore.

Një firmë private, që duhej ta çonte sasinë e solarit në Ballsh, e derdhi atë në kanalin e hidrovorit, kanal i cili shkarkohet në plazh, dhe pikërisht te Pylli i Sodës. Akualisht e gjithë zona vazhdon të jetë e mbuluar me naftë, ndërsa vija bregdetare po vijon që të zgjatet. Nuk mungojnë dhe gjallesa detare të ngordhura, ndërsa e gjithë zona mban era solar.". Burime për "Gazeta Shqiptare" pohojnë se, ndotja ka përfshirë një vijë bregdetare ujore me një gjatësi 1.5 kilometra. Pasojat e derdhjes së 60 ton mbeturinash karburanti në det janë përhapur duke prekur dje dhe Plazhin e Vjetër të Vlorës. 
(s.g/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›