E Diel, 1 Nëntor 2026

Greqi, dy shpërthime me bomba, shkatërrohet godina e bursave

 

Një makinë-bombë shpërtheu jashtë ndërtesës së bursës në Athinë të mërkurën, duke shkaktuar dëme të rënda materiale në ndërtesën e duke lënë të plagosur një grua. Policia greke dyshon se sulmi është vepër e një grupi të majtë apo anarkist. Bursa në Athinë u hap normalisht edhe pas shpërthimit, që shkatërroi dritaret në shumë kate të ndërtesës, duke çuar copat e xhamit e të gurëve qindra metra larg. Tetë automjete të parkuara pranë ndërtesës u shkatërruan. Një tjetër sulm me bombë, kësaj radhe të përgatitur në shtëpi, shpërtheu në një godinë qeveritare në Selanik, duke shkaktuar dëme të vogla materiale. Nuk dihet qartësisht se me kë mund të jenë të lidhura këto sulme dhe variantet që ka dhënë policia për grupe majtiste deri tani janë hamendësime. Grupet majtiste dhe anarkiste në Greqi kanë ndërmarrë shpesh sulme të tilla mbi godina biznesi apo qeveritare, që në dhjetor 2008 kur policia vrau një adoleshent, ngjarje që shkaktoi trazirat më të mëdha që kishte përjetuar ky vend ndër dekada. Sipas policisë, një grup i tillë duhet të ketë vendosur bombën në bursë. “Të gjitha provat tregojnë se ky ishte një sulm terrorist”, tha zëdhënësi i policisë Panayiotis Stathis. Deri tani askush nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmet. Në të dyja rastet, telefonues anonimë kanë njoftuar mediat për sulmin që do të ndodhte. Sipas telefonuesve, sulmet kishin për synim të dëmtonin ndërtesat dhe jo njerëzit. Gruaja që u plagos në shpërthimin në bursë ishte një pastruese në një ndërtesë aty afër. Sipas policisë, bomba në bursë kishte rreth 15 kg eksploziv. Sipas një oficeri policie, kjo është sasia më madhe e eksplozivit e vendosur në një makinë deri tani në Greqi. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›